Romakëve 16

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Porosi, përshëndetje dhe këshillim

16:1 Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea,

16:2 që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë.

16:3 U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus,

16:4 të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve.

16:5 I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në Krishtin.

16:6 Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne.

16:7 Të fala Andronikut dhe Juniës, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje.

16:8 Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin.

16:9 Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim të dashur.

16:10 Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit.

16:11 Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së Narkisit që janë në Zotin.

16:12 U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin.

16:13 Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është edhe imja.

16:14 Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe vëllezërve që janë me ta.

16:15 Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta.

16:16 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin.

16:17 Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata;

16:18 sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.

16:19 Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për të keqen.

16:20 Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju.

16:21 Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj të mi, ju përshendesin.

16:22 Unë, Terci, që shkrova këtë letër ju përshëndes në Zotin.

16:23 Gai, mikpritësi im dhe i mbarë kishës, ju bën të fala. Erasti, arkëtari i qytetit, dhe vëllai Kuarti, ju dërgojnë të fala.

16:24 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.

16:25 Dhe atij që mund t`ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur,

16:26 por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t`i sjellë në dëgjesën e besimit,

16:27 Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.

[previous][next]