Galatasve 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


4:1 Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

4:2 por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

4:3 Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

4:4 por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

4:5 që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

4:6 Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!“.

4:7 Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

4:8 Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

4:9 kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t`u nënshtroheni?

4:10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

4:11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

4:12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s`më keni bërë asnjë të keqe.

4:13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

4:14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s`patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

4:15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m`i jepnit mua.

4:16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

4:17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t`ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.

4:18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.

4:19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!

4:20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.

Sara dhe Agari: alegoria e dy besëlidhjeve

4:21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

4:22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.

4:23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.

4:24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.

4:25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.

4:26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

4:27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin“.

4:28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.

4:29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

4:30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës“.

4:31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.