BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Paralitiku i Kapernaumit
9:1 Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.
9:2 Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: “Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!“
9:3 Atëherë disa skribë thanë me vete: “Ky po blasfemon!“.
9:4 Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: “Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
9:5 Në fakt, ç`është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"?
9:6 Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde“.
9:7 Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
9:8 Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.
Thirrja e Mateut
9:9 Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: “Ndiqmë!“. Dhe ai u çua dhe e ndoqi.
9:10 Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.
9:11 Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: “Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?“.
9:12 Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
9:13 Tani shkoni dhe mësoni ç`do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët“.
Mbi agjërimin
9:14 Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: “Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?“.
9:15 Dhe Jezusi u tha atyre: “A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t`ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.
9:16 Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.
9:17 Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy“.
Gruaja me fluks gjaku; bija e Jairos
9:18 Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: “Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë“.
9:19 Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.
9:20 Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.
9:21 Sepse thoshte me vete: “Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem“.
9:22 Jezusi u kthye, e pa dhe tha: “Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar“. Dhe që në atë çast gruaja u shërua.
9:23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,
9:24 u tha atyre: “Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle“. Dhe ata e përqeshnin.
9:25 Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.
9:26 Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.
Dy të verbër dhe një memec i idemonizuar shërohen
9:27 Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!“.
9:28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: “A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?“. Ata iu përgjigjën: “Po, o Zot“.
9:29 Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj“.
9:30 Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: “Ruhuni se mos e merr vesh njeri“.
9:31 Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.
9:32 Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.
9:33 Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: “Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael“.
9:34 Por farisenjtë thonin: “Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!“.
E korra dhe punëtorët
9:35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
9:36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.
9:37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.
9:38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij“.