2 Kronikave 17

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jozafati, mbret i Judës. Ndershmëria e tij ndaj Perëndisë dhe begatia e tij

17:1 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit.

17:2 Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar.

17:3 Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin,

17:4 por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit.

17:5 Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi.

17:6 Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda.

17:7 Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës;

17:8 dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.

17:9 Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin.

17:10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.

17:11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë.

17:12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.

17:13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.

17:14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;

17:15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;

17:16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.

17:17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;

17:18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.

17:19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.

[previous][next]