Tabernakulli dhe priftëria (Eksodi 25-40, Pjesa 1)

Shtatë kapitujt që vijojnë shtjellojnë udhëzimet për ndërtimin e tabernakullit, krijimin e priftërisë dhe ligjet e lidhura me to. Plot pesëdhjetë kapituj në Bibël i kushtohen tabernakullit, duke treguar rëndësinë e tij në sytë e Perëndisë. Tabernakulli ishte një strukturë çadre që duhej të ishte vendbanimi i Perëndisë në mes të popullit të Tij. Çdo pjesë e tabernakullit paraqet mësime frymërore rreth Personit dhe veprës së Krishtit dhe mënyrës së afrimit ndaj Perëndisë. Priftëria i kujtonte njerëzit se mëkati kishte shkaktuar një largësi midis Perëndisë dhe atyre, dhe se mund t’i afroheshin Atij vetëm me anë të këtyre mjeteve të caktuara dhe të përshtatura nga Ai.

A. Udhëzime për ndërtimin e tabernakullit (Kapitujt 25-27)

1. Mbledhja e materialeve (25:1-9)
Moisiut iu tha të merrte nga populli një ofertë materialesh që do të duhej për ngritjen e tabernakullit (shenjtërores). Metalet e çmuara, lëkurët, vaji, erëzat dhe gurët e çmuar ishin pa dyshim pagesa që izraelitët morën nga egjiptianët kur u larguan nga Egjipti. Ata kishin punuar – po si skllevër – për këto gjëra. Tashmë po i jepnin si ofertë. Perëndia nguli këmbë që tabernakulli të bëhej rreptësisht sipas modelit hyjnor. Nëse kjo është e vërtetë për ndërtesën materiale, sa më e rëndësishme është të ndërtojmë bashkësinë e Krishtit (njerëzit) sipas modelit hyjnor!
2. Arka e Besëlidhjes (25:10-16)
Arka ishte një kuti druri, e mbuluar nga brenda dhe nga jashtë me ar safi. Në secilën anë kishte unaza ari midis të cilave vendoseshin këmbët për ta mbajtur. Arka duhej të mbante Dëshminë – që është, dy pllakat e ligjit (v. 16) e më vonë shkopin e Aaronit dhe një enë me mana (Heb. 9:4).
3. Pajtuesi (25:17-22)
Kapaku i arkës quhej pajtues. Ai ishte një mbulesë ari që mbante dy figura engjëllore. Këta kerubinë [1] ishin përballë njëri-tjetrit dhe krahët e tyre shtriheshin para për t’u takuar bashkë. Perëndia e shfaqte Veten në renë e lavdisë midis dy kerubinëve dhe mbi pajtuesin. Kerubinët përmenden të paktën në trembëdhjetë libra të Biblës. Ata lidhen fillimisht me shenjtërinë dhe drejtësinë e Jehovait dhe zakonisht përmenden në lidhje me fronin e Perëndisë. Ata përshkruhen te Ezekieli 1:10.
4. Tryeza e Bukëve të Paraqitjes (25:23-30)
Tryeza e bukëve të paraqitjes ishte një tryezë druri mbuluar me ar safi. Ajo kishte një buzë të stolisur anembanë majës (një kurorë) dhe një buzë si vëng me stolisje ari. Ashtu si arka, tryeza mbahej nga këmbët të vendosura te unazat te qoshet, që ndodhen në katër këmbët e tryezës. Në majë të tryezës viheshin dymbëdhjetë bukë (v. 30) për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Gjithashtu kishte pjata, gota, kupa dhe filxhanë […] me të cilët bëhen libacionet.
5. Shandani i artë dhe përbërësit e tij (25:31-40)
25:31-39 Shandani u bë prej ari safi. Ai kishte shtatë krahë apo degë në majë, secila prej të cilëve mbante një kupë të vogël në një hallkë rrotulluese me një fitil për vajin që përdorej për flakën. Në lidhje me shandanin ishin veglat për të lëvizur qiririn dhe mbajtëset për të mbajtur pjesët që lëviznin (v. 38,39). 25:40 Kërkesa e vetme dhe e madhe qe për t’i bërë ato objekte sipas modelit që Perëndia dha në mal. Nuk kishte vend për parashikimin njerëzor. E njëjta gjë vlen për tërë çështjet frymërore: Ne duhet të ndjekim udhëzimet hyjnore dhe nuk duhet të shmangemi nga modeli që Zoti ka dhënë në diturinë e Tij. Tërë pajisjet e tabernakullit flisnin për Krishtin në lavdi: arka simbolizonte hyjninë e Tij (ari) dhe karakterin njerëzor (druri). Pajtuesi simbolizonte Krishtin si pajtuesin apo shlyesin tonë (Rom. 3:25). Tryeza e bukëve të paraqitjes përfaqësonte Krishtin si Bukën e jetës. Shandani portretizonte Krishtin si Dritën e botës. Altari prej bronzi (kapitulli 27) simbolizonte Krishtin si olokaust, i djegur plotësisht për Perëndinë. Altari i temjanit apo altari i artë (kapitulli 30) parafytyronte aromën e Krishtit të Perëndisë. Legeni (kapitulli 30) simbolizonte Krishtin duke pastruar popullin e Tij me anë të larjes së ujit me anë të Fjalës (kr. Tit. 3:5; Gjoni 13:10; Efesianeve 5:26).
