1 Kronikave 23

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Regjistrimi i popullsisë dhe detyrat e Levitëve

23:1 Davidi, tanimë i plakur dhe i velur me ditë, vendosi si mbret mbi Izraelin birin e tij Salomon.

23:2 Ai mblodhi tërë krerët e Izraelit së bashku me priftërinjtë dhe me Levitët.

23:3 U llogaritën Levitët tridhjetë vjeç e lart; dhe numri i individëve ishte tridhjetë e tetë mijë.

23:4 Nga këta, njëzet e katër mijë u caktuan për të drejtuar punimet në shtëpinë e Zotit, gjashtë mijë ishin magjistratë dhe gjyqtarë,

23:5 katër mijë ishin derëtarë dhe katër mijë duhet të lëvdonin Zotin me veglat që Davidi kishte bërë për ta kremtuar.

23:6 Davidi i ndau në klasa, sipas bijve të Levit: Gershomi, Kehathi dhe Merari.

Gershonitët

23:7 Nga Gershonitët: Ladani dhe Shimei.

23:8 Bijtë e Ladanit: Jejeli, i pari, Zethami dhe Joeli; tre gjithsej.

23:9 Bijtë e Shimeit: Shelomithi, Hazieli dhe Harani; gjithsej tre. Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Ladanit.

23:10 Bijtë e Shimeit: Jahathi, Zina, Jeushi dhe Beriahu. Këta ishin katër bijtë e Shimeit.

23:11 Jahathi ishte i pari, pas tij vinte Zina; Jeushi dhe Beriahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj në regjistrimin përbënin një shtëpi të vetme atërore.

Kehathitët

23:12 Bijtë e Kehathit: Amrami, Itshari, Hebroni dhe Uzieli; gjithsej katër.

23:13 Bijtë e Amramit: Aaroni dhe Moisiu. Aaroni u nda veç për të shenjtëruar gjërat e shenjta, ai dhe bijtë e tij përjetë, për të djegur temjan përpara Zotit, për t`i shërbyer dhe për të bekuar emrin e tij përjetë.

23:14 Sa për Moisiun, njeriun e Perëndisë, bijtë e tij u llogaritën në fisin e Levit.

23:15 Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri.

23:16 Nga bijtë e Gershomit, Shebueli ishte i pari.

23:17 Nga bijtë e Eliezerit, Rehabiahu ishte i pari. Eliezeri nuk pati fëmijë të tjerë, por bijtë e Rehabiahut ishin të shumët.

23:18 Nga bijtë e Itsharit, Shelomithi ishte i pari.

23:19 Nga bijtë e Hebroit, Jerijahu ishte i pari, Amariahu i dyti, Jahazieli i treti dhe Jekaneami i katërti.

23:20 Nga bijtë e Uzielit, Mikahu ishte i pari dhe Ishshiahu i dyti.

Meraritët

23:21 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi. Bijtë e Mahlit ishin Eleazari dhe Kishi.

23:22 Eleazari vdiq dhe nuk la djem, por vetëm vajzat që u martuan me bijtë e Kishit, vëllezër të tyre.

23:23 Bijtë e Mushit ishin Mahli, Ederi dhe Jeremothi; gjithsej tre.

Detyrat e Levitëve

23:24 Këta ishin bijtë e Levit sipas shtëpisë të tyre atërore, të parët e shtëpive atërore sipas regjistrimit të popullsisë, që u bë duke i numëruar emrat një për një. Këta ishin të ngarkuar me shërbimin e shtëpisë të Zotit njëzet vjeç e lart.

23:25 Sepse Davidi kishte thënë: “Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dhënë paqe popullit të tij, në mënyrë që ai të mund të banonte në Jeruzalem përjetë.

23:26 Kështu Levitët nuk do ta mbartin më tabernakullin dhe tërë objektet e shërbimit të tij”.

23:27 sipas porosive të fundit të Davidit u bë regjistrimi i bijve të Levit, njëzet vjeç e lart.

23:28 Sepse detyra e tyre ishte që të ndihmonin bijtë e Aaronit në shërbimin e shtëpisë së Zotit në oborret, në dhomat, në pastrimin e të gjitha gjërave të shenjta, në punën e shërbimit të shtëpisë së Perëndisë,

23:29 me bukët e paraqitjes, me majën e miellit për ofertën e ushqimit, me kuleçët e ndorme; me gjërat që gatuhen në tigan, me atë që është përzier me vaj dhe me të gjitha masat dhe dimensionet.

23:30 Përveç kësaj ata duhet të paraqiteshin çdo mëngjes për të kremtuar dhe për të lëvduar Zotin, dhe kështu edhe çdo mbrëmje,

23:31 si dhe për të ofruar vazhdimisht para Zotit tërë olokaustet, sipas numrit të caktuar nga ligji ditët e shtuna, kur fillon hëna e re dhe në festat solemne.

23:32 Ata duhet të kryenin gjithashtu detyrat e çadrës së mbledhjeve dhe të shenjtërores, si dhe të ndihmonin bijtë e Aaronit, vëllezërit e tyre, në shërbimin e shtëpisë të Zotit.