E VËRTETA RRETH “REFUGJATËVE”

Kapitulli 5 | DITA E GJYKIMIT

NË TËRË SHQETËSIMIN për refugjatë arabë që u larguan nga Izraeli, kryesisht në fund të vitit 1947 dhe fillim të 1948, judenjtë janë harruar. Shumë kishin shpresuar të bëheshin refugjatë nga Gjermania naziste para se të ishte tepër vonë, por nuk mund të gjenin asnjë vend në botë që t’i pranonte. Miliona prej tyre humbën gjatë Holokaustit. Më 1939, kur judenjtë po dëshironin me zjarr t’i shpëtonin Gjermanisë naziste duke pasur nevojë të madhe për një atdhe për t’u arratisur, britanikët jo vetëm që u përpoqën të ndërprisnin çdo imigrim të judenjve në Palestinë, por edhe blerjen e tokës atje nga judenjtë. Organizatat e fshehta judaike ishin të frikësuara. Britania e Madhe u përpoq të mbyllte të vetmen rrugë shpëtimi që kishin refugjatët e Evropës1.

      Pavarësisht nga mandati që kishte për të siguruar që “Palestina” të bëhej një shtëpi kombëtare për judenjtë, Britania ishte fort kundër kthimit atje të judenjve të arratisur dhe po bënte çdo gjë të mundshme për t’i ndalur. Një grup i fshehtë ekstremist judaik i krahut të djathtë, i zemëruar dhe i inatosur, i themeluar në Palestinë më 1931, nga Irgun Zvai Leumi, shpërtheu ambasadën britanike në Romë dhe zyrën britanike në Hotelin Mbreti David në Jeruzalem si shpagim, duke vrarë nëntëdhjetë e një njerëz, shtatëmbëdhjetë prej të cilëve ishin judenj. Ndonëse drejtohej nga Menahem Begin (Menachem Begin) (më vonë kryeministër), veprimet e tij terroriste u dënuan nga David Ben-Gurioni.

      Nëse dikush do të meritonte të quhej refugjat, me siguri ishte ai që i kishte mbijetuar përpjekjeve të Hitlerit për shfarosjen e tyre. Mirëpo, kur ata mbërritën, me anije gati në mbytje, brenda panoramës së Tokës së Premtuar ku kishin dëshiruan të shkonin, u kthyen mbrapsht nga marina britanike dhe u futën në kampet të burgosurish! Shumë prej atyre pak vetave që kishin arritur të shpresonin për një jetë të re në tokën që Perëndia u kishte dhënë paraardhësve të tyre u rrethuan nga britanikët më të alarmuar se kurrë dhe u çuan në të njëjtat kampe – veprime këto në shkelje të plotë të mandatit që Britania kishte marrë për të vendosur judenjtë në vendlindjen e tyre që u takonte me të drejtë. Dhe e tëra kjo duke shkelur mirësjelljen njerëzore, dhembshurinë njerëzore dhe ndërgjegjen që Perëndia ka vendosur në secilin prej nesh. Veprimet e Britanisë ndaj judenjve ishin me një fjalë, të pandërgjegjshme!

      Britania, duke ushtruar mandatin e saj, u kishte dhënë arabëve shumë shtete të pavarura, nga Egjipti (1922), Arabia Saudite (1931) te Transjordania (1946). Kjo e fundit u mor nga toka që Lidhja e Kombeve kishte lënë për vendlindjen judaike dhe për të cilën Britania kishte mandatin të shikonte që judenjtë të vendoseshin atje. Iu dha hashimitit Emir Abdullahut I (Ibën Hyseini), si kompromis kur Ibën Saudit iu dha Arabia Saudite. Hyseini ishte vëllai i mbretit Faisal I i Sirisë, i cili ishte dëbuar nga Damasku në korrik të vitit 1920 nga francezët. Shtysa britanike ishte të ruante paqen midis familjeve feudale myslimane dhe për të vendosur lidhjet për përdorimin e ardhshëm të naftës.

