BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Dyzet e tetë qytetet që iu dhanë Levitëve
21:1 Kryetarët e familjeve të Levitëve u paraqitën para priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryetarëve të familjeve të fiseve të bijve të Izraelit,
21:2 dhe u folën në Shilon, në vendin e Kanaanit, duke u thënë: “Zoti urdhëroi, me anë të Moisiut, që të na jepeshin disa qytete për të banuar me kullota për bagëtinë tonë”.
21:3 Kështu bijtë e Izraelit u dhanë Levitëve, duke i marrë nga trashëgimia e tyre, qytetet që vijojnë bashkë me toka për kullotë, simbas urdhrit të Zotit.
21:4 U hodh shorti për familjet e Kehathitëve; dhe bijve të priftit Aaron, që ishin Levitë, u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Judës, nga fisi i Simeonit dhe nga fisi i Beniaminit.
21:5 Bijve të tjerë të Kehathit u ranë në short dhjetë qytete nga familjet e fisit të Efraimit, nga fisi i Danit dhe nga gjysma e fisit të Manasit.
21:6 Bijve të Gershonit u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Isakarit, nga fisi i Neftalit dhe nga gjysmë fisi i Manasit në Bashan.
21:7 Bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre, u ranë dymbëdhjetë qytete nga fisi i Rubenit, nga fisi i Gadit dhe nga fisi i Zabulonit.
21:8 Bijtë e Izraelit ua dhanë, pra, me short këto qytete me gjithë kullotat e tyre Levitëve, ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.
21:9 Kështu ata dhanë, duke i marrë nga fisi i bijve të Judës dhe nga fisi i bijve të Simeonit, qytetet e përmendura këtu,
21:10 që ranë në dorë të bijve të Aaronit që u përkisnin familjeve të Kehathitëve, bij të Levit, sepse hiseja e parë që u hodh me short u ra atyre.
21:11 Ata morën, pra, Kirjath-Arbën, domethënë Hebronin (Arba ishte ati i Anakut), në krahinën malore të Judës, me tokat e saj për kullotë rreth e qark;
21:12 por territorin e qytetit dhe fshatrat e tij ia dhanë Tsalebit, birit të Jenufehut, si pronë të tij.
21:13 Përveç kësaj u dhanë bijve të priftit Aaron Hebronin (si qytet strehimi për vrasësin) me të gjitha tokat për kullotë, Libnahun me tokat për kullotë,
21:14 Jatirin me tokat për kullotë, Eshtemoan me tokat për kullotë,
21:15 Holonin me tokat për kullotë, Debirin me tokat për kullotë,
21:16 Ainin me tokat e tij për kullotë, Jutahun me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Shemeshin me tokat e tij për kullotë: nëntë qytete që u morën nga këto dy fise.
21:17 Nga fisi i Beniaminit, Gabaonin me tokat e tij për kullotë, Gebën me tokat e tij për kullotë,
21:18 Anatothin me tokat e tij për kullotë dhe Almonin me tokat e tij për kullotë: katër qytete.
21:19 Shuma e qyteteve të priftërinjve, bij të Aaronit, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.
21:20 Familjeve të bijve të Kehathëve, domethënë Levitëve që mbeteshin, bij të Kehathit, u ranë qytete që u morën nga fisi i Efraimit.
21:21 Atyre iu dha Sikemi (si qytet për strehimin e vrasësit) me gjithë tokat për kullotë në krahinën malore të Efraimit, Gezeri me gjithë tokat për kullotë,
21:22 Kibtsaimi me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Horoni me tokat e tij për kullotë: katër qytete.
21:23 Nga fisi i Danit: Eltekehu me tokat për kullotë, Gibethoni me gjithë tokat për kullotë,
21:24 Aijaloni me gjithë tokat për kullotë, Gath-Rimoni me gjithë tokat për kullotë: katër qytete.
21:25 Nga gjysma e fisit të Manasit: Taanaku me tokat e tij për kullotë, Gath-Rimoni me tokat e tij për kullotë: dy qytete.
21:26 Të gjitha këto dhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë u ranë familjeve të bijve të tjerë të Kehathit.
21:27 Bijve të Gershonit, që u përkisnin familjeve të Levitëve, u dhanë, duke i marrë nga gjysma e fisit të Manasit, Golanin në Bashan (si qytet për strehimin e vrasësit), me gjithë tokat për kullotë, dhe Beeshterahun me tokat e tij për kullotë: dy qytete;
21:28 nga fisi i Isakarit, Kishionin me tokat e tij për kullotë, Daberathin me tokat e tij për kullotë,
21:29 Jarmuthin me tokat e tij për kullotë, En-Ganimin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
21:30 nga fisi i Asherit, Mishalin me tokat e tij për kullotë, Abdonin me tokat e tij për kullotë,
21:31 Helkathin me tokat e tij për kullotë dhe Rehobin, me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
21:32 dhe nga fisi i Neftalit, Kadeshin në Galile (si qytet strehimi për vrasësin), me gjithë tokat e tij për kullotë, Hamoth-Dorin me tokat e tij për kullotë, dhe Kartanin me tokat e tij për kullotë; tri qytete.
21:33 Shuma e qyteteve të Gershonitëve, simbas familjeve të tyre, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.
21:34 Familjeve të bijve të Merarit, domethënë Levitëve të tjerë, iu dhanë, duke i marrë nga fisi i Zabulonit, Jokneamin me tokat e tij për kullotë, Kartahin me tokat e tij për kullotë,
21:35 Dimnahun me tokat e tij për kullotë dhe Nahalalin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
21:36 nga fisi i Rubenit, Betserin me tokat e tij për kullotë, Jatsahun me tokat e tij për kullotë,
21:37 Kedmothin me tokat e tij për kullotë dhe Mefaathin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
21:38 dhe nga fisi i Gadit, Ramothin në Galaad (si qytet strehimi për vrasësin), me tokat e tij për kullotë, Mahanaimin me tokat e tij për kullotë,
21:39 Heshbonin me tokat e tij për kullotë dhe Jazerin me tokat e tij për kullotë: gjithsejt katër qytete.
21:40 Shuma e qyteteve që iu dhanë me short bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre që përbënin familjet e Levitëve të tjerë, ishin dymbëdhjetë qytete.
21:41 Shuma e qyteteve të Levitëve në mes të zotërimeve të bijve të Izraelit ishte dyzet qytete me tokat e tyre për kullotë.
21:42 Secili nga këto qytete kishte rreth e qark toka për kullotë; e njëjta gjë ishte në çdo qytet.
21:43 Kështu Zoti i dha Izraelit tërë vendin që ishte betuar t`ua jepte etërve të tyre, dhe bijtë e Izraelit e pushtuan dhe banuan në të.
21:44 Zoti u siguroi pushim rreth e qark, siç u ishte betuar etërve të tyre; asnjë nga armiqtë e tyre nuk mundi t`u bëjë ballë; Zoti i dorëzoi tërë armiqtë në duart e tyre.
21:45 Nuk ra për tokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan.