Galatasve 6

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Këshillat e fundit dhe përshëndetjet

6:1 Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti.

6:2 Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

6:3 Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet.

6:4 Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.

6:5 Sepse secili do të mbajë barrën e vet.

6:6 Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson.

6:7 Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç`të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

6:8 Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.

6:9 Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.

6:10 Prandaj, sa të kemi rast, le t`u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.

6:11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!

6:12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.

6:13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.

6:14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.

6:15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s`kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.

6:16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.

6:17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.

6:18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.

[previous][next]