1 Korintasve 12

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Larmia e dhuntive frymërore

12:1 Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.

12:2 Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.

12:3 Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi!“; edhe asnjë nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot“, veç se në Frymën e Shenjtë.

12:4 Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë.

12:5 Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot.

12:6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.

12:7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.

12:8 Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie;

12:9 një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat;

12:10 një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve.

12:11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.

Uniteti i trupit në larminë e gjymtyrëve

12:12 Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.

12:13 Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë.

12:14 Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.

12:15 Sikur të thoshte këmba: “Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit“, mos për këtë nuk është pjesë e trupit?

12:16 Dhe sikur veshi të thoshte: “Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit“, mos për këtë nuk është pjesë e trupit?

12:17 Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?

12:18 Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.

12:19 Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?

12:20 Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.

12:21 Dhe syri nuk mund t`i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty“; dhe po ashtu koka nuk mund t`u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju“.

12:22 Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;

12:23 dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.

12:24 Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,

12:25 që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.

12:26 Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.

12:27 Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.

12:28 Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.

12:29 A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?

12:30 A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?

12:31 Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t`ju tregoj një udhë shumë më të lartë.