Hebrenjve 7

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Priftërimi i Melkisedekut, tip priftërimi të amshueshëm të Krishtit

7:1 Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi;

7:2 dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari "mbreti i drejtësisë", dhe pastaj edhe "mbreti i Salemit", domethënë "mbreti i paqes".

7:3 Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

7:4 Merrni me mend, pra, sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami i dha të dhjetën e plaçkës.

7:5 Edhe ata nga bijtë e Levit që marrin priftërinë kanë porosi sipas ligjit të marrin të dhjetën nga populli, pra, nga vëllezërit e tyre, megjithse edhe ata kanë dalë nga mesi i Abrahamit;

7:6 ndërsa ky, Melkisedeku, ndonëse nuk e kishte gjenealogjinë prej atyre, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte premtimet.

7:7 Dhe s`ka kundërshtim se më i vogli bekohet nga më i madhi.

7:8 Veç kësaj ata që i marrin të dhjetat janë njerëzit që vdesin, kurse atje i merr ai për të cilin dëshmohet se rron.

7:9 Dhe, që të them kështu, vetë Levi, që merr të dhjetat, dha të dhjeta te Abrahami,

7:10 sepse ishte ende në mesin e t`et, kur Melkisedeku i doli përpara.

7:11 Sepse, po të ishte përkryerja me anë të priftërisë levitike (sepse populli e mori ligji nën atë), ç`nevojë kishte të dilte një prift tjetër sipas rendit të Melkisedekut dhe të mos caktohet sipas rendit të Aaronit?

7:12 Sepse, po të ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe ligji.

7:13 Sepse ai për të cilin bëhet fjalë i përket një fisi tjetër, prej të cilit askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë altarit;

7:14 sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë.

7:15 Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut,

7:16 që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme.

7:17 Sepse Shkrimi dëshmon: “Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut“.

7:18 Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,

7:19 sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.

7:20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,

7:21 (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut“).

7:22 Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.

7:23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë,

7:24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,

7:25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

7:26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,

7:27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.

7:28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.