BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Pasardhësit e Rubenit
5:1 Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit. Ai ishte me të vërtetë i parëlinduri, por me qenë se kishte përdhosur shtratin e të atit, parëbirnia iu dha bijve të Jozefit, birit të Izraelit; kështu gjenealogjia nuk jepet në bazë të parëbirnisë.
5:2 Ndonëse Juda mbizotëroi mbi vëllezërit e tij dhe nga ai rrodhi një shef, e drejta e parëbirnisë i takonte Jozefit.
5:3 Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, ishin Hanoku, Pallu, Hetsroni dhe Karmi.
5:4 Bijtë e Joelit ishin Shemejahu, bir i të cilit ishte Gogu, bir i të cilit ishte Shimei,
5:5 bir i të cilit ishte Mikahu, bir i të cilit ishte Reajahi, bir i të cilit ishte Baali,
5:6 bir i të cilit ishte Beerahu, që u çua në robëri nga Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë. Ai ishte princ i Rubenitëve.
5:7 Vëllezërit e tij, sipas familjeve të tyre, ashtu siç janë rreshtuar në gjenealogjinë sipas brezave të tyre, ishin i pari Jejeli, pastaj Zakaria,
5:8 Bela, bir i Azazit, birit të Shemas, i cili ishte bir i Joelit, që banonte në Aroer dhe deri në Nebo dhe në Baal-Meon.
5:9 Dhe ata u vendosën në perëndim duke arritur deri në fillim të shkretëtirës, nga kjo anë e lumit Eufrat, sepse bagëtia e tyre ishte shumëzuar në vendin e Galaadit.
5:10 Në kohën e Saulit ata u shpallën luftë Hagarenëve, të cilët i mundën; pastaj u vendosën në çadrat e tyre, të ngritura në tërë pjesën në perëndim të Galaadit.
Pasardhësit e Gadit
5:11 Bijtë e Gadit banonin përballë tyre në vendin e Bashanit, deri në Salkah.
5:12 Joeli ishte i pari i tyre, i dyti ishte Shafami, pastaj vinin Janai dhe Shafati në Bashan.
5:13 Vëllezërit e tyre, sipas shtëpive atërore të tyre, ishin: Mikaeli, Meshulami, Sheba, Jorai, Jakani, Zia dhe Eberi, gjithsej shtatë.
5:14 Ata ishin bij të Abihailit, birit të Hurit, birit të Jaroahut, birit të Galaadit, birit të Mikaelit, birit të Jesishait, birit të Jahdos, birit të Buzit;
5:15 Ahi, bir i Abdielit, birit të Gunit, ishte i pari i shtëpisë së tyre prindërore.
5:16 Ata banonin në Galaad dhe në Bashan, në fshatrat e tij dhe në të gjitha tokat për kullotë të Sharonit deri atje ku shtriheshin.
5:17 Të gjitha këto toka u regjistruan në listat gjenealogjike të përpiluara në kohën e Jothamit, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, mbretit të Izraelit.
5:18 Bijtë e Rubenit, Gaditët dhe gjysma e fisit të Manasit kishin dyzet e katër mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë njerëz trima, njerëz që mbanin mburoja dhe shpata, përdornin harkun dhe ishin të stërvitur
5:19 Ata u shpallën luftë Hagarenëve, Jeturëve, Nafishëve dhe Nodabëve.
5:20 Ata u ndihmuan kundër tyre, sepse gjatë betejës i thirrën Perëndisë, që e dëgjoi lutjen e tyre, sepse ata kishin pasur besim tek ai; kështu Hagarenët dhe tërë ata që ishin bashkë me ta u dorëzuan në duart e tyre.
5:21 Pastaj ata muarrën bagëtinë e tyre: pesëdhjetë mijë deve, dyqind e pesëdhjetë mijë dele, dy mijë gomarë dhe njëqind mijë njerëz.
5:22 Në të vërtetë shumë njerëz ranë të vrarë, sepse këtë luftë e kishte dashur Perëndia. Ata u vendosën pastaj në vendin e tyre deri sa ranë në robëri.
Pasardhësit e Manasit
5:23 Kështu bijtë e gjysmës së fisit të Manasit banuan në vend; ata u shtrinë nga Bashani deri në Baal-Hermon, në Senir dhe në malin Hermon.
5:24 Këta ishin krerët e shtëpive të tyre atërore: Eferi, Ishi, Elieli, Azrieli, Jeremia, Hodavia dhe Jahdieli, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, krerë të shtëpive të tyre atërore.
5:25 Por ata u treguan jobesnikë ndaj Perëndisë të etërve të tyre dhe u kurvëruan, duke shkuar pas perëndive të popujve të vendit që Perëndia kishte shkatërruar para tyre.
5:26 Prandaj Perëndia i Izraelit nxiti frymën e Pulit, mbretit të Asirisë, domethënë frymën e Tilgath-Pilniserit, mbretit të Asirisë, që internoi Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit, dhe i vendosi në Halah, në Habor, në Hara dhe pranë lumit të Gozanit, ku gjenden edhe sot.