BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Abijahu, mbret i Judës. Lufta kundër Jereboamit, mbretit të Izraelit
13:1 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, Abijahu filloi të mbretërojë në Judë.
13:2 Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luftë midis Abijahut dhe Jeroboamit.
13:3 Abijahu u përgatit për betejën me një ushtri me luftëtarë trima, katërqind mijë njerëz të zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit në rend beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, njerëz të fortë dhe trima.
13:4 Duke qëndruar në malin e Tsemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, Abijahu tha: “Më dëgjoni, Jeroboam dhe tërë Izraeli!
13:5 A nuk e dini vallë që Zoti, Perëndia i Izraelit, ia ka dhënë për gjithnjë Davidit mbretërimin mbi Izrael, atij dhe bijve të tij, me një besëlidhje kripe?
13:6 Megjithatë Jeroboami, bir i Nebatit, shërbëtor i Salomonit, birit të Davidit, u ngrit dhe u rebelua kundër zotërisë së tij.
13:7 Rreth tij ishin mbledhur njerëz të neveritshëm dhe horra, që ishin bërë të fortë kundër Roboamit, birit të Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa përvojë, dhe nuk ishte mjaft i fortë sa t`u rezistonte atyre.
13:8 Tani ju mendoni të mund t`i rezistoni mbretërisë të Zotit, që është në duart e bijve të Davidit, sepse jeni një shumicë e madhe dhe keni me vete viçat e artë që Jeroboami ka bërë për ju si perënditë tuaja.
13:9 A nuk keni dëbuar vallë priftërinjtë e Zotit, bij të Aaronit, dhe Levitët dhe nuk jeni bërë priftërinj si popujt e vendeve të tjera? Kështu kushdo që vjen me një dem të vogël dhe me shtatë desh për t`u shenjtëruar, mund të bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi.
13:10 Sa për ne, Zoti është Perëndia ynë dhe ne nuk e kemi braktisur; priftërinjtë që i shërbejnë Zotit janë bij të Aaronit, ndërsa Levitët kryejnë detyrat e tyre.
13:11 Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i ofrojnë Zotit olokauste dhe temjan erëmirë; për më tepër ata i vendosin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër, dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë me llambat e tij, sepse ne respektojmë urdhrin e Zotit, Perëndisë tonë, por ju e keni braktisur.
13:12 Dhe ja, vet Perëndia është me ne, mbi kryet tonë dhe priftërinjtë me buri kumbonjëse janë duke i rënë alarmit kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, sepse nuk do të keni sukses”.
13:13 Ndërkaq Jeroboami me një pritë u mori krahët për t`i sulmuar; kështu ndërsa ai ishte radhitur para Judës, ata të pritës ndodheshin prapa tyre.
13:14 Kur ata të Judës u kthyen, vunë re që beteja i priste si nga përpara ashtu dhe nga prapa. Atëherë i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive.
13:15 Pastaj njerëzit e Judës lëshuan një britmë dhe, ndërsa njerëzit e Judës ulërinin, ndodhi që Perëndia goditi Jeroboamin dhe tërë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës.
13:16 Kështu bijtë e Izraelit ikën përpara Judës, dhe Perëndia i dorëzoi në duart e tij.
13:17 Abijahu dhe njerëzit e tij i mundën keq; nga radhët e Izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur.
13:18 Kështu në atë kohë bijtë e Izraelit u poshtëruan, ndërsa bijtë e Judës u përforcuan sepse ishin mbështetur tek Zoti, Perëndia i etërve të tyre.
13:19 Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet që vijojnë: Bethelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efraimin me fshatrat përreth.
13:20 Kështu gjatë jetës së Abijahut, Jeroboami nuk e mblodhi më veten; pastaj Zoti e goditi dhe ai vdiq.
13:21 Abijahu përkundrazi u bë i fuqishëm, mori katërmbëdhjetë gra dhe pati njëzet e dy djem dhe gjashtëmbëdhjetë vajza.
13:22 Pjesa tjetër e bëmave të Abijahut, sjellja dhe fjalët e tija janë përshkruar në kronikat e profetit Ido.