Për ata që e shohin teologjinë thelbësisht si recitimi i veprave shpëtuese të Perëndisë, Eksodi 1-15 jep shembullin më të lartë, rreth të cilit mund të përmblidhet pjesa tjetër e mësimeve biblike. Për ata që e shohin Dhiatën e Vjetër si fryti i jetës adhuruese të bashkësisë, në qendër të librit të Eksodit qëndron historia e caktimit të pashkës, festa më e madhe dhe më karakteristike ndër të gjitha festat izraelite…. Për ata që e shohin tôrân e Perëndisë, ligjin e Tij, si qendror për jetën dhe mënyrën e të menduarit të Izraelit të mëvonshëm, Eksodi përfshin dhënien e ligjit dhe përmban bërthamën e ligjit në formën e dhjetë urdhërimeve.
R. Alan Cole
I. Vendi unik në Kanun
Eksodi (dalje në greqisht) vazhdon historinë e izraelitëve pas vdekjes së Jozefit. Themelet e fesë judaike me anë të Pashkës kanë rrënjët në arratisjen e Izraelit nga katër shekuj skllavërie në Egjipt – por vetëm pasi faraoni kryeneç sfidoi Perëndinë e hebrenjve dhe iu desh të vuante dhjetë plagë vdekjeprurëse mbi kombin e tij, që është figura biblike e botës.
Historia e kalimit të Detit të Kuq, shumë mrekulli të tjera të çuditshme, dhënia e ligjit në Malin Sinai dhe udhëzimet e hollësishme për tabernakullin plotësojnë këtë libër të mrekullueshëm.
II. Autorësia
Ne mbështesim pikëpamjen judaike dhe të krishterë se Libri i Dytë i Moisiut, ashtu si pjesa tjetër e Pentateukut, është shkruar nga Moisiu. Si mbrojtje të këtij mendimi shikoni Hyrjen te Pentateuku.
III. Data
Studiuesit biblikë kanë caktuar datën e Daljes nga Egjipti jo më herët se viti 1580 pK dhe jo më vonë se viti 1230 pK. 1 i Mbreterve 6:1 thotë se Eksodi ndodhi 480 vjet para se Salomoni të ndërtonte tempullin. Meqë kjo ndodhi rreth vitit 960 para K., Eksodi do t’i takonte vitit 1440 para K., data më e afërt. Shumë studiues mendojnë se arkeologjia përkrah më fort një datë më të vonë (rreth vitit 1290 para K.), por gjetje të tjera arkeologjike duket se përkrahin datën më të hershme. Ne nuk mund të jemi të sigurt për datën e saktë, sigurisht, por duke marrë në konsideratë gjithë informacion së bashku, datën e hershme të 1440-ës për eksodin nga Egjipti dhe datën e mëvonshme për Librin e Eksodit, duket më e mira.
IV. Sfondi dhe tema
Ndërsa Eksodi hapet, gjejmë izraelitët në Egjipt ku i lamë në fund të Zanafillës. Por sfondi ka ndryshuar plotësisht. Jemi katër shekuj më vonë; hebrenjtë, që një herë e një kohë ishin të favorizuar, tashmë janë skllevër, duke bërë tulla për programet e mëdha të ndërtimit të faraonit.
Temat e Eksodit janë shpengimi dhe themelimi i kombit të Izraelit. Për mbi 3400 vjet judenjtë e tërë botës kanë kremtuar këtë ndodhi – largimin nga Egjipti me anë të fuqisë së gjakut dhe fillesat e popullit të Izraelit si një komb – me anë të Pashkës.
Darka e Zotit, që kremton gjithashtu shpengimin e popullit të Perëndisë me anë të fuqisë dhe gjakut, ngjan me Pashkën, si nga ana historike, po ashtu edhe teologjike. Në një farë shkalle, buka dhe vera e përbashkësisë rikthehen në të njëjtët elemente të ritit të Pashkës.
Pas eksodit nga Egjipti, skena ndryshon, duke kaluar në shkretëtirë, ku Moisiu merr Ligjin e Perëndisë për popullin e Tij. Afërsisht gjysma e librit shtjellon tabernakullin dhe priftërinë e tij (kapitujt 25-40). Këto hollësi nuk janë thjesht historike.
Për ta shijuar me të vërtetë librin e Eksodit, duhet të kërkojmë për Krishtin në të. Moisiu, qengji i Pashkës, shkëmbi dhe tabernakulli janë vetëm disa figura (simbole) të Zotit Jezus, shumë prej të cilave gjenden në vende të tjera të Shkrimit (shikoni, për shembull, 1 e Korintasve 5:7; 10:4; Heb. Kapituj 3-10). Na bëftë Zoti atë që bëri me dy dishepujt në rrugën për në Emaus – të na shtjellojë «në të gjitha Shkrimet gjërat që i takojnë Atij» (Luka 24:27).