6. Tabernakulli (Kapitulli 26)
26:1-6 Kapitulli 26 përshkruan vetë tabernakullin. Ai ishte afërsisht dymbëdhjetë metra i gjatë, katër metra i gjerë e i lartë (duke e marrë një kubit afërsisht 50 cm). Dy anët dhe njëri fund përbëhej nga faqe të drejta, të vendosura në zgavra dhe të ngjitura bashkë. Fundi tjetër (hyrja) kishte këmbët. Mbulesa e parë, këtu quhet tabernakulli, përbëhej nga pëlhura prej liri të hollë të përdredhur, së bashku me kerubinë të punuar artistikisht me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe flakë të kuqe. Ai përbëhej nga dy anë me pesë pëlhura bashkoheshin. Këto dy pjesë bashkoheshin me kapëse ari që në pamje të parë bashkoheshin nga pesëdhjetë sythe. Mbulesa tërësore ishte rreth njëmbëdhjetë me gjashtëmbëdhjetë metra. Ajo formonte tavanin dhe mbulonte anët, duke u ngritur 46 cm nga toka. 26:7-13 Mbulesa tjetër, e quajtur çadër, përbëhej prej leshi dhie. Një pjesë prej pesë pëlhurash bashkoheshin në një pjesë prej gjashtë pëlhurash nga kapëse prej bronzi që lidheshin me pesëdhjetë sythe. Mbulesa tërësore që ishte dymbëdhjetë me tetëmbëdhjetë metra zinte buzë më buzë tërë anët e tabernakullit përveç pjesës ballore. Atje një pjesë palosej për të shërbyer si hyrje. 26:14 Një mbulesë e tretë përbëhej nga lëkura dashi dhe e katërta përbëhej nga lëkura baldose (përkthyer gjithashtu lëkurë foke, derri deti apo delfini) [2]. Përmasat nuk jepen; këto mbulesa mbase kishin të njëjtat përmasa si mbulesat me lëkurë dhie. 26:15-30 Dërrasat […] më këmbë që formonin tri anët e tabernakullit përshkruhen në vargjet 15-25. Çdo dërrasë ishte pesë metra me shtatëdhjetë e pesë centimetra. Ajo përbëhej prej druri të akacies mbuluar me ar dhe kishte dy kllapa për t’u puthitur me njëra-tjetrën. Kishte njëzet dërrasa në çdo anë dhe gjashtë dërrasa në fund. Dy dërrasa të veçanta u bënë për të dy qoshet e pasme. Dërrasat nguliteshin në vend me traversa prej druri, të mbuluara me ar, që kalonin midis unazave prej ari te dërrasat. Traversa qendrore ishte një pjesë e vazhdueshme. Dy traversa të shkurtra me gjatësi të ndryshme mund të bashkoheshin për të formuar një traversë në majë dhe dy të tjera për të formuar një traversë në fund. Disa mendojnë se dërrasat ishin forma të vëna si grilat. 26:31-37 Vetë tabernakulli ndahej në dy dhoma – e para ishte vendi i shenjtë, me përmasa njëmbëdhjetë me katër metra dhe vendi shumë i shenjtë (Shenjtëria e Shenjtërive), që ishte katër me katër metra. Këto dy dhoma ndaheshin nga një vel prej liri të hollë dhe të përdredhur dhei stolisur me kerubinë. Veli varej në katër shtylla. Arka dhe pajtuesi duhej të viheshin në vendin Shumë të Shenjtë, ndërsa tryeza e bukëve të paraqitjes dhe shandani i artë në vendi e shenjtë. Altari i temjanit (kapitulli 30) ishte pajisja tjetër e vetme në vendin e shenjtë; ai vihej përballë velit. Shandani ishte në anën jugore të vendit të shenjtë dhe tryeza në krahun verior. Dera e tabernakullit ishte një perde liri, e ngjashme me velin, por varej në pesë shtylla akacieje të mbuluara me ar dhe që qëndronin mbi një bazament bronzi.
7. Altari i bronztë i olokausteve (27:1-8)
Altari i olokaustit, gjithashtu njohur si altari prej bronzi, përbëhej prej druri të akacies mbuluar me bronz. Përmasat e tij ishin dy metra katror dhe 120 cm i lartë. Brinjët zgjateshin në çdo qoshe tij. Ai mbahej nga shufrat e vendosura në pjesën e poshtme.
