2 Kronikave 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mbretëresha e Shebës viziton Salomonin

9:1 Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo vajti në Jeruzalem për ta vënë në provë Salomonin me pyetje të vështira, e shoqëruar nga shumë njerëz, me deve të ngarkuara me

9:2 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asnjë gjë të fshehur për Salomonin që ai nuk dinte ta shpjegonte.

9:3 Kur mbretëresha e Shebës pa diturinë e Salomonit dhe shtëpinë që kishte ndërtuar,

9:4 gjellërat e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamerierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.

9:5 Pastaj i tha mbretit: “Ishte, pra, e vërtetë ajo që kisha dëgjuar në vendin tim përsa u përket fjalëve të tua dhe diturisë sate.

9:6 Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa erdha vetë dhe i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, nuk më kishin thënë as gjysmën e vëllimit të diturisë sate. Ti e kalon famën që kisha dëgjuar të flitet.

9:7 Lum njerëzit e tu, lum këta shërbëtorë të tu që rrinë gjithnjë para teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!

9:8 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që të deshi, dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin dhe do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë, të ka vendosur si mbret mbi të që të ushtrosh gjykime dhe drejtësi”.

9:9 Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talenta ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk pati kurrë më aroma si ato që mbretëresha e Shebës i dha mbretit Salomon.

9:10 Shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit që mbartnin ar nga Ofiri, suallën edhe dru santali dhe gurë të çmuar;

9:11 me drurin e santalit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Zotit dhe për pallatin mbretëror të tij; ai bëri gjithashtu qeste dhe harpa për këngëtarët. Asnjë vegël si këto nuk ishte parë më përpara në vendin e Judës.

9:12 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Shebas të gjithë gjërat e dëshiruara që ajo kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me shërbëtorët e saj në vendin e vet.

Pasuritë e Salomonit

9:13 Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,

9:14 përveç atij që merrte nga tregtarët; edhe tërë mbretërit e Arabisë dhe qeveritarët e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.

9:15 Mbreti Salomon urdhëroi të bëhen dyqind mburoja të mëdha prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre gjashtëqind sikla ari të rrahur,

9:16 dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, për secilën prej tyre përdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi në pallatin e pyllit të Libanit.

9:17 Mbreti bëri gjithashtu një fron të madh prej fildishi, që e veshi me ar të kulluar.

9:18 Froni kishte shtatë shkallëza dhe një stol prej ari, që ishin të lidhura me fronin; kishte krahë në anët e fronit dhe dy luanë rrinin pranë krahëve.

9:19 Dymbëdhjetë luanë rrinin në të dy anët e skajeve të gjashtë shkallëzave. Asgjë e tillë nuk ishte bërë në një mbretëri tjetër.

9:20 Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.

9:21 Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

9:22 Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.

9:23 Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.

9:24 Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.

9:25 Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.

9:26 Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufi me Egjiptin.

9:27 Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.

9:28 Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.

Vdekja e Salomonit

9:29 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?

9:30 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.

9:31 Pastaj Salomoni pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

[previous][next]