Eksodi 34

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Pllakat e reja

34:1 Zoti i tha Moisiut: "Preji dy pllaka guri ashtu si të parat; dhe unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që theve.

34:2 Kështu ji gati në mëngjes dhe ngjitu në mëngjes në malin Sinai, dhe qëndro aty afër meje në majë të malit.

34:3 Askush të mos ngjitet bashkë me ty dhe të mos duket asnjeri në tërë malin; as kope me bagëti të imët a të trashë përreth këtij mali".

34:4 Kështu Moisiu preu dy pllaka guri, si të parat; u ngrit herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti, dhe mori në dorë të dyja pllakat prej guri.

Shfaqja e Zotit Moisiut

34:5 Atëherë Zoti zbriti në renë dhe u ndal aty pranë tij, dhe shpalli emrin e Zotit.

34:6 Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri,

34:7 që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt".

34:8 Dhe Moisiu nxitoi të përkulet deri në tokë, dhe adhuroi.

34:9 Pastaj tha: "O Perëndi, në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, eja në mes nesh, sepse ky është një popull me qafë të fortë; na fal padrejtësinë tonë dhe mëkatin tonë, dhe na merr si trashëgiminë tënde".

Përsëritja e aleances

34:10 Zoti u përgjigj: "Ja, unë po bëj një besëlidhje: Do të bëj para gjithë popullit mrekulli, që nuk janë bërë kurrë mbi të gjithë dheun dhe në asnjë komb tjetër; dhe tërë populli në mes të të cilit

34:11 Kqyr atë që po të urdhëroj sot: Ja unë do t`i dëboj para teje Amorejtë, Kananejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.

34:12 Ruhu se bën ndonjë aleancë me banorët e vendit në të cilin ke për të vajtur, me qëllim që të mos jetë një grackë për ty;

34:13 por rrëzo altarët e tyre, copëto shtyllat e tyre të shenjta dhe rrëzo shëmbëlltyrat e tyre,

34:14 (sepse nuk do t`i përulesh një perëndi tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është "Xhelozi", është një Perëndi xheloz).

34:15 Mos bëj asnjë aleancë me banorët e vendit sepse, kur ata kurvërohen te idhujt e tyre dhe ofrojnë fli idhujve të tyre, ndokush prej tyre të fton dhe ti ha nga flitë e tyre,

34:16 dhe merr nga bijat e tyre për bijtë e tu, dhe vajzat e tyre të kurvërohen te idhujt e tyre dhe t`i shtyjnë bijtë e tu të kurvërohen te idhujt e tyre.

34:17 Nuk do të bësh idhull me metal të shkrirë.

34:18 Do të kremtosh festën e të ndormeve. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë pa maja, ashtu siç të kam urdhëruar në kohën e caktuar, në muajin e Abibit, sepse në muajin e Abibit ti ke dalë nga Egjipti.

34:19 Kushdo që çel barkun është imi; është imja çdo pjellë e parë mashkull të të gjithë bagëtisë sate, qoftë e trashë ose e imët.

34:20 Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t`i thyesh qafën. Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur të bijve të tu. Asnjeri nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

34:21 Do të punosh gjashtë ditë; por ditën e shtatë do të pushosh: do të pushosh edhe në kohën e lërimit dhe të korrjes.

34:22 Do të kremtosh festën e javëve, domethënë, të prodhimit të parë të korrjes së grurit dhe festën e të vjelave në fund të vitit.

34:23 Tri herë në vit do të paraqitet çdo mashkull i juaj para Perëndisë, Zotit, Perëndisë të Izraelit.

34:24 Sepse unë do të dëboj kombe para teje dhe do të zgjeroj kufijtë e tu, dhe askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur do të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë përpara Zotit, Perëndisë tënd.

34:25 Nuk do të ofrosh me bukë të mbrujtur gjakun e viktimës së flijuar për mua; flia e festës së Pashkës nuk do të lihet deri në mëngjes.

34:26 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, prodhimet e para të fryteve të tokës sate. Nuk do ta gatuash kecin në qumështin e nënës së tij".

34:27 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaji këto fjalë, sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin".

34:28 Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet.

Fytyra rrëzëlluese e Moisiut

34:29 Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëllyese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin.

34:30 Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëllyese dhe ata kishin frikë t`i afroheshin atij.

34:31 Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre.

34:32 Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai.

34:33 Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij.

34:34 Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin deri sa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte.

34:35 Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, deri sa hynte të fliste me Zotin.