BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Roboami dhe realizimet e tij për të forcuar mbretërinë e tij
11:1 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, thirri shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër Izraelit dhe për t`i kthyer kështu mbretërinë Roboamit.
11:2 Por fjala e Zotit iu drejtua kështu Shemajahut, njeriu i Perëndisë, duke thënë:
11:3 “Foli Roboamit, birit të Salomonit, mbretit të Judës, dhe tërë Izraelit në Judë dhe në Beniamin, dhe u thuaj atyre:
11:4 Kështu flet Zoti: “Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse kjo gjë vjen nga unë””. Atëherë ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa pa dalë kundër Jeroboamit.
11:5 Roboami banoi në Jeruzalem dhe ndërtoi disa qytete për mbrojtje në Judë.
11:6 Ai ndërtoi Betlemin, Etamin, Tekoan,
11:7 Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin,
11:8 Gathin, Mareshahun, Zifin,
11:9 Adoraimin, Lakishin, Azkahun,
11:10 Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, që u bënë qytete të fortifikuara në Judë dhe në Beniamin.
11:11 Përforcoi fortesat dhe vendosi komandantë dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere.
11:12 Në çdo qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i bëri jashtëzakonisht të forta. Kështu ai pati me vete Judën dhe Beniaminin.
11:13 Përveç kësaj nga të gjitha territoret e tyre priftërinjtë dhe Levitët e tërë Izraelit morën anën e tij.
11:14 Në të vërtetë Levitët braktisën tokat e tyre për kullotë dhe pronat e tyre dhe shkuan në Judë dhe në Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijtë e tij i kishte përzënë nga shërbimi si priftërinj të Zotit,
11:15 dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë.
11:16 Mbas Levitëve ata nga gjithë fiset e Izraelit që kishin vendosur në zemër të tyre të kërkonin Zotin, Perëndinë e Izraelit, vajtën në Jeruzalem për t`i ofruar flijime Zotit, Perëndisë të etërve të tyre.
11:17 Kështu e përforcuan mbretërinë e Judës dhe e bënë të qëndrushëm për tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse për tre vjet ndoqën rrugën e Davidit dhe të Salomonit.
11:18 Roboami mori për grua Mahalathën, bijën e Jerimothit, birit të Davidit dhe i Abihajlit, bijës së Eliabit që ishte bir i Isait.
11:19 Ajo i lindi fëmijët Jeush, Shemariah dhe Zaaham.
11:20 Mbas asaj mori për grua Maakahën, bijën e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin.
11:21 Roboami e donte Maakahën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha bashkëshortet e konkubinat e tij (ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza).
11:22 Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakahës, si të parë që të ishte princ midis vëllezërve të tij, sepse mendonte ta bënte mbret.
11:23 Ai veproi me zgjuarsi dhe i shpërndau disa nga bijtë e tij në të gjitha vendet e Judës dhe të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumicë dhe kërkoi për ta shumë bashkëshorte.