Eksodi 36

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


36:1 Tani Betsaleeli dhe Oholiabi si dhe të gjithë njerëzit e aftë, të cilët Zoti i ka pajisur me dituri dhe zgjuarsi për të kryer të gjitha punimet për shërbimin e shenjtërores, kanë për të vepruar sipas urdhrave të Zotit".

36:2 Moisiu thirri, pra, Betsaleelin dhe Oholiabin dhe të gjithë njerëzit e urtë nga zemra, të cilët shtyheshin nga zemra për t`i hyrë punës dhe për ta kryer atë.

36:3 Dhe ata morën nga Moisiu të gjitha ofertat e sjella nga bijtë e Izraelit për punimet për ndërtimin e shenjtërores dhe kryerjen e tyre. Por çdo mëngjes bijtë e Izraelit vazhdonin t`i sillnin Moisiut oferta vullnetare.

36:4 Atëherë të gjithë njerëzit e aftë që kryenin punime të çfarëdo lloji në shenjtërore, duke lënë secili punën që bënte, erdhën

36:5 dhe i folën Moisiut, duke thënë: "Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për të kryer punimet që Zoti ka urdhëruar të bëhen".

36:6 Atëherë Moisiu dha këtë urdhër që u shpall nëpër kamp, duke thënë: "Asnjë burrë dhe asnjë grua të mos bëjë më ndonjë ofertë për shenjtëroren". Kështue ndaluan popullin të sillte tjetër material.

36:7 Sepse materiali që kishin mjaftonte për të gjitha punimet që kishin për të bërë, madje tepronte.

Ndërtimi i tabernakullit

36:8 Tërë njerëzit e aftë, midis atyre që punonin për ndërtimin e tabernakullit, bënë dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur dhe me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe; ai i bëri me kerubinë të punuar artistikisht.

36:9 Çdo pëlhurë kishte një gjatësi dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të gjitha pëlhurat kishin të njëjtën masë.

36:10 Ai bashkoi pesë pëlhura, dhe bashkoi gjithashtu pesë pëlhurat e tjera.

36:11 Dhe bëri sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave; bëri të njëjtën gjë në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.

36:12 Ai bëri pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë; sythet korrespondonin njëri me tjetrin.

36:13 Dhe bëri edhe pesëdhjetë kapëse ari dhe bashkoi pëlhurat njërën me tjetrën me anë të kapëseve; kështu tabernakulli përbënte një të tërë.

36:14 Ai bëri gjithashtu pëlhura me leshin e dhive, që të shërbenin si çadra mbi tabernakullin; ai bëri njëmbëdhjetë nga këto pëlhura.

36:15 Çdo pëlhurë kishte një gjatësi prej tridhjetë kubitësh, dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtën masë.

36:16 Ai bashkoi pesë pëlhura nga njëra anë dhe gjashtë pëlhura nga ana tjetër.

36:17 Bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e perdes së jashtme të serisë së dytë.

36:18 Dhe bëri pesëdhjetë kapëse prej bronzi për ta bashkuar çadrën, me qëllim që të përbënte një të tërë.

36:19 Bëri gjithashtu për çadrën një mbulesë me lëkura dashi të ngjyera me të kuq, dhe mbi të një mbulesë me lëkura baldosash.

36:20 Pastaj bëri për tabernakullin dërrasat prej druri të akacies, të vendosura më këmbë.

36:21 Gjatësia e një dërrase ishte dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubit e gjysmë.

36:22 Çdo dërrasë kishte dy kllapa për të bashkuar njërën dërrasë me tjetrën; kështu ai veproi për të gjitha dërrasat e tabernakullit.

36:23 Pastaj ai bëri dërrasat për tabernakullin: njëzet dërrasa për krahun jugor;

36:24 dhe bëri dyzet baza prej argjendi nën njëzet dërrasat: dy baza poshtë çdo dërrase për të dy kllapat e veta.

36:25 Dhe për anën e dytë të tabernakullit, anën veriore, ai bëri njëzet dërrasa,

36:26 me dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë.

36:27 Për pjesën e pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, ai bëri gjashtë dërrasa.

36:28 Bëri gjithashtu dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit.

36:29 Këto çiftoheshin poshtë dhe ishin bashkuar lart me një unazë. Kështu veproi për të dy dërrasat, që ndodheshin në të dy qoshet.

36:30 Kishte, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza nën çdo dërrasë.

36:31 Bëri gjithashtu disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërit krah të tabernakullit,

36:32 pesë traversa për dërrasat e krahut tjetër të tabernakullit, dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në perëndim.

36:33 Pastaj bëri që traversa e qendrës të kalonte në mes të dërrasave, nga njëra anë në tjetrën.

36:34 I veshi pastaj dërrasat me ar dhe i bëri prej ari unazat e tyre nga do të kalonin traversat, dhe i veshi me ar traversat.

36:35 Bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur me kerubinë të punuar artistikisht;

36:36 Bëri për të katër shtylla prej druri të akacies me grremçat e tyre prej ari; dhe shkriu për shtyllat katër baza prej argjendi.

36:37 Dhe bëri për hyrjen e çadrës një perde prej filli ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe prej liri të hollë të përdredhur, shkurt puna e një qëndistari.

36:38 Bëri gjithashtu pesë shtyllat e saj së bashku me grremçat e tyre i veshi me ar kapitelet dhe dërrasat e tyre; por pesë bazat e tyre ishin prej bronzi.

[previous][next]