Mateu 7

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Predikimi në mal (fund): Gjykimet e nxituara, gjërat e shenjta që u jepen qenëve, këmbëngulja në lutje, dera e ngushtë, profetët e rremë, dëgjo dhe bëj

7:1 “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

7:2 Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t`ju masin të tjerët.

7:3 Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?

7:4 Ose, si mund t`i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri", kur ke një tra në syrin tënd?

7:5 O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.

7:6 Mos u jepni qenve ç`është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t`ju shqyejnë.

7:7 Lypni dhe do t`ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t`ju çelet.

7:8 Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t`i çelet atij që troket.

7:9 A ka midis jush ndonjë njeri që, po t`i kërkojë i biri bukë, t`i japë një gur?

7:10 Ose po t`i kërkojë një peshk, t`i japë një gjarpër?

7:11 Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t`u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t`u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

7:12 Gjithçka, pra, që ju dëshironi t`ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.

7:13 Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

7:14 Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

7:15 Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

7:16 Ju do t`i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

7:17 Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

7:18 Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

7:19 Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

7:20 Ju, pra, do t`i njihni profetët nga frytet e tyre.

7:21 Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

7:22 Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

7:23 Dhe atëherë unë do t`u sqaroj atyre: "Unë s`ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

7:24 Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

7:25 Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

7:26 Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

7:27 Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh“.

7:28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,

7:29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.