BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ringjallja
15:1 Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni,
15:2 dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.
15:3 Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,
15:4 se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,
15:5 edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
15:6 Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.
15:7 Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.
15:8 Më së fundi m`u shfaq edhe mua, si në dështimit.
15:9 Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.
15:10 Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.
15:11 Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.
15:12 Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?
15:13 Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall.
15:14 Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.
15:15 Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen.
15:16 Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur;
15:17 por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja,
15:18 edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur.
15:19 Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.
15:20 Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
15:21 Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
15:22 Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,
15:23 por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij
15:24 Pastaj do të vijë fundi, kur ai t`ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.
15:25 Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t`i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.
15:26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.
15:27 Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.
15:28 Dhe kur t`i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t`i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
15:29 Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?
15:30 Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?
15:31 Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.
15:32 Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç`dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.
15:33 Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.
15:34 Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.
15:35 Por do të thotë ndonjë: “Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç`trup do të vijnë?“.
15:36 O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara.
15:37 Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër.
15:38 Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet.
15:39 Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve.
15:40 Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyreve të tokës.
15:41 Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli.
15:42 Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje.
15:43 Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi.
15:44 Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.
15:45 Kështu edhe është shkruar: “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë.
15:46 Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori.
15:47 Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli.
15:48 Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.
15:49 Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.
15:50 Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen.
15:51 Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment,
15:52 sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,
15:53 sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë.
15:54 Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore“.
15:55 O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?
15:56 Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji.
15:57 Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.
15:58 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.