Mateu 18

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Më i madhi në mbretërinë e qiejve

18:1 Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?“.

18:2 Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre

18:3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

18:4 Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.

18:5 Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.

18:6 Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t`i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.

18:7 Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!

18:8 Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.

18:9 Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t`i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.

18:10 Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.

18:11 Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.

18:12 Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t`i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?

18:13 Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.

18:14 Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë“.

Falja; shëmbëlltyra e huadhënësit të pamëshirshëm

18:15 “Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;

18:16 por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.

18:17 Në se pastaj refuzon t`i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.

18:18 Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.

18:19 Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t`u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.

18:20 Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre“.

18:21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?“.

18:22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.

18:23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

18:24 Mbasi filloi t`i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.

18:25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç`kishte, dhe të shlyejë detyrimin.

18:26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t`i paguaj të gjitha".

18:27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.

18:28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".

18:29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t`i paguaj të gjitha".

18:30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.

18:31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.

18:32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m`u lute.

18:33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".

18:34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.

18:35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij“.

[previous][next]