      Judenjtë ndërkohë vazhdonin të prisnin shtetin e tyre të premtuar ndërsa terroristët myslimanë i sulmonin përditë dhe i vrisnin. Britania, pa i vendosur judenjtë në vendlindjen e tyre siç ishte premtuar, dhe duke pohuar se situata kishte dalë nga kontrolli, ia kaloi mandatin e saj Kombeve të Bashkuara në shkurt të vitit 1947. Debati i OKB-së tani ishte se çfarë duhej bërë me judenjtë në Palestinë – një problem që vazhdon të jetë barra tronditëse e kombeve të botës, saktësisht siç ka thënë Bibla se do të ndodhë. Familjet e disa “judenjve palestinezë” kishin jetuar për njëqind breza në tokën që Perëndia u dha paraardhësve të tyre si një trashëgimi të përjetshme – mirëpo ata vazhdojnë të akuzohen si «pushtues të tokës palestineze”!

      Në një intervistë në vitin 1964 Naseri pohoi se Egjipti «vazhdonte t’i zotohej me besnikëri çështjes së vjetër naziste: “Simpatia jonë ishte me gjermanët”»2. Në të vërtetë, e tërë bota arabe ishte vënë në anën e nazistëve kundër Aleancës, ndërsa vullnetarët judenj kishin luftuar në ushtrinë britanike – gjë e cila e bën edhe më të ndërlikuar që britanikët të bëheshin në anën e arabëve kundër judenjve. Sigurisht, Izraeli nuk kishte naftë dhe pothuaj nuk ka edhe sot – të paktën jo sipas zbulimeve të publikuara deri në këtë datë. Paraja dhe pushteti në vend të së vërtetës dhe të drejtësisë e sundojnë botën e prishur të politikave ndërkombëtare.

      Në 29 nëntor 1947, Rezoluta 181 e OKB-së e ndau 23 përqindëshin e Palestinës së mbetur, pasi 77 përqindëshi ishte hequr për të krijuar Jordaninë. Nga ai territor i zvogëluar, 56 për qind (13 për qind e mandatit fillestar) iu caktua një shteti judaik, 42 për qind një shteti arab dhe 2 për qind u la mënjanë si një zonë ndërkombëtare për vendet e shenjta në dhe përreth Jeruzalemit. Ndonëse të zhvatur, në fakt, nga toka që u ishte premtuar, ardhësit judenj pranuan atë që u ishte caktuar. Të paktën kishin një shtëpi kombëtare të pranuar nga bota. Arabët e inatosur kërkuan të gjithë “Palestinën” dhe gjashtë delegatë arabë nga Iraku, Siria, Libani, Egjipti, Arabia Saudite dhe Jemeni u larguan nga OKB-ja, duke kërcënuar me një luftë që do të shfaroste judenjtë.

REAGIMI ARAB

      Myslimanët i shtuan revoltat e tyre në Jeruzalem dhe gjetkë. Sulmet kundër ardhësve judenj u bënë nga pushtuesit e armatosur arabë, bashkë me britanikët me sa duket rojtarë, të cilët në disa raste e mbyllnin njërin sy e i ndihmonin ndërluftuesit. Ministri i Jashtëm irakian, Fadhel al-Jamali, duke folur në Kajro, shpalli: «Mund t’ju siguroj se forcat britanike në Palestinë nuk do të përpiqen të kundërshtojnë apo t’i luftojnë arabët, sepse Britania është një mik i vërtetë i arabëve»3. Kjo ishte një miqësi që Britania e kultivoi me kujdes për arsye egoiste në kurriz të judenjve. Robert Macatee, Konsulli i Përgjithshëm amerikan në Jeruzalem, raportoi për një incident tipik midis shumë të tillëve të përsëritur gati përditë:

      Është tragjike se shumë nga rastësitë e sotme përfshijnë njerëz të pafajshëm dhe të parrezikshëm…. Ata zgjidhen ndërsa udhëtojnë me autobus, duke ecur përgjatë rrugëve dhe gjuajtjet qorre i gjejnë ndërsa flenë në shtretërit e tyre. Një grua judease, nënë e pesë fëmijëve, u qëllua në Jeruzalem ndërsa varte rrobat në çati. Ambulanca që po e çonte me nxitim në spital u qëllua me armë automatike dhe së fundi vajtuesit që po e çonin për varrosje u sulmuan dhe njëri prej tyre u godit për vdekje4.

