Eksodi 40

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ngritja e tabernakullit

40:1 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë:

40:2 "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes.

40:3 Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel.

40:4 Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.

40:5 Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit.

40:6 Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes.

40:7 Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të.

40:8 Do t`i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit.

40:9 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë.

40:10 Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë.

40:11 Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.

40:12 Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t`i lash me ujë.

40:13 Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.

40:14 Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t`i veshësh me tunika,

40:15 do t`i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t`u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".

40:16 Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.

40:17 Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.

40:18 Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.

40:19 Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:20 Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;

40:21 e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:22 Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.

40:23 Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:24 Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;

40:25 dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:26 Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,

40:27 dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:28 Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.

40:29 Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:30 Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t`u larë.

40:31 Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët;

40:32 kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

40:33 Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.

Lavdia e Zotit mbush tabernakullin

40:34 Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin.

40:35 Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin.

40:36 Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin;

40:37 por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej.

40:38 Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?

[previous][next]