Jozueu 4

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Dymbëdhjetë gurët përkujtimorë të ngritura në Gilgal

4:1 Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:

4:2 “Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,

4:3 dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: “Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte””.

4:4 Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,

4:5 dhe u tha atyre: “Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,

4:6 me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t`ju pyesin, duke thënë: “Ç`janë për ju këta gurë?”,

4:7 ju do t`u përgjigjeni kështu: “Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë””.

4:8 Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty.

4:9 Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.

4:10 Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit deri sa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t`i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar

4:11 Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.

4:12 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.

4:13 Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.

4:14 Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.

4:15 Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:

4:16 “Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani”.

4:17 Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: “Dilni nga Jordani”.

4:18 Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.

4:19 Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.

4:20 Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal.

4:21 Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: “Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t`i pyesin etërit e tyre duke thënë: “Ç`janë këta gurë?”,

4:22 ju do t`ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: “Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë,

4:23 sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush deri sa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh deri sa të kalonim,

4:24 me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj””. i Pashkës.