8. Oborri i jashtëm, shtyllat dhe perdet (27:9-19)
Rreth tabernakullit ishte një zonë e gjerë e njohur si oborri. Ky ishte i mbyllur nga perde prej liri të hollë të përdredhur që mbaheshin te shtyllat […] prej bronzi. Kjo hapësirë ishte dyzet metra e gjatë, njëzet metra e gjerë dhe dy metra e lartë. Porta në lindje ishte tetë metra e gjerë. Ajo kishte një perde prej liri, të ngjashme me perdet e tabernakullit. Nëse nuk ishte caktuar me urdhër, të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tabernakullit duhej të bëheshin prej bronzi.
9. Vaji për shandanin (27:20,21)
Vaji i shandanit duhej të ishte vaj ulliri safi prej ullinjsh të shtypur, një simbol i Frymës së Shenjtë. Ai duhej mbajtur vazhdimisht ndezur – pra, çdo mbrëmje, «nga mbrëmja deri në mëngjes». Shprehja «çadra e mbledhjes» (NASB) apo «tabernakulli i mbledhjes» përdoret këtu si çadra që do të ishte vendbanimi i Perëndisë, por përdoret në Eksodi 33:7 si çadra parashikuese e ngritur nga Moisiu.

B. Priftëria (Kapitujt 28,29)

1. Rrobat e priftërinjve (Kapitulli 28)
28:1,2 Kapitulli 28 merret me rrobat e kryepriftit dhe të bijve të tij. Këto rroba, ngjyrat e tyre, gurët e çmuar etj., flasin për lavditë e ndryshme të Krishtit, Kryepriftit tonë të Madh. Familja e Aaronit ishte familja priftërore. 28:3-29 Kryeprifti kishte dy palë rroba: 1. rrobat e lavdisë dhe të bukurisë, shumë të ngjyrosura dhe tepër të ngarkuara; 2. rroba të bardha prej liri. Të parat përshkruhen këtu (v. 2-4). Efodi (v. 6,7) ishte i ngjashëm me një përparëse, me dy pjesë të lidhura te shpatullat dhe të hapura anash. Brezi i punuar artistikisht (v. 8) ishte një rrip që i vinte rrotull mesit pak më lart buzës së efodit. Rrathët (v. 13) ishin prej ari telishi për të mbajtur gurë të çmuar. Në çdo shpatull vihej një gur oniksi i skalitur me emrat […] e gjashtë fiseve të Izraelit (v. 9-12). Pjesa e përparme e efodit ishte pektorali, që përmbante dymbëdhjetë gurë të çmuar, secili mbante emrin e një fisi. Pektorali ngjitej pas efodit me zinxhirë prej ari (v. 13-28). Prandaj kryeprifti mbante fiset e Izraelit para Perëndisë në shpatullat e tij (v. 12 – vendi i forcës) dhe mbi zemrën e tij (vendi i dashurisë; v. 29). 28:30 Pektorali quhet pektorali i gjykimit (v. 15,29,30), mbase ngaqë Urimi dhe Thumimi ishin në të dhe përdoreshin për të përcaktuar gjykimet e Zotit (Num. 27:21). Shprehja «Urim dhe Thumim» do të thotë dritat dhe përsosuritë. Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë ishin këta, por dimë (ashtu siç u shpjegua më sipër) se lidheshin me pektoralin dhe se përdoreshin për të marrë drejtim nga Zoti (1 i Samuelit 28:6). 28:31-35 Manteli i efodit ishte një rrobë ngjyrë vjollce që vishej poshtë efodit. Ai shkonte deri te gjunjët. Te buza kishte zile të vogla dhe shegë, duke nënkuptuar dëshminë dhe frytin. Tingulli i zileve duhej të dëgjohej kur Aaroni hynte apo largohej në vendin e shenjtë. 28:36-38 Mbi kokoren apo çallmën kryeprifti vinte një pllakë ari që shënonte fjalët «SHENJTËRI ZOTIT», që duhej të qëndronte mbi ballë. Ai ishte për çdo lloj ofertash të shenjta, një kujtesë se edhe veprat tona më të shenjta janë të njollosura me mëkat. Kryepeshkopi Beverixh (Beveridge) ka thënë një herë: «Nuk mund të lutem, por mëkatoj […] Pendimi im duhet të pendohet dhe lotët e mi duhet të lahen me gjakun e Shpenguesit tim» [3]. 28:39-43 Tunika e thurur ishte një rrobë prej liri që vishte kryeprifti poshtë rrobës ngjyrë vjollce. Kjo ishte një brez […] i endur. Bijtë e Aaronit vishnin tunika të bardha, breza dhe mbulesa koke, për nder dhe hijeshi (v. 40). Si veshje të poshtme, ata vishnin pantallona prej liri. Ata visheshin nga koka te kyçet, por nuk kishte mbulesë për këmbët e tyre. Kjo ngaqë ata ishin në tokë të shenjtë ku i shërbenin Zotit (Eksodi 3:5). Fjala e përkthyer «shugurosh» (v. 41) fjalë për fjalë do të thotë mbush duart (pra, me oferta).
2. Përkushtimi i priftërinjve (Kapitulli 29)
29:1-9 Perëndia caktoi Aaronin dhe bijtë e tij si priftërinjtë e parë. Pas këtyre mënyra e vetme për t’u bërë priftërinj ishte duke lindur nga fisi dhe familja priftërore. Në kishë e vetmja mënyrë për t’u bërë prift është me anë të lindjes së re (Zbulesa 1:5,6). Për njeriun të shugurojë priftërinj është një mendjemadhësi njerëzore. Riti i përshkruar këtu është zbatuar te Levitiku 8. Shugurimi i priftërinjve është deri diku i ngjashëm me pastrimin e lebrës (Lev. 14). Në të dy rastet, gjaku i flijimit vlente për vetë njeriun, duke mësuar domosdoshmërinë e shlyerjes para se njeriu mëkatar t’i afrohej Perëndisë. Materialet për ofertat paraqiten në vargjet 1-3; udhëzime të hollësishme jepen më vonë rreth përdorimit të tyre. Hapi i parë i shugurimit të priftërinjve ishte larja e Aaronit dhe e bijve të tij […] me ujë në hyrjen e çadrës së mbledhjes (v. 4). Së dyti, Aaroni vishej me rrobat e përshkruara në kapitullin e mëparshëm (v. 5,6). Pastaj ai vajosej me vaj (v. 7). Më pas, bijtë visheshin me tunikat e tyre priftërore (v. 8,9). 29:10-21 Tani vijojnë tri oferta: një dem si një flijim për mëkatin (v. 10-14); një nga deshtë si një olokaust për Zotin (v. 15-18); një dash tjetër për shenjtërimin (v. 19-21). Vendosja e duarve mbi kokën e viktimës së flijuar nënkuptonte njëjtësimin me të dhe tregonte se kafsha do të ngordhte në vend të ofruesit (v. 10). Gjaku, sigurisht, ishte një simbol i gjakut të Krishtit, derdhur për faljen e mëkateve. Dhjami mbahej si pjesa më e zgjedhur e kafshës dhe i ofrohej Zotit (v. 13). Dashi i parë digjej plotësisht në altar (v. 15-18). Kjo flet për përkushtimin e plotë të Krishtit ndaj Perëndisë dhe ofrimin e Tij të plotë ndaj Tij. Gjaku i dashit të dytë (dashi i shenjtërimit) duhej të vihej mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe […] të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë (v. 20) dhe të spërkatej mbi rrobat e tyre (v. 21). Kjo nënkuptonte nevojën e pastrimit nga mëkati në çdo fushë të jetës njerëzore – veshi për bindje ndaj Fjalës së Perëndisë, dora për veprim apo shërbesë dhe këmba për ecje apo përkushtim. Mund të duket e çuditshme se si rrobat e bukura të priftërinjve do të spërkateshin me gjak; gjaku i shlyerjes mund të mos duket tërheqës për sytë e njeriut, por është tejet i domosdoshëm në sytë e Perëndisë. 29:22-34 Pastaj Moisiu u urdhërua të mbushte duart e priftërinjve me materialet e nevojshme për flijimin dhe t’u jepte atyre urdhër për ta flijuar (v. 22-28). Oferta e parë (v. 22-25) duhej të piqej para Zotit dhe të tundej mbi altarin e olokaustit. Gjoksi i dashit tundej para Zotit, mbase horizontalisht dhe shpatulla ngrihej para Zotit, pa dyshim vertikalisht. Këto dy pjesë u jepeshin priftërinjve për ushqim (v. 26-28). Gjoksi i tundur flet për dashurinë e Perëndisë ndaj nesh dhe shpatulla e ngritur simbolizon fuqinë e Tij të përdorur për të mirën tonë. Rrobat e Aaronit u bënë pasuri e bijve të tij mbas tij, meqë priftëria kalohej nga babai te fëmija (v. 29,30). Ushqimi i priftërinjve dhe se si përgatitej përshkruhet në vargjet 31-34. 29:35-46 Ceremonia e shugurimit zgjaste shtatë ditë, me përsëritjen e flijimeve çdo ditë dhe pastrimin e altarit me anë të gjakut dhe vajosjen me vaj (v. 35-37). Që nga ajo kohë, priftërinjve u kërkohej të ofronin si olokaust dy qengja që ishin motakënjërin prej qengjave […] në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur (v. 38-42). Më pas Perëndia premtoi se do të takohej me popullin te çadra për të banuar në mes tyre dhe për të qenë Perëndia i tyre (v. 43-46).

C. Udhëzime të mëtejshme rreth tabernakullit (Kapitujt 30,31)

1. Altari i temjanit (30:1-10)
Altari i temjanit ishte një altar druri i veshur me ar që qëndronte në vendin e shenjtë. Ai ishte 46 cm2 dhe 81 cm i lartë. Ai njihej gjithashtu si altari i artë. Në këtë altar digjej temjani si në mëngjes ashtu edhe në mbrëmje, duke simbolizuar veprën ndërmjetësuese të Krishtit në favorin tonë. Edhe pse ky altar ndodhej në vendin e shenjtë, lidhej ngushtë me Vendin Shumë të Shenjtë, saqë shkrimtari i Letrës Drejtuar Hebrenjve e përmend atë si pas velit të dytë (Heb. 9:4, KJV), edhe pse fjala në hebraishte mund të përkthehet edhe si temjanicë (NKJV) [4]. Altari mbahej mbi shtiza që kalonin përmes unazave që ishin në të dy krahët e tij.
