2 Kronikave 35

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kremtimi madhështor i Pashkës në kohën e sundimit të Josias

35:1 Josia kremtoi në Jeruzalem Pashkën për nder të Zotit; Pashka u kremtua ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë.

35:2 Ai i caktoi priftërinjtë në detyrat e tyre dhe i nxiti në shërbimin e shtëpisë të Zotit.

35:3 Pastaj u tha Levitëve që udhëzonin tërë Izraelin dhe që i ishin shenjtëruar Zotit: "Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin e ndërtuar nga Salomoni, bir i Davidit, mbret i Izraelit; ajo nuk do të jetë më barrë për shpatullat tuaja. Tani shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, dhe popullit të tij të Izraelit.

35:4 Vendosuni sipas shtëpive tuaja atërore, sipas klasave tuaja, në bazë të udhëzimeve të shkruara të Davidit, mbretit të Izraelit, dhe të Salomonit, birit të tij;

35:5 qëndroni në shenjtërore sipas ndarjeve të shtëpive atërore të vëllezërve tuaj, bij të popullit, dhe pjesa e shtëpisë atërore të Levitëve.

35:6 Flijoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në dispozicion të vëllezërve tuaj, duke ndjekur fjalën e Zotit të transmetuar me anë të Moisiut".

35:7 Pastaj Josia u dha njerëzve të popullit, gjithë atyre që ishin të pranishëm, bagëti të imta, qengja dhe keca, gjithsej tridhjetë mijë kokë, të tëra për Pashkët, si edhe tre mijë qe; kjo vinte nga pasuria e mbretit.

35:8 Edhe princat i bënë një dhuratë spontane popullit, priftërinjve dhe Levitëve. Hilkiahu, Zakaria dhe Jehieli, drejtues të shtëpisë së Perëndisë, u dhanë priftërinjve për flijimet e Pashkës dy mijë e gjashtëqind qengja dhe keca si edhe treqind qe.

35:9 Përveç kësaj Konaniahu, bashkë me vëllezërit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeijeli dhe Jozabadi, krerë të Levitëve, u dhanë Levitëve për flijimet e Pashkës pesë mijë qengja dhe keca si edhe pesëqind qe.

35:10 Sa u përgatit shërbimi, priftërinjtë zunë vendet e tyre, dhe Levitët sipas klasave të tyre, në bazë të urdhrit të dhënë nga mbreti.

35:11 Pastaj flijuan Pashkën; priftërinjtë e spërkatnin gjakun me duart e tyre, ndërsa Levitët ripnin kafshët.

35:12 Kështu vunë mënjanë olokaustet për t`ua shpërndarë bijve të popullit, sipas ndarjeve të shtëpive atërore, me qëllim që t`ia ofronin Zotit, siç është shkuar në librin e Moisiut. Vepruan njëlloj me qetë.

35:13 Pastaj poqën qengjat e Pashkës mbi zjarr sipas normave të përcaktuara; por ofertat e tjera të shenjtëruara i gatuan në tenxhere, në kazanë dhe në tiganë dhe ua shpërndanë menjëherë tërë bijve të popullit.

35:14 Pastaj përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, bijtë e Aaronit, ishin të zënë deri në mbrëmje për të ofruar olokaustet dhe pjesët me dhjamë; kështu Levitët përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, bij të Aaronit.

35:15 Këngëtarët, bij të Asafit, ishin në vendin e tyre, sipas urdhrit të Davidit, të Asafit, të Hemanit dhe të Jeduthunit, shikuesit të mbretit. Në çdo portë kishte derëtarë; këta nuk patën nevojë të largoheshin nga shërbimi i tyre, sepse Levitët, vëllezërit e tyre, kishin përgatitur racione për ata.

35:16 Kështu atë ditë tërë shërbimi i Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të ofruar olokauste mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josia.

35:17 Bijtë e Izraelit, që ishin të pranishëm, e kremtuan atëherë festën e Pashkës dhe festën e të ndormëve shtatë ditë me radhë.

35:18 Në Izrael nuk ishte kremtuar një Pashkë si ajo që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk kishte kremtuar ndonjëherë një Pashkë si ajo që u kremtua nga Josia, me pjesëmarrjen e priftërinjve, të Levitëve, të gjithë Judës dhe të Izraelit, të pranishëm bashkë me banorët e Jeruzalemit.

35:19 Kjo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josias.

Josia vdes mbasi plagoset në betejë

35:20 Mbas gjithë këtyre gjërave, kur Josia e vuri në rregull tempullin, Neko, mbret i Egjiptit, doli në Karkemish mbi Eufrat për të luftuar; dhe Josia u ngrit kundër tij.

35:21 Por Neko i dërgoi lajmëtarë për t`i thënë: "Çfarë ka midis meje dhe teje, o mbret i Judës? Këtë herë unë nuk kam ardhur kundër teje, por kundër një shtëpie me të cilën ndodhem në luftë; Perëndia më ka urdhëruar të shpejtohem; mos e kundërshto, pra, Perëndinë që është me mua, që ai të mos të të shkatërrojë".

35:22 Por Josia nuk deshi të tërhiqet nga ai; por për të luftuar kundër tij u vesh me rroba të tjera që të mos njihej dhe nuk i dëgjoi fjalët e Nekos, që vinin nga goja e Perëndisë. Kështu doli të ndeshet në luginën e Megidos.

35:23 Por disa harkëtarë gjuajtën kundër mbretit Josia; atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Më largoni që këtej, sepse jam plagosur rëndë".

35:24 Shërbëtorët e tij e hoqën nga qerrja e tij, e vunë në një qerre të dytë që ai kishte dhe e çuan në Jeruzalem. Kështu ai vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të tij. Tërë Juda dhe Jeruzalemi mbajtën zi për Josian.

35:25 Jeremia kompozoi një vajtim për Josian; tërë këngëtarët dhe këngëtaret në vajtimet e tyre kanë folur për Josian deri në ditën e sotme; dhe këto janë bërë një zakon në Izrael; dhe ja, ata janë shkruar në Vajtimet.

35:26 Pjesa tjetër e bëmave të Josias, veprat e tij të mira sipas asaj që është shkruar në ligjin e Zotit,

35:27 veprimet e tij, nga të parat deri në të fundit janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

Shpërndaje këtë