      Haxhi Amin al-Hyseini, me rënien e Hitlerit dhe regjimit nazist dhe duke pasur ende një çmim për kokën e tij nëse do të shfaqej në Palestinë (por që admirohej nga shumica e arabëve si “zoti Palestinë”), po drejtonte këtë terrorizëm nga Damasku (që edhe sot mbetet baza e shumicës së organizatave terroriste). Në 24 nëntor Jamal el-Hyseini, zëvendëskryetar i Komitetit të Lartë Arab të Myftiut, e kishte paralajmëruar OKB-në: «Duke diktuar ndarjen e Palestinës ju do të gremisni vendin në një vaskë gjaku virtuale…. Vija kufitare e propozuar, nëse do të arrihet të merret ndonjë vendim, nuk do të jetë gjë tjetër veçse një vijë zjarri dhe gjaku». Ai shpalli një grevë të përgjithshme treditore nga 2 deri në 4 dhjetor të vitit 1947. Madje më parë, ndjekësit e Myftiut kishin «organizuar një fushatë dhune diskriminuese kundër komunitetit jude. Brenda 24 orëve të para [pas Rezolutës së OKB-së] – në 30 nëntor 1947 – tetë judenj tashmë ishin vrarë afër Nathanias. Pritat, zjarrvëniet e qëllimshme dhe bombardimet u bënë rendi i ditës»5.

      Midis 29 nëntorit të vitit 1947 dhe 3 marsit 1948 më tepër se pesë mijë arabë të armatosur rëndë pushtuan Palestinën ndërsa autoritetet britanike kthyen sytë nga ana tjetër. Ata financoheshin kryesisht nga Haxhi Amini, i cili «“financohej me tepri” nga Ibën Saudi i Arabisë Saudite dhe mbreti Faruk i Egjiptit». Myftiu, duke lëvruar fondet për shkatërrimin e planifikuar të Izraelit, po kurdiste të bëhej udhëheqësi i ardhshëm i një shteti arabo-palestinez. Ai, nga vitet e tij në Gjermani duke punuar me Hitlerin, kishte «arritur të merrte një përqindje të madhe të financimeve naziste duke dalë nga Gjermania, edhe ndërsa lufta ishte në zhvillim e sipër». Ai kishte «një vend të fshehtë të madh me ar në Irak dhe një pasuri të konsiderueshme në Zvicër, kryesisht në formë orësh zvicerane lehtësisht të shkëmbyeshme»6.

      Historia vendos terrorizmin e sotëm në perspektivë – metodat, qëllimet dhe financimet nuk janë diçka e re, por kanë qenë modus operandi (mënyra e veprimit) e arabëve/myslimanëve kundër Izraelit që nga fillimi si mjetet e tyre për të realizuar dorëzimin e tyre të synuar dhe të zotuar. Depërtimi nga terroristët e huaj, siç po ndodh sot në Irak dhe Afganistan, nuk është diçka e re: Myftiu përdori të njëjtat taktika shtatëdhjetë vjet më parë.

      Brenda një jave nga ndarja e Palestinës nga OKB-ja, gueriljet dhe terroristët arabë kishin vrarë më tepër se njëqind judenj. Xhon Bagot Glab (John Bagot Glubb), komandanti britanik i Legjionit arab të Transjordanisë, pranoi: «Në fillim të janarit [1948] forcat e para të Ushtrisë Çlirimtare Arabe filluan të depërtojnë në Palestinë nga Siria. Disa erdhën nga Jordania dhe madje përmes Amanit…. Ata në të vërtetë do të ishin të parët që bënë gjuajtjen e parë për shkatërrimin e arabëve të Palestinës».