2. Paraja e shpengimit (30:11-16)
Perëndia urdhëroi që çdo izraelit mashkull njëzet vjeç e lart të paguante gjysmë sikli si ofertë për të bërë shlyerjen. Kjo pagesë, e njëjtë për të pasurin dhe për të varfrin, vilej sa herë që bëhej regjistrimi dhe përdorej për të financuar shërbimin e çadrës së mbledhjes. Ajo siguronte mbrojtje kundër plagëve (v. 12). Në fillim përdorej për të bërë xhepa të argjendtë për të mbajtur dërrasat e tabernakullit. Argjendi flet për shpengim, që është themeli i besimit tonë. Shpengimi vlen për të gjithë dhe është i mundur ndaj të gjithëve me të njëjtat kushte.
3. Legeni (30:17-21)
Legeni prej bronzi qëndronte midis hyrjes së çadrës së mbledhjes dhe altarit. Ai ishte një enë e thellë ku priftërinjtë mund të lanin duart dhe këmbët. Ai ishte bërë nga pasqyrat e bronzta të dhuruara nga gratë (Eksodi 38:8). Përmasat nuk jepen. Çdo prift që kapte gjëra të shenjta para se të lahej dënohej me vdekje. Kjo është një kujtesë solemne që ne duhet të jemi të pastër frymërisht dhe moralisht para se të marrim çdo shërbesë për Zotin (shikoni Heb. 10:22).
4. Vaji i vajosjes (30:22-33)
Një vaj për vajosjen e shenjtë përdorej për të vajosur çadrën e mbledhjes, pajisjet e saj dhe vetë priftërinjtë. Ai nuk duhej të përdorej për ndonjë qëllim tjetër. Vaji në Shkrim zakonisht është një simbol i Frymës së Shenjtë. Vajosja e priftërinjve nënkupton domosdoshmërinë e të mbushurit me Frymën në çdo shërbim hyjnor.
5. Temjani (30:34-38)
Temjani ishte një parfum i bërë nga aroma të ndryshme që digjej në altarin e artë të temjanit në mëngjes e në mbrëmje. Ashtu si vaji, nuk duhej përdorej gjetiu.
6. Zejtarët e talentuar (31:1-11)
Perëndia caktoi zejtarë të talentuar, Betsaleelin [5] dhe Oholiabin, për të ndërtuar çadrën e mbledhjes […] dhe orenditë e saj. Ata mbikëqyrën punëtorët e tjerë në detyrën e tyre të shenjtë (v. 6b). Përsëritja e përemrit «Unë» në këtë paragraf tregon se me urdhrin hyjnor vjen aftësimi hyjnor. Zoti cakton punëtorët e Tij, i pajis ata me aftësi e talente dhe u jep atyre një punë për ta bërë për lavdinë e Tij (v. 6). Vepra është e tëra e Zotit, por Ai e kryen atë përmes mjeteve njerëzore, pastaj shpërblen punëtorët e Tij.
7. Shenja e shabatit (31:12-18)
31:12-17 Zbatimi i shabatit duhej të ishte një shenjë midis Perëndisë dhe Izraelit. Asnjë punë nuk duhej të bëhej ditën e shtatë, as edhe ndërtimi i tabernakullit. Mosbindja ndëshkohej me vdekje. 31:18 Në këtë pikë Zoti i dha Moisiut dy pllaka […] guri, në të cilat ishte shkruar Ligji i Perëndisë – pra, Dhjetë Urdhërimet (kr. Ligji i Perterire 10:4). [box title=”TABERNAKULLI: SIMBOLI I PERËNDISË PËR KRISHTIN”]Në thelb tabernakulli flet për Krishtin, Fjalën që u bë mish dhe «banoi» midis nesh (Gjoni 1:14, greqisht) [6]. Mund të përdoret gjithashtu si simbol i udhës së shpëtimit të Perëndisë dhe jetës e shërbesës së mëpasshme të besimtarit. Por edhe pse paraqet udhën e shpëtimit, i është dhënë një populli që ishte tashmë në marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndisë. Më tepër se sigurimi i një udhe shpëtimi, tabernakulli dha mjetet me anë të të cilave populli mund të pastrohej nga ndotja e jashtme dhe rituale dhe të mund t’i afrohej Perëndisë në adhurim. Tabernakulli dhe shërbesat e lidhura me të ishin kopje të gjërave në qiej (Heb. 8:5; 9:23,24). Kjo nuk do të thotë se ka një ngjashmëri strukturore apo arkitekturore në qiell, por se tabernakulli paraqet realitetet frymërore në qiell. Vini re këto lidhje: Shenjtërorja tokësore (Heb. 9:1-5) Shenjtërorja qiellore (Heb. 8:2; 9:11-15) Shenjtërorja e Shenjtëroreve (Heb. 9:3b) Shenjtërorja, prania e Perëndisë (Heb. 10:19) Veli (Heb. 9:3a) Veli, trupi i Krishtit (Heb. 10:20) Gjaku i kafshëve (Heb. 9:13) Gjaku i Krishtit (Heb. 9:14) Altari (Heb. 7:13; Eksodi 27:1-8) Krishti, altari ynë (Heb. 13:10) Kryeprifti (Heb. 5:1-4) Krishti, Kryeprifti ynë i Madh (Heb. 4:14,15; 5:5-10; 7:20-28; 8:1; 10:21) Flijimet (Heb. 10:1-4,11) Krishti, flijimi ynë (Heb. 9:23-28; 10:12) Arka (Heb. 9:4) Froni i hirit (Heb. 4:16) Altari i temjanit (Heb. 9:4, KJV) Altari i temjanit në qiell (Zbulesa 8:3) Perdet prej liri që formojnë oborrin e jashtëm (40 me 20 metra) Perdet përbëheshin nga li i bardhë, i dredhur mirë, që simbolizonte drejtësinë e përsosur të Perëndisë. Ato ishin dy metra të larta, duke formuar një pengesë që pengonte njeriun të shikonte mbi to. Kjo hedh idenë e dështimit të njeriut për të arritur standardet e drejtësisë së Perëndisë (Rom. 3:23) dhe paaftësinë e njeriut për të parë dhe kuptuar gjërat e Perëndisë (1 e Korintasve 2:14). Perdet mbaheshin më këmbë nga 56 shtylla që qëndronin në hallka bronzi dhe kishin grepa dhe shirita argjendi. Dera Për t’u futur në oborr një njeri duhej të kalonte përmes derës apo portës. Kishte vetëm një rrugë hyrjeje, ashtu si Krishti është udha e vetme për te Perëndia (Gjoni 14:6; Veprat e Apostujve 4:12). Dera ishte tetë metra e gjerë, duke simbolizuar mjaftueshmërinë e Krishtit për tërë njerëzimin (Gjoni 6:37; Heb. 7:25). Perdet që formonin derën përbëheshin nga li i bardhë, i qëndisur me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. Kjo simbolizonte Krishtin ashtu siç është paraqitur në katër ungjijtë: E purpurt Mateu Mbret (Mt. 2:2) E kuqe e ndezur Marku Shërbëtori i përulur, që vuan për mëkatet, që paraqiten si e kuqe e ndezur te Isaia 1:18 E bardhë Luka Njeriu i përsosur (Luka 3:22) Vjollcë Gjoni Qiellori (Gjoni 3:13) Altari prej bronzi i olokausteve (2 m2, 120 cm i lartë) Objekti i parë në oborrin e brendshëm ishte altari. Ky ishte vendi i flijimit. Ai flet për kryqin e Krishtit në Kalvar (Heb. 9:14,22). Ky është vendi ku besimtari duhet të fillojë t’i afrohet Perëndisë. Altari përbëhej nga bronzi dhe druri i akacies, druri i paprishshëm i shkretëtirës. Bronzi flet për gjykim dhe druri paraqet anën njerëzore të pamëkatë e të paprishshme të Krishtit. Ai që nuk njihte asnjë mëkat mori gjykimin e Perëndisë kundër mëkateve tona (2 e Korintasve 5:21). Altari ishte i zbrazët, në gjysmën e tij i zënë me një grilë, në të cilën vendosej kafsha. Kishte katër brirë të mbështjellë me bronz, secili nëpër cepat (Eksodi 27:2). Në dukje flija lidhej te këto brinjë (Psa. 118:27b). Nuk ishin litarët apo gozhdët që e lidhën Shpëtimtarin tonë në kryq, por dashuria e Tij e përjetshme për ne. Kur një izraelit sillte një olokaust, ai vinte duart e tij mbi kokën e viktimës, duke njëjtësuar vetveten me të dhe duke nënkuptuar kështu që kafsha vdiste në vend të tij. Kafsha do të ishte një flijim zëvendësues. Kafsha therej dhe gjaku i saj derdhej, duke simbolizuar gjakun e Krishtit, pa të cilin nuk ka falje mëkatesh (Heb. 9:22). Përveç lëkurës çdo gjë digjej në altar. Këtu, ashtu si zakonisht, simboli thyhet, sepse Krishti iu përkushtua plotësisht vullnetit të Atit në Kalvar. Ajo ishte një ofertë me aromë të ëmbël, duke na kujtuar plotësimin e Perëndisë me veprën e Krishtit. Dhe bëri shlyerjen për ofruesin. Legeni Legeni u bë prej bronzi nga pasqyrat e grave (Eksodi 38:8). Brouni (J. H. Brown) vë re: «Ato dorëzuan ato gjëra që përdoreshin për vetëkënaqësi, ato gjëra që në një farë mase i shërbyen kënaqësisë së mishit». Vetë gjykimi duhet të pararendë adhurimin (1 e Korintasve 11:31). Legeni ishte për priftërinjtë. Ai fliste për domosdoshmërinë e pastrimit për shërbim (Isa. 52:11). Priftërinjtë laheshin një herë kur merrnin detyrën (Lev. 8:6). Pas kësaj, atyre u kërkohej të lanin duart dhe këmbët rregullisht. Një larje – shumë pastrime. Sot tërë besimtarët janë priftërinj (1 Pjetrit 2:5,9). Ne kemi nevojë për larjen e lindjes së re vetëm një herë (Gjoni 3:5; 13:10; Titi 3:5). Por kemi nevojë të lajmë në mënyrë të vazhdueshme duart (për shërbim) dhe këmbët (për një ecje të perëndishme, Gjoni 13:10). Ne e bëjmë një gjë të tillë me ujin e Fjalës (Psa. 119:9-11; Gjoni 15:3; Efesianeve 5:26). Legeni mund të ketë pasur një enë të sipërme për larjen e duarve dhe një të poshtme për larjen e këmbëve. Bibla nuk përshkruan formën apo madhësinë e saktë të legenit. Tabernakulli (4 me 12 metra) Vetë struktura ishte e plotë nga jashtë, por brenda ishte e mrekullueshme. Çdo gjë brenda ishte e mbuluar me ar apo ishte e qëndisur. Ai hedh idenë e Krishtit që banoi midis nesh (Gjoni 1:14); Ai nuk kishte bukuri të jashtme që të ishte i dëshirueshëm (Isa. 53:2b), por nga brenda është tepër i dashur. Kishte katër mbulesa sipas rendit që vijon nga brenda jashtë: Pëlhura liri të pastër të qëndisura Drejtësia dhe bukuria e Krishtit Leshi i dhisë Shlyerja e Krishtit, që u bë Cjapi ynë (kr. Lev. 16:1-34). Lëkura e dashit, me ngjyrë të kuqe Shugurimi i Krishtit (kr. dashin e shugurimit, Eksodi 29:19-22). Lëkura e baldosës Gjithashtu përkthehet lëkurë derri deti, lëkurë delfini dhe lëkurë e lopëve të detit. Ato mbronin tabernakullin nga elementet, duke hedhur idenë e ruajtjes nga Krishti të popullit të Tij nga e keqja e jashtme. Dërrasat Disa mendojnë se këto ishin copa thurimë në vend të dërrasave të forta. Sido që të jetë, ato paraqesin besimtarët duke formuar një banesë unike të Perëndisë në Frymë (Efesianeve 2:22). Ato ishin prej drurit të akacies të veshura me ar, duke përfaqësuar anën tonë njerëzore dhe pozitën tonë në Krishtin. Perëndia na shikon në Të. Dërrasat ishin katër metra të larta dhe bashkoheshin nga pesë traversa horizontale të veshura me ar (Eksodi 26:26-28). E mesit dilte nga dërrasat, mbase një simbol i Frymës së Shenjtë. Çdo dërrasë mbahej nga kllapa në dy fole argjendi. Argjendi flet për shpengimin (kr. Eksodi 30:15 kur siklat e argjendit ishin paraja e shpengimit). Themeli i besimtarit është vepra shpenguese e Krishtit (1 Pjetrit 1:18,19). Vendi i Shenjtë Veli që të çonte te vendi i shenjtë hedh idenë e Krishtit si udha e përbashkësisë me Perëndinë (Efesianeve 2:18; 3:12). Nuk kishte asnjë karrige në vendin e shenjtë, sepse puna e priftërinjve nuk plotësohej kurrë, në dallim me veprën një herë e përgjithmonë të Krishtit (Heb. 10:12). Tryeza e Bukëve të Paraqitjes (91 cm e gjatë, 46 cm e gjerë, 69 cm e lartë; në pjesën veriore) Tryeza ishte prej druri të akacies e veshur me ar, duke simbolizuar anën njerëzore dhe hyjnore të Zotit tonë. Kishte dymbëdhjetë bukë pa maja në tryezë, duke simbolizuar popullin e Perëndisë ndërsa paraqiteshin para Perëndisë në lidhje me Krishtin. Buka rrethohej nga dy kurora ari, ashtu siç ruhemi të sigurt nga Krishti i kurorëzuar dhe i përlëvduar. Shandani (34.37 kg, nuk jepen përmasat; në pjesën jugore) Ai ishte prej ari të rrahur, kishte një fund dhe një trung që dilte prej tij, prej të cilit dilnin shtatë krahë me një kupë vaji në secilin prej tyre. Ai ishte burimi i vetëm i dritës në tabernakull. Ai mund të simbolizojë Frymën e Shenjtë në shërbesën e tij të përlëvdimit të Krishtit (Gjoni 16:14), apo mund të flasë për Krishtin si Ai që është drita e qiellit (Zbulesa 21:23) dhe burimi i tërë dritës frymërore (Gjoni 8:12). Ari i pastër flet për hyjninë. Shandani rrinte ndezur nga mbrëmja në mëngjes (Eksodi 27:21 dhe 1 i Samuelit 3:3). Altari i temjanit (46 cm2 dhe 91 cm i lartë; para velit në qendër) Ai ishte prej druri akacieje dhe prej ari, duke simbolizuar anën njerëzore dhe hyjnore