Efesianëve 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Misteri i thirrjes së paganëve; apostullimi i Palit

3:1 Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,

3:2 dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;

3:3 se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.

3:4 Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,

3:5 që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,

3:6 që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,

3:7 shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m`u dha në sajë të fuqisë së tij.

3:8 Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m`u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,

3:9 dhe për t`u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;

3:10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,

3:11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,

3:12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.

3:13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

Lutja e Palit për Efesianët

3:14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

3:15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

3:16 që t`ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,

3:17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

3:18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

3:19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

3:20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,

3:21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.

[previous][next]