2 Kronikave 27

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jothami, mbret i Judës

27:1 Jothami ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerushah; ishte bija e Tsadokut.

27:2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Uziahu; (megjithëse nuk hyri në tempullin e Zotit), por populli i tij vazhdonte të korruptohej.

27:3 Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit dhe bëri shumë punime në muret e Ofelit.

27:4 Përveç kësaj ndërtoi qytete në krahinën malore të Judës dhe kala dhe kulla ndër pyje.

27:5 I shpalli gjithashtu luftë mbretit të bijve të Amonit dhe i mundi ata. Bijtë e Amonit i dhanë atë vit njëqind talenta argjendi, dhjetë mijë kore gruri dhe dhjetë mijë elbi. Po kjo sasi iu dorëzua nga bijtë e Amonit vitin e dytë dhe të tretë.

27:6 Kështu Jothami u bë i fuqishëm, sepse rregulloi ecjen e tij përpara Zotit, Perëndisë të tij.

27:7 Pjesa tjetër e bëmave të Jothamit, tërë luftërat dhe ndërmarrjet e tij janë shkruar në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

27:8 Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.

27:9 Pastaj Jothamin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.

[previous][next]