të Krishtit. Ai simbolizon Krishtin e përlëvduar duke ndërmjetësuar për popullin e Tij (Heb. 7:24-26; Zbulesa 8:3,4). Temjani flet për aromën e Personit dhe veprës së Tij. Zjarri duhej të vinte nga altari i olokaustit, aroma e ofertës së Krishti pa njollë para Perëndisë. Temjani bëhej nga storaksi, guaska erëmira, galbani, aroma me buhur të kulluar – të ndërthurura të gjitha për të bërë vetëm një aromë – aromën e ëmbël të Krishtit (Efesianeve 5:2). Vendi Shumë i Shenjtë Veli që të çonte te Vendi Shumë i Shenjtë flet për mishin e Krishtit (Heb. 10:19-22), lëshuar në vdekjen e Kalvarit (Luka 23:45). Ndërsa vetëm priftërinjtë mund të futeshin në Vendin e Shenjtë dhe vetëm kryeprifti mund të hynte në Vendin Shumë të Shenjtë një ditë të vitit, besimtarët tashmë kanë liri hyrjeje për në praninë e Perëndisë kur dhe sa herë të duan (Heb. 10:19-22). Arka (1 m e gjatë, 61 cm e gjerë dhe e lartë) Kjo ishte një kuti prej druri akacieje e veshur me ar. Ajo fliste për fronin e Perëndisë. Kishte dy mënyra për konceptimin e përmbajtjeve të saj, një njerëzor dhe deri diku negativ dhe tjetri sipas Krishtit dhe shumë pozitiv: I pari, përmbante tri përkujtimore të rebelimit (manan – Eksodi 16:2,3; ligjin – Eksodi 32:19; shkopin e Aaronit, Num. 17:1-13) dhe kjo mund të parafytyrojë Krishtin që mban mallkimin e rebelimit tonë. Ose mana mund të parafytyrojë Krishtin si Bukën e Perëndisë; ligjin si shprehje të shenjtërisë së Perëndisë që Zoti e madhështonte dhe e bënte të lavdishme; dhe shkopin e Aaronit si Krishti në ringjallje, një Prift sipas zgjedhjes së vetë Perëndisë. Pajtuesi Pajtuesi ishte një kapak i arkës. Në majë të tij kishte dy kerubinë, me ar të rrahur, rojet e fronit të Perëndisë dhe mbrojtësit e drejtësisë së Tij. Ata shikonin gjakun që spërkatej para arkës dhe pajtuesit. Gjaku i Krishtit plotëson drejtësinë e Perëndisë dhe fsheh tërë shkeljet tona nga sytë e Tij. Prandaj një fron gjykimi bëhet pajtues. Krishti është Pajtuesi ynë (e njëjta fjalë për shlyerje, 1 Gjonit 2:2). Perëndia takon mëkatarin në Krishtin. Reja e lavdisë Kur tabernakulli u plotësua, Zoti u shfaq mbi pajtuesin në një re lavdie, e njohur gjithashtu si Shekinahu nga fjala hebraike banoj. Ky ishte një simbol i dukshëm i lavdisë së Tij.[/box]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (25:17-22) Fjala kerubin mund të rrjedhë nga një rrënjë semite që do të thotë «bekoj», «lavdëroj» apo «adhuroj», por zakonisht pranohet të jetë fjala hebraike karav, afroj. Prandaj kerubinët janë «mbuluesit» apo afrohen si mbrojtës. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (26:14) Arsyeja e larmisë së përkthimeve është se nuk njohim me siguri se cilës lëkure kafshe i referohet fjala hebraike. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (28:36-38) Kryepeshkopi Beveridge, nuk janë të mundura hollësi të mëtejshme. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (30:1-10) Fjala greke thumiaterion fjalë për fjalë do të thotë «vend (apo gjë) për temjanin». Këtu mund t’i referohet altarit të temjanit apo temjanicës që merrej pas velit Ditën e Shlyerjes, mbushur me temjan nga altari. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (31:1-11) Ia vlen të përmendet se Akademia e Artit Kombëtar në Izraelin e sotëm ka marrë emrin e Betsaleelit. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Tipologjia e tabernakullit pranohet gjerësisht midis besimtarëve ungjillorë, edhe pse në mënyrë të qartë nuk pranohet plotësisht në të tëra hollësitë. Disa të krishterë pranojnë vetëm ato tipare që janë përmendur në mënyrë të veçantë në DhR, kryesisht te Letra drejtuar Hebrenjve. Shikoni Zanafillën 42 për një shtjellim të shkurtër të tipologjisë. ↵ Kthehu mbrapa