2 Kronikave 28

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ashazi, mbret i Judës. Pushtimi i Judës nga Sirët dhe Izraeli, nga Edomitët dhe Filistejtë

28:1 Ashazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, i ati;

28:2 por ndoqi rrugët e mbretërve të Izraelit, madje bëri shëmbëlltyra prej metali të shkrirë për Baalët.

28:3 Ai dogji temjan në luginën e Birit të Hinomit dhe dogji në zjarr bijtë e tij, duke ndjekur veprimet e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit;

28:4 përveç kësaj bënte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë të gjelbëruar.

28:5 Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe.

28:6 Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.

28:7 Zikri, një trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit.

28:8 Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre, dyqind mijë gra, bij dhe bija; u morën atyre edhe një plaçkë të madhe, që e çuan në Samari.

28:9 Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: “Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell.

28:10 Dhe tani doni t`i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj?

28:11 Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju”.

28:12 Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,

28:13 dhe u thanë: “Ju nuk do t`i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t`i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit”.

28:14 Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë.

28:15 Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari.

28:16 Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t`i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë.

28:17 Edomitët kishin ardhur përsëri, kishin mundur Judën dhe kishin marrë me vete robërit.

28:18 Filistejtë kishin pushtuar edhe qytetet e fushës dhe të Negevit të Judës dhe kishin marrë Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty.

28:19 Zoti në fakt kishte poshtëruar Judën për shkak të Ashazit, mbretit të Izraelit, që kishte nxitur rënien morale në Judë dhe kishte kryer mëkate të rënda kundër Zotit.

28:20 Kështu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij dhe e shtypi në vend që ta ndihmonte,

28:21 megjithatë Ashazi kishte marrë një pjesë të thesareve të shtëpisë të Zotit, të pallatit të mbretit dhe të krerëve, dhe ia kishte dhënë të gjitha mbretit të Asirisë; megjithatë kjo nuk i vlejti fare.

Idhujtaria e Ashazit dhe vdekja e tij

28:22 Edhe kur ishte i shtypur, mbreti Ashaz mëkatoi edhe më shumë kundër Zotit.

28:23 U ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: “Me qenë se perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t`i ofroj atyre flijime që të më ndimojnë edhe mua”. Por qenë pikërisht ata që shkaktuan shkatërrimin e tij dhe atë të të gjithë Izraelit.

28:24 Ashazi mblodhi gjithë veglat e shtëpisë së Perëndisë, i bëri ato copë-copë, mbylli portat e shtëpisë të Zotit, ndërtoi altare në çdo kënd të Jeruzalemit,

28:25 dhe në çdo qytet të Judës vendosi vende të larta për t`u djegur temjan perëndive të tjera, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë të etërve të tij.

28:26 Pjesa tjetër e bëmave të tij dhe tërë sjelljet e tij, nga e para në të fundit, janë shkruar në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit.

28:27 Pastaj Ashazin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytet, në Jeruzalem, por nuk deshën ta vënë në varrezat e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.

[previous][next]