BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Për çdo gjë ka një kohë të caktuar nga Perëndia
3:1 Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
3:2 një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,
3:3 një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,
3:4 një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,
3:5 një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,
3:6 një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,
3:7 një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,
3:8 një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.
3:9 Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet?
3:10 Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen.
3:11 Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.
3:12 Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë;
3:13 dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
3:14 E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t`u shtosh dhe t`u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij.
3:15 Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar.
3:16 Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të arsyes kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi.
3:17 Kështu thashë në zemrën time: “Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër”.
3:18 Thashë në zemrën time: “Përsa u përket kushteve në të cilat ndodhen bijtë e njerëzve, Perëndia i vë në provë, që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë”.
3:19 Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi.
3:20 Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.
3:21 Kush e di në se fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe në se fryma e kafshës zbret poshtë në tokë?
3:22 Kështu e kuptova që nuk ka gjë më të mirë për njeriun se sa të gëzohet në punën e tij, sepse kjo është pjesa e tij. Kush do ta çojë në fakt të shohë atë që ka për të ndodhur pas tij?