1 Kronikave 13

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kalimi i arkës në shtëpinë e Obed-Edomit

13:1 Davidi u këshillua me komandantët e mijëshëve e dhe të qindëshëve dhe me të gjithë princat.

13:2 Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: “Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë, t`u çojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në të gjitha krahinat e Izraelit, dhe me ta edhe priftërinjve dhe Levitëve në qytetet e tyre dhe tokat për kullotë të mblidhen pranë nesh,

13:3 dhe ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit”.

13:4 Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit.

13:5 Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi.

13:6 Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit që ishte pronë e Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë, të Zotit, që rri mbi kerubinët, ku përmëndet emri i tij.

13:7 Nga shtëpia e Abinadabit e transportuan arkën e Perëndisë mbi një qerre të re. Uza dhe Ahio e ngisnin qerren.

13:8 Davidi dhe tërë Izraeli e kremtonin këtë ngjarje përpara Perëndisë me tërë forcat e tyre, me këngë dhe qeste, me harpe, dajre, cembale dhe bori.

13:9 Kur arritën në lëmin e Kidonit, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën, sepse qetë ishin penguar.

13:10 Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Uzës dhe e goditi, sepse kishte shtrirë dorën e tij mbi arkë; ai vdiq atje përpara Perëndisë.

13:11 Davidi u hidhërua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull duke goditur Uzën. Prandaj ky vend quhet edhe sot e Çara e Uzës.

13:12 Atë ditë Davidi pati frikë nga Perëndia dhe tha: “Si mund ta transportoj arkën e Perëndisë në shtëpinë time?”.

13:13 Kështu Davidi nuk deshi ta kishte arkën pranë vetes në qytetin e Davidit, por e kaloi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi.

13:14 Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që ishte pronë e tij.

[previous][next]