      Paturpësisht, arabët u mburrën para tërë botës për qëllimet e tyre. Jamal Hyseini, duke folur për Komitetin e Lartë Arab, i kishte thënë Këshillit të Sigurimit më 16 prill 1948: «Agjencia Judaike [tha] se arabët kishin filluar luftimin. Ne nuk e mohuam këtë. Ne i thamë tërë botës se do të luftonim». Kjo ndodhi një muaj para se Izraeli të shpallte veten komb.

      Betimi për të “fshirë Izraelin nga harta” nuk u shpik nga presidenti Ahmedinezhad i Iranit, i cili i shpalli më mënyrë dogmatike botës këtë domosdoshmëri në tetor të vitit 2005. Kjo është një doktrinë themelore e islamit dhe është kërcënuar nga udhëheqës të tjerë myslimanë shumë herë për të paktën gjashtëdhjetë vjet. Bota myslimane nuk do të gjejë paqe derisa ai pasion të jetë përmbushur apo ata vetë të jenë shkatërruar për këto përpjekje – gjë e cila do të ndodhë me të vërtetë tek Armagedoni. Ky fakt kërkon në mënyrë të qartë masa të pazakonta për të siguruar paqen e vërtetë në Lindjen e Mesme –por korrektësi politike vazhdon të mohojë këtë të vërtetë të jashtëzakonshme.

PROPOZIMI IZRAELIT PËR PAQE DHE PËRGJIGJJA ARABE

      Në 14 maj 1948 Izraeli i rilindur u shpall komb i pavarur. Presidenti Truman, brenda disa minutave, në orën 5:16 të pasdites, në një reagim të menjëhershëm që i çuditi Kombet e Bashkuara dhe duke përplasur kundërshtimet e ministrave të qeverisë së tij, autorizoi njohjen e Izraelit nga Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Sovjetik vazhdoi pas tij. Më pas vijuan kombet e tjera. Kjo ishte një mrekulli, ndonëse e pamundur në botën e sotme, që mund të kishte ndodhur vetëm në hijen e Holokaustit. Ai tmerr kishte nxitur një sëmbim të përbotshme e të menjëhershme të ndërgjegjes për qëndrimin pasiv, ndërkohë që miliona judenj po shfaroseshin si parazitë.

      Bota po merrte pjesë padashur në përmbushjen e një profecie tjetër të mrekullueshme. Duke parashikuar rilindjen e Izraelit në ditët e fundit, profeti Isaia shkroi: «Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj»7. Me siguri shprehja “Sioni, me të ndjerë dhimbjet”, ishte një përshkrim shprehës i humbjes prej gjashtë milionë të fëmijëve të Sionit.

      Njohja e guximshme e Izraelit nga Trumani i kapërceu kundërshtimet e ashpra të Sekretarit të Shtetit Xhorxh C. Marshallit (George C. Marshall). Sekretari, duke pasqyruar një qëndrim antisemitik/anti-izraelit që e karakterizon Departamentin e Shtetit të kësaj kohe (Sekretari i Shtetit Xhejms Bejkëri [James Baker], për shembull, ishte shumë anti-izraelit), kërcënoi me zemërim: «Ata nuk meritojnë një shtet; ata e kanë vjedhur atë vend. Nëse u jep këtë njohje, zoti President, mund të mos votoj për ty në zgjedhjet e ardhshme». E kanë vjedhur atë vend? Në fakt, siç e kemi treguar, pjesa më e madhe e atij vendi u ishte vjedhur judenjve nga Britania dhe OKB-ja, duke e lënë Izraelin me shumë pak nga ajo që i takonte me të drejtë. Marshalli po shprehte një verbëri me dashje ndaj së vërtetës – një verbëri që vazhdon të errësojë arsyetimin e udhëheqësve politikë në mbarë botën.

      Shpallja e Pavarësisë së Izraelit pohon: «Ne u paraqesim… të gjitha shteteve fqinje… një propozim paqeje… dhe u kërkojmë të vendosin lidhje bashkëpunimi dhe ndihme reciproke me popullin sovran jude të vendosur në vendin e vet… duke vendosur besimin tonë në të Plotfuqishmin…». Ky flamur i bardhë i mbajtur nga Izraeli me mirëbesim u mor nëpër këmbë nga ushtritë e rregullta e të paktën pesë kombeve arabe.

