1 Korintasve 14

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Epërsia e dhuntisë së profecisë mbi atë të gjuhëve

14:1 Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,

14:2 sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.

14:3 Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.

14:4 Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.

14:5 Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhëra, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhëra, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.

14:6 Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t`ju flisja në gjuhë, ç`dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?

14:7 Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?

14:8 Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?

14:9 Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.

14:10 Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.

14:11 Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.

14:12 Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t`i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.

14:13 Prandaj ai që flet një gjuhë tjetër, le të lutet që të mund ta interpretojë,

14:14 sepse, në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme.

14:15 Po atëherë? Do të lutem me frymën, por do ta bëj edhe me mendjen; do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen.

14:16 Me fjalë të tjera, në qoftë se ti e lavdëron Perëndinë me frymën, ai që zë vendin e profanët, si do të thotë "amen" për falënderimin tënd, kur nuk merr vesh ç`po thua?

14:17 Sepse ti edhe mund të falënderosh mirë, por tjetri nuk ndërtohet.

14:18 Unë e falënderoj Perëndinë time, sepse flas më shumë në gjuhë se ju të gjithë.

14:19 Por në asamble parapëlqej të them pesë fjalë me mënçurinë time për mësimin e të tjerëve se dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër.

14:20 Vëllezër, mos u bëni kalamaj nga mendja, por bëhuni foshnje për të ligën, dhe burra të pjekur nga mendja.

14:21 Në ligj është shkruar: “Unë do t`i flas këtij populli në gjuhë të huaja dhe me buzë të tjera, por as kështu nuk do të më dëgjojnë“, thotë Zoti.

14:22 Prandaj gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për jobesimtarë, kurse profecia nuk është për jobesimtarë, po për besimtarë.

14:23 Pra, në qoftë se, kur gjithë kisha është mbledhur në një vend, të gjithë flasin gjuhëra dhe hyjnë profanë ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se ju kanë dalë mendtë?

14:24 Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë.

14:25 Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.

Nevoja e regullit në bashkësi

14:26 Ç`duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.

14:27 Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.

14:28 Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.

14:29 Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.

14:30 Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.

14:31 Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.

14:32 Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,

14:33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.

14:34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.

14:35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.

14:36 Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?

14:37 Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.

14:38 Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.

14:39 Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.

14:40 Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.