BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Territori që iu dha Judës
15:1 Pjesa që iu dha me short fisit të bijve të Judës, simbas familjeve të tyre, shtrihej deri në kufirin e Edomit, në shkretëtirën e Tsinit, në skajin jugor.
15:2 Kufiri i tyre jugor fillonte në skajin e Detit të Kripur, nga kepi që drejtohet në jug,
15:3 dhe zgjatej në jug në drejtim të të përpjetës së Akrabimit, kalonte nëpër Tsin, pastaj ngjitej në drejtim të Adarit dhe kthente nga ana e Karkaas;
15:4 kalonte pastaj nga Atsmoni dhe vazhdonte deri në përruan e Egjiptit, dhe mbaronte në det. “Ky do të jetë”, tha Jozueu, “kufiri juaj në jug”.
15:5 Kufiri në lindje ishte Deti i Kripur deri në grykëderdhjen e Jordanit. Kufiri verior fillonte me mëngën e detit pranë grykëderdhjes së Jordanit;
15:6 pastaj kufiri ngjitej në drejtim të Beth-Oglahut, kalonte në veri të Beth-Arabahut dhe ngjitej deri në gurin e Bohanit, birit të Rubenit.
15:7 Pastaj nga Lugina e Akorit kufiri ngjitej në Debir, kthehej prapa në veri në drejtim të Gilgalit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumumit, në jug të luginës; pastaj kufiri kalonte në ujërat e En-Shemeshit dhe mbaronte në En-Roguel.
15:8 Kufiri pas kësaj ngjitej nëpër luginën e birit të Hinonit deri te shpatet jugore të qytetit të Jebusejve (që është Jeruzalemi). Pastaj kufiri ngjitej deri në majën e malit që ndodhet përballë luginës së Hinomit në perëndim, që mbetet në skajin e luginës të Refaimit në veri.
15:9 Nga maja e malit kufiri shtrihej deri në burimin e ujërave të Neftoahut, vazhdonte në drejtim të qyteteve të malit Efron dhe pastaj kthente deri në Baalah, që është Kirjath-Jearimi.
15:10 Nga Baalahu kufiri kthente pastaj në perëndim të malit Seir, kalonte mbi faqen veriore të malit Jearim (që është Kesaloni), zbriste në Beth-Shemesh dhe kalonte nëpër Timah.
15:11 Pastaj kufiri arrinte anën veriore të Ekronit, kthente nga Shikroni, kalonte nëpër malin e Baalahut, shtrihej deri në Jabneel dhe mbaronte në det.
15:12 Kufiri në perëndim ishte Deti i Madh. Këta ishin rreth e qark kufijtë e bijve të Judës simbas familjeve të tyre.
15:13 Kalebit, birit të Jefunehut, Jozueu i dha një pjesë në mes të bijve të Judës, ashtu siç e kishte porositur Zoti; Kirjath-Arba, që është Hebroni (Arba ishte ati i Anakut).
15:14 Dhe Kalebi dëboi që andej tre djemtë e Anakut, Sheshain, Ahimanin dhe Talmain, pasardhës të Anakut;
15:15 Që këtej ai u ngrit kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).
15:16 Dhe Kalebi tha: “Atij që do të sulmojë Kirjath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t`i jap për grua vajzën time Aksah”.
15:17 Atëherë Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i Kalebit, e shtiu në dorë, dhe Kalebi i dha për grua bijën e tij Aksah.
15:18 Kur ajo erdhi të banojë me të, i mbushi mendjen Othnielit t`i kërkonte atit të saj një fushë. Atëherë ajo zbriti nga gomari dhe Kalebi i tha: “Çfarë do?”.
15:19 Ajo iu përgjigj: “Më bëj një dhuratë; mbasi më ke dhënë tokë në Negev, më jep edhe burime ujore”. Kështu ai i dhuroi burimet e sipërme dhe burimet e poshtme.
