BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Nënshtrimi ndaj pushteteve
13:1 Çdo njeri le t`i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
13:2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
13:3 Sepse eprorët s`ke pse t`i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
13:4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
13:5 Prandaj është e nevojshme t`i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
13:6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
13:7 I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t`u druajtur, nderimin atij që është për nderim.
Dashuria për të afërmin, vigjilenca, pastërtia
13:8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
13:9 Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo“, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!“.
13:10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
13:11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.
13:12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13:13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.
13:14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t`ia kënaqni lakmitë.