BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Drejtësia prej besimit. Ligji dhe premtimi
3:1 O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?
3:2 Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?
3:3 A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?
3:4 A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?
3:5 Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?
3:6 Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi“;
3:7 Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.
3:8 Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t`i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty“.
3:9 Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.
3:10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t`i praktikuar“.
3:11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit“.
3:12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t`i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre“.
3:13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru“),
3:14 që bekimi i Abrahamit t`u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.
3:15 O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.
3:16 Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve“ si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate“, pra Krishti.
3:17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.
3:18 Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.
3:19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.
3:20 Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.
3:21 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
3:22 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t`u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.
3:23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
3:24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
3:25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
3:26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
3:27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
3:28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
3:29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.