BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ndërtimi i tempullit
3:1 Salomoni filloi pastaj ndërtimin e shtëpisë të Zotit, në Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij, në vendin që Davidi kishte përgatitur në lëmin e Ornanit, Jebuseut.
3:2 Ai filloi të ndërtojë ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij.
3:3 Këto janë përmasat e themeleve që hodhi Salomoni për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Gjatësia ishte gjashtëdhjetë kubitë (në kubitë të masës së vjetër) dhe gjerësia njëzet kubitë.
3:4 Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjatësinë e tempullit, dhe ishte i lartë njëqind e njëzet kubitë. Ai e veshi nga brenda me ar të kulluar.
3:5 E veshi sallën e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar të kulluar dhe mbi të gdhendi degë palme dhe zinxhirë të vegjël.
3:6 Përveç kësaj e zbukuroi sallën me gurë të çmuar si oridnt; dhe ari ishte ai i Parvaimit.
3:7 Veshi gjithashtu me ar tempullin, trarët, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdhëndi kerubinë.
Vendi shumë i shenjtë. Kerubinët. Shtyllat
3:8 Pastaj ndërtoi vendin shumë të shenjtë. Ky ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjerësinë e tempullit, dhe njëzet kubitë i gjerë. E veshi me ar të kulluar me një vlerë prej gjashtëqind talentash.
3:9 Pesha e arit për gozhdat ishte pesëdhjetë sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sipërme.
3:10 Në vendin shumë të shenjtë bëri dy kerubinë të gdhëndur dhe i veshi me ar.
3:11 hapësira e krahëve të kerubinëve ishte njëzet kubitë; një krah i një kerubini, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër, gjithashtu i gjatë pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit të dytë.
3:12 Njeri krah i kerubinit të dytë, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa tjetri i gjatë gjithashtu pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit tjetër.
3:13 Krahët e hapur të këtyre kerubinëve ishin njëzet kubitë të gjatë. Ata qëndronin drejt në këmbë me fytyrë të kthyer nga pjesa e brendshme e tempullit.
3:14 Ai bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollcë të purpurt, të kuqe flakë dhe me pëlhurë të hollë, dhe mbi to qëndisën kerubinë.
3:15 Përpara tempullit bëri dy shtylla të larta tridhjetë e pesë kubitë; kapiteli në majë të çdo shtylle ishte pesë kubitë.
3:16 Bëri gjithashtu zinxhira të vegjël, si ato që ishin në shenjtërore dhe i vendosi në majë të shtyllave; pastaj bëri një mijë shegë dhe i vuri mbi zinxhirët e vegjël.
3:17 Pastaj ngriti shtyllat përpara tempullit, njerën në të djathtë dhe tjetrën në të majtë; të djathtën e quajti Jakin dhe të majtën Boaz.