Eksodi 13

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ligji mbi shenjtërimin e të parëlindurve

13:1 Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

13:2 "Më shenjtëro çdo të parëlindur, ai që çel barkun ndër bijtë e Izraelit, qofshin njerëz apo kafshë; më takon mua".

13:3 Pastaj Moisiu i tha popullit: "Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme; nuk do të hahet bukë me maja.

13:4 Ju po dilni sot, në muajin e Abibit.

13:5 Atëherë pra kur Zoti do të bëjë që të hyni në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Hivejve dhe të Jebusejve që u është betuar etërve të tu të të japë, vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, do të kryesh këtë rit gjatë këtij muaji.

13:6 Shtatë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të bëhet një festë për Zotin.

13:7 Do të hahet bukë e ndorme gjatë shtatë ditëve; dhe nuk do të duket bukë me maja tek ju, as do të duket maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tu.

13:8 Atë ditë do t`ia shpjegosh këtë gjë birit tënd, duke i thënë: "Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua kur dola nga Egjipti".

13:9 Dhe do të jetë për ty si një shenjë mbi dorën tënde dhe si një kujtim ndër sytë e tu, me qëllim që ligji i Zotit të jetë në gojën tënde; sepse Zoti të bëri të dalësh nga Egjipti me dorë të fuqishme.

13:10 Zbatoje pra këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.

13:11 Kur Zoti do të ketë bërë që të hysh në vendin e Kananejve, ashtu siç të është betuar ty dhe etërve të tu, dhe do të ta ketë dhënë atë,

13:12 do t`i shenjtërosh Zotit tërë ata që çelin barkun dhe çdo pjellje të parë të bagëtisë që ti zotëron: meshkujt do t`i takojnë Zotit.

13:13 Kështu do të shpengosh çdo pjellje të parë të gomarit me një qengj; por në qoftë se nuk dëshiron ta shpengosh, atëherë thyeja qafën; kështu do të shpengosh çdo të parëlindur të njeriut ndër bijtë e tu.

13:14 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë, duke thënë: "Çfarë do të thotë kjo?", ti do t`i përgjigjesh: "Zoti na bëri të dalim nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, me dorë të fuqishme;

13:15 dhe ndodhi që, kur Faraoni nguli këmbë të mos na linte të shkonim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, si të parëlindurit e njerëzve ashtu dhe të parëlindurit e kafshëve. Prandaj unë i bëj fli Zotit tërë meshkujt që çelin barkun, por shpengoj çdo të parëlindur të bijve të mi".

13:16 Kjo do të jetë si një shenjë mbi dorën tënde dhe një ballore midis syve të tu, sepse Zoti na bëri të dalim nga Egjipti me dorë të fuqishme".

Perëndia e udhëheq Izraelin me një kolone resh dhe një kolone zjarri

13:17 Kur Faraoni e la popullin të shkojë, Perëndia nuk e çoi nëpër rrugën e vendit të Filistejve, megjithëse kjo ishte më e shkurtëra, sepse Perëndia tha: "Që të mos pendohet populli, kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt".

13:18 Por Perëndia bëri që populli të vinte një herë përqark, nëpër rrugën e shkretëtirës, drejt Detit të Kuq. Dhe bijtë e Izraelit dolën të armatosur nga vendi i Egjiptit.

13:19 Dhe Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse i kishte vënë bijtë e Izraelit të betoheshin shprehimisht, duke thënë: "Me siguri Perëndia do t`ju vizitojë; atëhere i bartni me vete eshtrat e mia".

13:20 Kështu ata u nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, buzë shkretëtirës.

13:21 Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t`i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t`u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën.

13:22 Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.

[previous][next]