BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shenjtërimi te Perëndia; përulësia dhe besnikëria në të ushtruarit e dhuntive të tij
12:1 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
12:2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
12:3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
12:4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
12:5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
12:6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
12:7 nëse kemi shërbim, le t`i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
12:8 dhe ai që nxit, le t`i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t`i bëjë me gëzim.
Dashuria,zelli,përulësia,bamirësia
12:9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.
12:10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.
12:11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shër
beni Perëndisë,
12:12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;
12:13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
12:14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
12:15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
12:16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.
12:17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
12:18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
12:19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti“.
12:20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur“.
12:21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.