Mateu 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Gjon Pagëzori

3:1 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,

3:2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!“

3:3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"“.

3:4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.

3:5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,

3:6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.

3:7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t`u pagëzuar tek ai, u tha atyre: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t`i arratiseni zemërimit që po vjen?

3:8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!

3:9 Dhe mos t`ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.

3:10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.

3:11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t`ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.

3:12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm“.

Pagëzimi i Jezusit

3:13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t`u pagëzuar prej tij.

3:14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?“.

3:15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi“. Atëherë ai e lejoi.

3:16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;

3:17 dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur“.

[previous][next]