Mateu 8

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shërimi i një lebrozi

8:1 Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.

8:2 Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh“.

8:3 Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, unë dua, shërohu“. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.

8:4 Atëherë Jezusi i tha: “Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta“.

Centurioni i Kapernaumit

8:5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,

8:6 dhe duke thënë: “O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë“.

8:7 Dhe Jezusi i tha: “Do të vij dhe do ta shëroj“.

8:8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

8:9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t`i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t`i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t`i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën“.

8:10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.

8:11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,

8:12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve“.

8:13 Dhe Jezusi i tha centurionit: “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!“. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

Vjehrra e Pjetrit

8:14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.

8:15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t`u shërbejë.

8:16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,

8:17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona“.

të shkuarit pas Jezusit

8:18 Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.

8:19 Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: “Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh“.

8:20 Dhe Jezusi i tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën“.

8:21 Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: “O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim“.

8:22 Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet“.

Jezusi fashit stuhinë

8:23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

8:24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

8:25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!“

8:26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?“. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

8:27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?“.

Të idemonizuarit Gergesenas

8:28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

8:29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç`është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?“.

8:30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.

8:31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash“.

8:32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!“. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.

8:33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.

8:34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.

[previous][next]