Udhëtimi për në Sinai (Eksodi 15:22-18:27)

A. Shkretëtira e Shurit (15:22-27)

Vargu 22 fillon me rrëfimin e udhëtimit nga Deti i Kuq për në malin Sinai. Çdo hap është i mbushur me mësime frymërore për besimtarët e çdo kohe. Mara, që do të thotë e hidhur, për shembull, flet për përvojat e hidhura të jetës. Pema hedh idenë e kryqit të Kalvarit, që kthen gjërat e hidhura të jetës në ëmbëlsi. Në Mara Zoti zbuloi Vetveten si «Zoti që të shëron» (YHWH R_phek_). Ai premtoi se do ta çlironte Izraelin nga sëmundjet që mundonin egjiptianët. Elimi, me dymbëdhjetë burimet e tij të ujit dhe shtatëdhjetë palmat, hedh idenë e prehjes dhe freskisë që janë tonat pasi kemi shkuar te kryqi.

B. Shkretëtira e Sinit (Kapitulli 16)

16:1-19 Duke udhëtuar drejt juglindjes, populli arriti në shkretëtirën e Sinit [1]. Atje murmuriti hidhur rreth mungesës së ushqimit dhe kërkuan ushqimin e Egjiptit, duke harruar skllavërinë e tmerrshme që shoqëronte atë ushqim. Perëndia plot hir u përgjigj duke i furnizuar me bollëk shkurtash natën dhe mana në mëngjes. Shkurtat siguroheshin vetëm dy herë, këtu dhe te Numrat 11:31, ndërsa mana sigurohej vazhdimisht. «Mana» do të thotë: «Çfarë është?». Ishte një ushqim i siguruar në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia; asnjë përpjekje për ta shpjeguar me mjete natyrore nuk vlen. Mana ishte e hollë dhe e rrumbullakët, e bardhë dhe e ëmbël (v. 31), duke simbolizuar përulësinë, përsosmërinë, pastërtinë dhe ëmbëlsinë e Krishtit, Bukën e Perëndisë (Gjoni 6:48-51). Mbërritja e saj ishte deri diku e lidhur me vesën e mëngjesit, duke na kujtuar se është Fryma e Shenjtë që sjell Krishtin në shpirtrat tanë. Izraelitët lejoheshin të mblidhnin […] një omer (rreth 1.7 l) për njeri. Pavarësisht sa shumë apo sa pak mblidhnin, duke u përpjekur për t’iu afruar një omeri, ata gjithmonë kishin mjaftueshëm dhe kurrë më tepër se ç’duhet. Kjo hedh idenë e vetëmjaftueshmërisë së Krishtit që plotëson çdo nevojë të të gjithë njerëzve të Tij dhe rezultatet e arritura kur të krishterët ndajnë me ata që janë në nevojë (2 e Korintasve 8:15). Mana duhej të mblidhej në mëngjes, para se dielli ta shkrinte. Po kështu ne duhet të ushqehemi me Krishtin në fillim të çdo dite, para se shtypjet e jetës të na rëndojnë. Ajo duhej të mblidhej çdo ditë, ashtu siç mund të ushqehemi çdo ditë në Zotin. Ajo duhej të mblidhej gjatë gjashtë ditëve të para të javës; asgjë nuk sigurohej ditën e shtatë.

16:20-31 Ditën e gjashtë populli mori urdhrin të mblidhte një racion të dyfishtë krahasuar me ditët e tjera, për t’i përdorur ditën e shtunë. Nëse ata linin teprica për ditën tjetër, mana kalbej duke prodhuar krimba dhe lëshonte një erë e keqe. Ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë. Ajo mund të piqej apo gatuhej. Moisiu i qortoi ata që shkuan të mblidhnin manë ditën e shtunë.

16:32-34 Një sasi mane u vendos në një enë të artë dhe u ruajt si kujtim për t’u vënë më vonë në Arkën e Besëlidhjes (Heb. 9:4). Perëndia pushoi ditën e shtatë të krijimit (Zanafilla 2:2), por Ai nuk e urdhëroi njeriun që të bënte një gjë të tillë në atë kohë. Por tani Ai i dha ligjin e shabatit kombit të Izraelit. Më vonë u bë një ndër Dhjetë Urdhërimet (Eksodi 20:9-11). Ajo ishte një shenjë e besëlidhjes bërë me Izraelin në malin Sinai (Eksodi 31:13) dhe një kujtesë javore e çlirimit të tyre nga skllavëria egjiptiane (Ligji i Perterire 5:15). Johebrenjtë nuk u urdhëruan kurrë të zbatonin ligjin e shabatit. Nëntë nga Dhjetë Urdhërimet përsëriten në DhR si udhëzime në drejtësi për kishën. I vetmi që nuk përsëritet është ligji i shabatit. Megjithatë ekziston parimi i një dite pushimi për tërë njerëzimin. Për të krishterët ajo ditë është dita e parë e javës, Dita e Zotit. Ajo nuk është një ditë e një përgjegjësie ligjore, por një ditë e një privilegji të hirshëm, kur, pasi kemi lënë punët e përditshme, mund t’i jepemi plotësisht adhurimit dhe shërbimit ndaj Zotit.

«Dëshmia», që do të thotë «Arka» e Besëlidhjes, përmendet këtu para se të ekzistonte. Ky është një ilustrim i ligjit të përmendur më parë. «Dëshmia» gjithashtu mund të nënkuptojë Dhjetë Urdhërimet, duke u varur nga konteksti.

