BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Hiri në vënd që të përligjë mëkatin, të çliron nga të qënit skllav i tij
6:1 Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri?
6:2 Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të?
6:3 Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?
6:4 Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.
6:5 Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,
6:6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.
6:7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.
6:8 Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të,
6:9 duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s`ka më pushtet mbi të.
6:10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë.
6:11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
6:12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t`i bindeni atij në epshet e veta.
6:13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.
6:14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.
6:15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!
6:16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?
6:17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.
6:18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.
6:19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.
6:20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë.
6:21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja.
6:22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.
6:23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.