BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shtimi i madh i bijve të Izraelit në Egjipt
1:1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij:
1:2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,
1:3 Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,
1:4 Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri.
1:5 Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt).
1:6 Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez.
1:7 Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.
Shtypja e Izraelitëve nga ana e Faraonit
1:8 Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.
1:9 Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne.
1:10 Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi".
1:11 Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t`i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses.
1:12 Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit,
1:13 dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t`u shërbenin me ashpërsi,
1:14 dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t`i bënin tërë këto punë me ashpërsi.
Faraoni kërkon të shfarosë popullin e Izraelit
1:15 Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha:
1:16 "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t`i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë".
1:17 Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj.
1:18 Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?".
1:19 Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t`u vijë mamia pranë".
1:20 Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.
1:21 Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete.
1:22 Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".