16:35,36 Ngrënia e manës për dyzet vjet është një parathënie e kohës kur izraelitët do të endeshin në shkretëtirë. Mana reshti kur mbërritën në Gilgal, brenda në kufirin e vendit të Kanaanit (Jozueu 5:12).

C. Refidimi (Kapitulli 17)

17:1-7Redifim populli u grind me Moisiun për shkak të mungesës së ujit. Zoti udhëzoi Moisiun që të shkonte në zonën afër Horebit (që do të thotë vendi i shkretë) dhe të rrihte shkëmbin me shkopin e tij. Kur e bëri një gjë të tillë, uji rrodhi nga shkëmbi – një simbol i Frymës së Shenjtë, që u dha në ditën e Rrëshajave si fryti i goditjes së Krishtit në Kalvar. Masa (tundues apo provokues) ishte vendi ku ata tunduan, apo vunë në provë Perëndinë. Meriba (ankim apo grindje) ishte vendi ku ata u grindën me Moisiun.

17:8-16 Tani del në skenë për herë të parë Jozueu (Jehovah është shpëtimi). Si shërbëtori i Moisiut, ai luftoi kundër Amalekut në Refidim. Gjatë kohës që Moisiu ngrinte dorën e tij, në ndërmjetësim dhe varësi nga Perëndia, izraelitët fitonin. Por kur dora e Moisiut binte, Amaleku fitonte epërsi. Amaleku, një pasardhës i Esaut, është një simbol i mishit – pra, i së keqes, të prishurës, natyrës adamore të njeriut. Vini re ngjashmërinë e mëtejshme të mishit me Amalekun: 1. Paraqet veten pasi është dhënë Fryma e Shenjtë, kur shpëtohet një njeri, për të luftuar kundër Frymës; 2. Zoti do t’i bëjë luftë mishit nga brezi në brez; 3. Ai nuk çrrënjoset nga besimtari derisa të vdesë apo deri me Rrëmbimin e kishës; 4. Jepen dy mjete të triumfit mbi mishin – lutja dhe Fjala.

Sipas historianit të lashtë jude Jozefus (Josephus), Huri ishte burri i Miriamit, motrës së Moisiut. I njëjti Hur u la të rrinte me Aaronin për të mbikëqyrur popullin, ndërsa Moisiu ishte në malin Sinai (Eksodi 24:14).

Zoti është flamuri im (hebraishte YHWH Nissî) është një emër i përbërë i Jehovait.

D. Moisiu dhe Jethroja (Kapitulli 18)

18:1-12 Kapitulli 18 shënon një ndarje të dallueshme në librin e Eksodit. Deri tani kemi pasur manën, shkëmbin që u godit me shkop dhe një rrjedhë uji – duke folur për mishërimin e Krishtit, vdekjen e Tij dhe dhënien e Frymës së Shenjtë. Tani duket se kemi një rreze të lavdisë së ardhshme të Krishtit. Moisiu është një simbol i Krishtit që mbretëron mbi tokë. Ne gjithashtu shohim judenjtë, përfaqësuar nga bijtë e tij; johebrenjtë, paraqitur nga Jethroja dhe kishën, Seforën. Të gjithë këta do të shijojnë bekimet e mbretërisë mijëvjeçare – judenjtë dhe johebrenjtë si banorët e saj dhe Kisha që do të mbretërojë me Krishtin mbi tokë.

Ngjarjet nuk janë në rendin kronologjik. Jethroja përshkruhet se ka shkuar te Moisiu në vargun 5, por izraelitët nuk shkuan te mali Sinai deri te Eksodi 19:2. Një komentues hedh idenë se kjo përshtatje shërben për të qartësuar rrjedhën e një rrëfimi të pandërprerë me Jehovain dhe dhënien e Ligjit. Moisiu mbase kishte lënë gruan dhe dy bijtë e tij në Madian kur u kthye në Egjipt. Tashmë Jethroja i sjell Seforën, Gershomin dhe Eliezerin (Perëndia im është ndihmë) Moisiut për një bashkim të gëzueshëm. Duket se Jethroja ishte kthyer te Perëndia i vërtetë këtu, edhe pse disa studiues besojnë se ai kishte qenë që më parë një adhurues i Jehovait.

18:13-27 Kur Jethroja pa detyrën e madhe që binte mbi Moisiun në gjykimin e popullit, këshilloi dhëndrin e tij të zgjidhte […] disa njerëz me karakter të lartë, që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë për ta ndihmuar. Ideja e Jethros nënkuptonte krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetërave dhe krerë të dhjetërave. Kjo do të lehtësonte barrën e Moisiut dhe do të bënte që puna të kryhej edhe më shpejt. Disa mendojnë se këshilla e Jethros qe e frymëzuar nga Perëndia, sepse nxiti një dhënie të arsyeshme pushteti të tjerëve. Megjithatë, të tjerë na kujtojnë se Perëndia nuk cakton kurrë detyra pa dhënë hirin më parë. Deri në atë kohë Perëndia i kishte folur Moisiut si një njeri flet me një shok dhe nuk kishte përdorur një zëdhënës. Prandaj Moisiu duhej të vazhdonte detyrën e tij, derisa Perëndia ta kishte lejuar Vetë.


Referenca    ( ↵ kthehet te teksti)

  1. (16:1-19) Emri nuk lidhet me fjalën angleze sin (mëkat).