Mateu 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Tundimi i Jezusit

4:1 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.

4:2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.

4:3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë“.

4:4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"“.

4:5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit

4:6 dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t`u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"“.

4:7 Jezusi i tha: “Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"“.

4:8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,

4:9 dhe i tha: “Unë do të t`i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron“.

4:10 Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"“.

4:11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

Jezusi në Galile; dishepujt e parë

4:12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.

4:13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,

4:14 që të përmbushej ç`ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:

4:15 “Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,

4:16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita“.

4:17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!“.

4:18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

4:19 dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t`ju bëj peshkatarë njerëzish“.

4:20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

4:21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.

4:22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.

4:23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.

4:24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.

4:25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.

[previous][next]