15:20 Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Judës, simbas familjeve të tyre;
15:21 qytetet e vendosura në skajin e fisit të bijve të Judës, në drejtim të kufirit të Edomit, në Negev ishin: Kabtseeli, Ederi dhe Jaguri,
15:22 Kinahu, Dimonahu, Adadahu,
15:23 Kadeshi, Hatsori, Ithnami,
15:24 Zifi, Telemi, Bealothi,
15:25 Hatsor-Hadattahu, Kerioth-Hetsroni (domethënë në Hatsori),
15:26 Amami, Shema, Moladahu,
15:27 Hatsar-Gadahu, Heshmoni, Beth-Peleti,
15:28 Hatsar-Shuali, Beer-Sheba, Bizjothjahu,
15:29 Baala, Ijimi, Etsemi,
15:30 Eltoladi, Kesili, Hormahu,
15:31 Tsiklagu, Madmanahu, Sansanahu,
15:32 Lebaothi, Shilhimi, Aini, Rimoni; gjithsej njëzet e nëntë qytete me fshatrat e tyre.
15:33 Në ultësirë: Eshaoli, Tsoreahu, Ashnahu,
15:34 Zanoahu, En-Ganimi, Tapuahu, Enami;
15:35 Jarmuthi, Adulami, Sosohu, Azekahu,
15:36 Shaaraimi, Adithaimi, Gederahu dhe Gederothaimi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
15:37 Tsenani, Hadashahu, Migdal-Gadi,
15:38 Dileani, Mitspahu, Joktheeli,
15:39 Lakishi, Bokskathi, Egloni,
15:40 Kaboni, Lahmasi, Kitlishi,
15:41 Gederothi, Beth-Dagoni, Naamahu dhe Makedahu; gjashtëmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
15:42 Libnahu, Etheri, Ashani;
15:43 Jiftahu, Ashna, Netsibi;
15:44 Kejlahu, Akzibi dhe Mareshahu: nëntë qytete me fshatrat e tyre;
15:45 Ekroni me qytetet dhe fshatrat e tij;
15:46 nga Ekroni deri në det, çdo gjë që ishte afër Ashdotit me fshatrat e tyre;
15:47 Ashdoti me gjithë qytetet dhe fshatrat e tij; Gaza me qytetet dhe fshatrat e tij deri në përroin e Egjiptit dhe në detin e Madh me bregun e tij.
15:48 Në zonën malore: Shanoiri, Jatiri dhe Sokohu,
15:49 Danahu, Kirjath-Sanahu, domethënë Debiri,
15:50 Anabi, Esthemothi, Animi,
15:51 Gosheni, Holoni dhe Gilohu: njëmbëdhjetë qytete bashkë me fshatrat e tyre;
15:52 Arabi, Dumahu, Esheani,
15:53 Janumi, Beth-Tapuahu, Afekahu,
15:54 Humtahu, Kirjath-Arba (domethënë Hebroni) dhe Tsiori: nëntë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
15:55 Maoni, Karmeli, Zifi dhe Jutahu,
15:56 Jizreeli, Jokdeami, Zanoahu,
15:57 Kaini, Gibeahu dhe Timnahu: dhjetë qytete me fshatrat e tyre;
15:58 Halhuli, Beth-Tsuri, Gedori,
15:59 Maarathi, Beth-Anothi dhe Eltekoni: gjashtë qytete me fshatrat e tyre;
15:60 Kirjath-Baal (domethënë Kirjath-Jearimi) dhe Rabahu: dy qytete bashkë me fshatrat e tyre.
15:61 Në shkretëtirë: Beth-Arabahu, Midini, Sekakahu,
15:62 Nibshani, qyteti i kripës dhe Engedi: gjashtë qytete me fshatrat e tyre.
15:63 Përsa u përket Jebusejve që banonin në Jeruzalem, bijtë e Judës nuk mundën t`i dëbojnë; kështu që Jebusejtë kanë banuar në Jeruzalem bashkë me bijtë e Judës deri në ditën e sotme.