BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Zoti përsërit premtimin se do ta çlirojë popullin e tij
6:1 Zoti i tha Moisiut: "Tani ke për të parë çfarë kam për t`i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t`i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t`i dëbojë nga vendi i tij".
6:2 Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti,
6:3 dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot.
6:4 Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t`u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj.
6:5 Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që Egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m`u kujtua besëlidhja ime.
6:6 Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: "Unë jam Zoti; do t`ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t`ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t`ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha.
6:7 Do t`ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga Egjiptasit.
6:8 Dhe do t`ju bëj të hyni në vendin, që u betova t`i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t`jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti"".
6:9 Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërise së rëndë.
6:10 Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë:
6:11 "Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij".
6:12 Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: "Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?".
6:13 Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t`i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit.
Gjenealogjia e Moisiut dhe Aaronit
6:14 Këta janë kryetarët e familjeve të tyre. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit qenë: Hanoku dhe Pallu, Hetsroni dhe Karmi. Këto qenë familjet e Rubenit.
6:15 Bijtë e Simeonit qenë: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Tsohari dhe Sauli, bir i Kananeases. Këto qenë familjet e Simeonit.
6:16 Këta janë emrat e bijve të Levit, sipas brezave të tyre: Gershomi, Kehathi dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.
6:17 Bijtë e Gershomit qenë: Libni dhe Shimej, bashkë me familjet e tyre.
6:18 Bijtë e Kehathit qenë: Amrami, Jitshari, Hebroni dhe Ucieli. Kehathi jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet.
6:19 Bijtë e Merarit qenë: Mahli dhe Mushi. Këto qenë edhe familjet e Levitëve sipas brezave të tyre.
6:20 Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e atit të tij; dhe ajo i lindi Aaronin dhe Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.
6:21 Bijtë e Itsharit qenë: Koreu, Nefegu dhe Zikri.
6:22 Bijtë e Ucielit qenë: Mishaeli, Eltsafani dhe Sitri.
6:23 Aaroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit dhe motër e Nahashonit; dhe ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin.
6:24 Bijtë e Koreut qenë: Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi. Këto qenë familjet e Koreut.
6:25 Eleazari, bir i Aaronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; dhe ajo i lindi Fineasin. Këta qenë të parët e etërve të Levitëve në familjet e tyre.
6:26 Dhe këta janë vet Aaroni dhe Moisiu, të cilëve Zoti u tha: "Nxirrini bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit, sipas rendit të tyre".
6:27 Këta janë ata që i folën Faraonit mbretit të Egjiptit për të nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjipti; ata janë vetë Moisiu dhe Aaroni.
6:28 Por erdhi dita kur Zoti i foli Moisiut në vendin e Egjiptit,
6:29 kur Zoti iu drejtua Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti! Thuaji Faraonit, mbretit të Egjiptit, tërë ato që po të them".
6:30 Atëherë Moisiu u përgjigj kështu para Zotit: "Ja, unë jam i parrethprerë në buzë; prandaj si mund të më dëgjojë Faraoni?".