Galatasve 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Thirrje për të ruajtur lirinë e krishterë

5:1 Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

5:2 Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t`ju bëjë dobi aspak.

5:3 Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin.

5:4 Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri.

5:5 Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë,

5:6 sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s`kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.

5:7 Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?

5:8 Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.

5:9 Pak maja e bën të vijë gjithë brumin.

5:10 Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin.

5:11 Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë.

5:12 Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë!

5:13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t`i shërbeni njëri-tjetrit.

5:14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!“.

5:15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

Veprat e mishit dhe fryti i Frymës

5:16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

5:17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

5:18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

5:19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

5:20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

5:21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

5:22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

5:23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

5:24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

5:25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

5:26 Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.