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. SKLLAVËRIA E IZRAELIT NË EGJIPT (Kapitulli 1)
II. LINDJA, SHPËTIMI DHE PËRGATITJA E MOISIUT (Kapitulli 2)
III. THIRRJA E MOISIUT (Kapitujt 3,4)
A. Zbulimi i Jehovait ndaj Moisiut (Kapitulli 3)
B. Stepja e Moisiut (4:1-17)
C. Kthimi i Moisiut (4:18-31)
IV. PËRBALLJA E MOISIUT ME FARAONIN (5:1-7:13)
A. Përballja e parë (5:1-7:6)
B. Përballja e dytë (7:7-13)
V. NËNTË PLAGËT E PARA (7:14-10:29)
A. Plaga e parë – Nili që kthehet në gjak (7:14-25)
B. Plaga e dytë – Bretkosat (8:1-15)
C. Plaga e tretë – Mushkonjat (8:16-19)
D. Plaga e katërt – Mizat (8:20-32)
E. Plaga e pestë – Murtaja mbi kafshët (9:1-7)
F. Plaga e gjashtë – Ulcera (9:8-12)
G. Plaga e shtatë – Breshëri dhe zjarri (9:13-35)
H. Plaga e tetë – Karkalecat (10:1-20)
I. Plaga e nëntë – Tri ditët e errësirës (10:21-29)
VI. PASHKA DHE VDEKJA E TË PARËLINDURIT (11:1-12:30)
VII. EKSODI NGA EGJIPTI (12:31-15:21)
A. Udhëtimi drejt Detit (12:31-13:22)
B. Kalimi i Detit të Kuq (Kapitulli 14)
C. Kënga e Moisiut (15:1-21)
VIII. UDHËTIMI PËR NË SINAI (15:22-18:27)
A. Shkretëtira e Shurit (15:22-27)
B. Shkretëtira e Sinit (Kapitulli 16)
C. Refidimi (Kapitulli 17)
D. Moisiu dhe Jethroja (Kapitulli 18)
IX. DHËNIA E LIGJIT (Kapitujt 19-24)
A. Përgatitja për zbulesën (Kapitulli 19)
B. Dhjetë Urdhërimet (Kapitulli 20)
C. Ligjet e ndryshme (Kapitujt 21-24)
1. Ligjet rreth skllevërve (21:1-11)
2. Ligjet rreth dëmtimit vetjak (21:12-36)
3. Ligjet rreth vjedhjes dhe dëmtimit të pronës (22:1-6)
4. Ligjet rreth pandershmërisë (22:7-15)
5. Ligjet rreth mashtrimit me anë të joshjes (22:16,17)
6. Ligjet rreth detyrimeve qytetare dhe fetare (22:18-23:19)
7. Ligjet rreth pushtimit (23:20-33)
8. Ratifikimi i Besëlidhjes (24:1-8)
9. Zbulimi i lavdisë së Perëndisë (24:9-18)
X. TABERNAKULLI DHE PRIFTËRIA (Kapitujt 25-40)
A. Udhëzime për ndërtimin e tabernakullit (Kapitujt 25-27)
1. Mbledhja e materialeve (25:1-9)
2. Arka e Besëlidhjes (25:10-16)
3. Pajtuesi (25:17-22)
4. Tryeza e Bukëve të Paraqitjes (25:23-30)
5. Shandani i artë dhe përbërësit e tij (25:31-40)
6. Tabernakulli (Kapitulli 26)
7. Altari i bronztë i olokausteve (27:1-8)
8. Oborri i jashtëm, shtyllat dhe perdet (27:9-19)
9. Vaji për shandanin (27:20,21)
B. Priftëria (Kapitujt 28,29)
1. Rrobat e priftërinjve (Kapitulli 28)
2. Përkushtimi i priftërinjve (Kapitulli 29)
C. Udhëzime të mëtejshme rreth tabernakullit (Kapitujt 30,31)
1. Altari i temjanit (30:1-10)
2. Paraja e shpengimit (30:11-16)
3. Legeni (30:17-21)
4. Vaji i vajosjes (30:22-33)
5. Temjani (30:34-38)
6. Zejtarët e talentuar (31:1-11)
7. Shenja e shabatit (31:12-18)
D. Shpërthimi i idhujtarisë (Kapitujt 32,33)
1. Viçi i artë (32:1-10)
2. Ndërmjetësimi dhe zemërimi i Moisiut (32:11-35)
3. Pendimi i popullit (33:1-6)
4. Çadra e Moisiut për takime (33:7-11)
5. Lutja e Moisiut (33:12-33)
E. Përtëritja e besëlidhjes (34:1-35:3)
F. Përgatitja e pajisjeve të tabernakullit (35:4-38:31)
1. Dhuratat e njerëzve dhe njerëzit e talentuar (35:4-36:7)
2. Pëlhurat prej liri që mbulojnë tabernakullin (36:8-19)
3. Dërrasat e tri pjesëve anësore (36:20-30)
4. Traversat që mbajnë bashkë dërrasat (36:31-34)
5. Veli që të prin në Vendin Shumë të Shenjtë (36:35,36)
6. Perdja që të prin në Vendin e Shenjtë (36:37,38)
7. Arka e Besëlidhjes (37:1-5)
8. Pajtuesi (37:6-9)
9. Tryeza e Bukëve të Paraqitjes (37:10-16)
10. Shandani i artë dhe përbërësit e tij (37:17-24)
11. Altari i temjanit (37:25-28)
12. Vaji i vajosjes dhe temjani (37:29)
13. Altari i olokaustit (38:1-7)
14. Legeni (38:8)
15. Oborri i jashtëm, shtyllat dhe perdet (38:9-31)
G. Përgatitja e rrobave të priftërinjve (Kapitulli 39)
H. Ngritja e tabernakullit (Kapitulli 40)