Mateu 28

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ringjallja

28:1 Tani në fund të së shtunave, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria Magdalena dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin.

28:2 Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.

28:3 Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora.

28:4 Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur;

28:5 por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: “Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.

28:6 Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.

28:7 Shkoni shpejt t`u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë“.

28:8 Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.

28:9 Dhe, ndërsa po shkonin për t`u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: “Tungjatjeta!“. Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.

28:10 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin“.

Raportimi i rremë i ushtarëve

28:11 Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.

28:12 Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t`u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,

28:13 duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.

28:14 Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak“.

28:15 Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.

Shfaqja e Jezusit në Galile

28:16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi

28:17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.

28:18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

28:19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

28:20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen“.

[previous][next]