BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kotësia e të gjitha gjërave tokësore
1:1 Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit.
1:2 “Kotësi e kotësive”, thotë Predikuesi;
1:3 “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi”. Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit?
1:4 Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.
1:5 Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.
1:6 Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.
1:7 Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.
1:8 Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar.
1:9 Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell.
1:10 A ka diçka për të cilën mund të thuhet: “Shiko, kjo është e re!”. Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur.
1:11 Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas.
Kotësia e diturisë
1:12 Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem,
1:13 dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen.
1:14 Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën.
1:15 Ajo që është e shtrëmbër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet.
1:16 Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: “Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri”.
1:17 Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën.
1:18 Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen.