Eksodi 26

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Tabernakulli.Pëlhura prej liri dhe me lesh dhie

26:1 "Do të bësh pastaj tabernakullin me dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur, me fije ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, së bashku me kerubinë të punuar artistikisht.

26:2 Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë njëzet e tetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të gjitha pëlhurat do të kenë po atë masë.

26:3 Pesë pëlhura do të bashkohen midis tyre dhe pesë pëlhurat e tjera do të bashkohen gjithashtu midis tyre.

26:4 Do të bësh sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë; të njëjtën gjë do të bësh në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.

26:5 Do të bësh pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme: këto sythe do të korrespondojnë me njëri-tjetrin.

26:6 Dhe do të bësh pesëdhjetë kapëse ari dhe do t`i bashkosh pëlhurat njëra me tjetrën me anë të kapëseve, në mënyrë që tabernakulli të formojë një të tërë.

26:7 Do të bësh gjithashtu pëlhurë me lesh dhie, që të shërbejnë si çadër mbi tabernakullin: do të bësh njëmbëdhjetë pëlhura të tilla.

26:8 Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë tridhjetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të njëmbëdhjetë pëlhurat do të kenë të gjitha po atë masë.

26:9 Do të bashkosh pesë pëlhurat midis tyre, dhe gjashtë të tjerat midis tyre; do ta ripalosësh mbi vetveten pëlhurën e gjashtë në pjesën e përparme të çadrës.

26:10 Do të bësh gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë dhe pesëdhjetë sythe në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë të pëlhurave.

26:11 Do të bësh edhe pesëdhjetë kapëse prej bronzi dhe do t`i futësh kapëset në sythet, duke e bashkuar kështu çadrën në mënyrë që të formojnë një të tërë.

26:12 Nga pjesa që tepron nga pëlhurat e çadrës, gjysma e pëlhurës së tepërt do të bjerë mbi pjesën e poshtme të tabernakullit;

26:13 dhe kubiti nga një anë dhe kubiti nga ana tjetër që janë të tepërt në gjatësinë e pëlhurave të çadrës, do të bien mbi të dy anët e tabernakullit, njëri nga një krah dhe tjetri në krahun tjetër për ta mbuluar atë.

26:14 Do të bësh gjithashtu një mbulesë për çadrën me lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, dhe mbi këtë një tjetër mbulesë me lëkura baldose.

Dërrasat dhe bazat

26:15 Do të bësh për tabernakullin disa dërrasa prej druri të akacies, të vendosura më këmbë.

26:16 Gjatësia e një dërrase do të jetë dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubitë e gjysëm.

26:17 Çdo dërrasë do të ketë dy kllapa për të bashkuar një dërrasë me tjetrën; kështu do të veprosh për të gjitha dërrasat e tabernakullit.

26:18 Do të bësh kështu dërrasat e tabernakullit, njëzet dërrasa për anën jugore.

26:19 Do të vësh dyzet baza argjendi poshtë njëzet dërrasave: dy baza poshtë secilës dërrasë për të dy kllapat e veta.

26:20 Do të bësh edhe njëzet dërrasa për krahun e dytë të tabernakullit, për anën e tij veriore,

26:21 dhe dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë.

26:22 Për krahun e pasmë të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, do të bësh gjashtë dërrasa.

26:23 Do të bësh edhe dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit.

26:24 Ato do të çiftëzohen poshtë dhe do të bashkohen lart me një unazë. Kështu ka për të ndodhur me të dyja dërrasat, që ndodhen në të dy qoshet.

26:25 Do të ketë, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza poshtë çdo dërrase.

26:26 Do të bësh edhe disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërës anë të tabernakullit,

26:27 pesë traversa për dërrasat e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit.

26:28 Traversa qëndrore, në mes të dërrasave, do të kalojë nga njëra anë në tjetrën.

26:29 Do t`i veshësh me ar dërrasat dhe do t`i bësh prej ari unazat e tyre nëpër të cilat do të kalojnë traversat, dhe do t`i veshësh me ar traversat.

26:30 Do ta ngresh tabernakullin me trajtën e përpiktë që t`u tregua në mal.

Veli i brendshëm dhe perdja e jashtme

26:31 Do të bësh një vel me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe me li të hollë dhe të përdredhur, të stolisur me kerubinë të punuar artistikisht,

26:32 dhe do ta varësh në katër shtylla prej akacieje të veshura me ar, me grremçat e tyre të arta të vëna mbi baza argjendi.

26:33 Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh arkën e dëshmisë; veli do t`ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë.

26:34 Pastaj do ta vësh pajtuesin mbi arkën e dëshmisë në vendin shumë të shenjtë.

26:35 Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior.

26:36 Do të bësh gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, puna e një qëndistari.

26:37 Do të bësh gjithashtu pesë shtylla akacieje për perden dhe do t`i veshësh me ar; grremçat e tyre do të jenë prej ari dhe do të shkrish për to pesë baza prej bronzi".

[previous][next]