Eksodi 11

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Faraonit i njoftohet plaga e dhjetë

11:1 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t`ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t`ju lejojë të shkoni, ai do t`ju dëbojë përfundimisht prej këtej.

11:2 Tani foli popullit në mënyrë që çdo burrë t`i kërkojë fqinjit të tij dhe çdo grua fqinjës së saj sende argjendi dhe ari".

11:3 Dhe Zoti e bëri popullin të ketë hir në sytë e Egjiptasve; edhe Moisiu gëzonte konsideratë të madhe në vendin e Egjiptit, në sytë e shërbëtorëve të Faraonit dhe në sytë e popullit.

11:4 Pastaj Moisiu tha: "Kështu thotë Zoti: "Aty nga mesnata, unë do të kaloj përmes Egjiptit;

11:5 dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë.

11:6 Atëherë në vendin e Egjiptit do të ketë një britmë të madhe, që nuk është dëgjuar kurrë më parë dhe që nuk do të dëgjohet asnjëherë tjetër.

11:7 Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s`ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit.

11:8 Dhe tërë këta shërbëtorët e tu do të zbresin tek unë dhe do të përkulen para meje, duke thënë: "Nisu, ti dhe populli yt që të ndjek nga pas!". Mbas kësaj unë do të nisem"". Dhe Moisiu u largua nga Faraoni tërë zemërim.

11:9 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Faraoni nuk do t`jua vërë veshin, me qëllim që mrekullitë e mia të shumëzohen në vendin e Egjiptit".

11:10 Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.