Mateu 26

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Komploti i priftërinjve

26:1 Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:

26:2 “Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t`u kryqëzuar“.

26:3 Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.

26:4 Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;

26:5 por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull“.

Gostia e Betanias

26:6 Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,

26:7 iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.

26:8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: “Përse gjithë ky shpenzim i kotë?

26:9 Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t`u jepeshin të varfërve“.

26:10 Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: “Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.

26:11 Sepse të varfërit do t`i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.

26:12 Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.

26:13 Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj“.

Çmimi i tradhtisë

26:14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,

26:15 dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t`jua dorëzoj?“. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.

26:16 Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

Darka e Pashkës

26:17 Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?“.

26:18 Dhe ai u përgjigj: “Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"“.

26:19 Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.

26:20 Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;

26:21 dhe, ndërsa po hanin, tha: “Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë“.

26:22 Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: “Mos jam unë; Zot?“.

26:23 Dhe ai duke u përgjigjur, tha: “Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.

26:24 Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë“.

26:25 Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: “Rabbi, mos jam unë ai?“. Ai i tha: “Ti po thua!“.

26:26 Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im“.

26:27 Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë,

26:28 sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.

26:29 Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim“.

26:30 Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.

Paralajmërohet Pjetri

26:31 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".

26:32 Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile“.

26:33 Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!“.

26:34 Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë“.

26:35 Pjetri i tha: “Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi“. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.

Jezusi në Gjetsemani

26:36 Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: “Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem“.

26:37 Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.

26:38 Atëherë ai u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua“.

26:39 Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti“.

26:40 Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: “Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?

26:41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët“.

26:42 U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: “Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!“.

26:43 Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.

26:44 Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.

26:45 Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: “Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.

26:46 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër“.

Arrestimi i Jezusit

26:47 Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.

26:48 Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: “Atë që unë do të puth, ai është; kapeni“.

26:49 Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: “Tungjatjeta, Mësues!“. Dhe e puthi përzemërsisht.

26:50 Dhe Jezusi i tha: “Mik, çfarë ke ardhur të bësh?“. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.

26:51 Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

26:52 Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.

26:53 A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t`i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

26:54 Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?“.

26:55 Në atë moment Jezusi u tha turmave: “Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.

26:56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve“. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.

Jezusi përpara Sinedrit

26:57 Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

26:58 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.

26:59 Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,

26:60 por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,

26:61 të cilët thanë: “Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"“.

26:62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?“.

26:63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë“.

26:64 Jezusi i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit“.

26:65 Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: “Ai blasfemoi; ç`na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.

26:66 Si ju duket juve?“. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: “Ai është fajtor për vdekje!“.

26:67 Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,

26:68 duke thënë: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?“.

Pjetri mohon Jezusin

26:69 Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: “Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin“.

26:70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: “Nuk di ç`po thua!“.

26:71 Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: “Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!“.

26:72 Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri“.

26:73 Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: “Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!“.

26:74 Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri“. Dhe në atë çast këndoi gjeli.

26:75 Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë“. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.