      Mëngjesin e të nesërmes shteti njomëzak i Izraelit u gjend në luftë serioze, nën sulmin e rëndë nga disa fronte. Ushtritë arabe kishin filluar pushtimin e tyre të koordinuar: libanezët nga veriu, ushtritë siriane përgjatë Golanit nga verilindja, Legjioni Arab dhe forcat irakiane duke sulmuar nga qendra dhe egjiptianët nga jugu ndihmuan me bombardues – duke i njoftuar kështu paturpësisht botës se do të ishte një luftë shfarosjeje.

      Po, shfarosja qe qëllimi i tyre i betuar, por falë hirit të Perëndisë kjo ishte një mburrje boshe. Ata izraelitët që e mbrojtën vendin e tyre, i kanë thënë këtij autori: «Kam qenë një ateist. Por në luftë [mund të ketë qenë njëra nga të pestat] pashë të ndodhin gjëra të cilat mund të përshkruhen vetëm si mrekulli dhe arrita të besoj se Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit po përmbushte premtimet e Tij ndaj popullit të Tij të lashtë». Një gjeneral i dalë në pension, i cili e mban Biblën me vete kudo ku shkon, pohon se të paktën 30 për qind e oficerëve më të lartë ushtarakë të Izraelit besojnë në «Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit» dhe besojnë në përkujdesjen e Tij ndaj Izraelit, pa të cilën ai nuk mund të kishte mbijetuar.

ARMËPUSHIMI I PARË

      Shtetet e Bashkuara, duke pasur frikë se mos arabët, me epërsinë e tyre dërrmuese në numër dhe armatim, mund të realizonin mburrjet e tyre, kërkuan një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që krijonte një armëpushim si edhe sanksione për ta përforcuar. Delegati sovjetik Andrei Gromyko i tha Këshillit të Sigurimit më 29 maj 1948: «Kjo nuk është hera e parë që shtetet arabe, të cilat organizuan pushtimin e Palestinës, kanë injoruar vendimin e Këshillit të Sigurimit apo Asamblesë së Përgjithshme».

      Britanikët, të qëndrueshëm në historinë e tyre në favor të arabëve dhe në kundërshtim të judenjve, e refuzuan rezolutën e armëpushimit, të sigurt se arabët do të shkatërronin Izraelin. Delegatët arabë kërkuan, si kusht për paqen, që pavarësia e Izraelit të shfuqizohej. Përgjigjja e Izraelit ishte e hapur dhe drejt e në shenjë: «Nëse shtetet arabe duan paqe, ata mund ta kenë këtë. Nëse duan luftë, edhe këtë mund ta kenë. Por nëse duan paqe apo luftë, këtë mund ta kenë vetëm me Shtetin e Izraelit».

      Armëpushimi i parë ndodhi në 11 qershor 1948. Arabët ngelën nën kontroll të rreth një të tretës së territorit minimal që i ishte caktuar Izraelit. Lufta filloi përsëri dhe këtë herë Izraeli kishte siguruar disa tanke, artileri dhe armë të vogla të mjaftueshme për të pajisur të gjithë luftëtarët e tij. Në dhjetë ditët luftë që pasuan Izraeli siguroi fitore të rëndësishme, duke e bërë Britaninë që të kërkonte me nxitim një armëpushim tjetër.

PROBLEMI I REFUGJATËVE

      Lufta është mizore dhe e kushtueshme në çdo drejtim. Pesë luftërat e shkallës më të lartë që Izraeli është detyruar të luftojë gjatë ekzistencës së shkurtër moderne nuk ishin nga zgjedhja e tyre. Ai nuk filloi asnjë prej tyre, por i është dashur t’i përfundojë, duke u mbrojtur kundër një armiku të vendosur për ta shkatërruar. Në Luftën e Pavarësisë më 1948, në vend që arabët të shtynin judenjtë drejt Mesdheut, siç ishin betuar se do të bënin, rreth pesëqind mijë civilë arabë u arratisën nga zona e luftës. Që nga ajo kohë e deri tani, ata dhe pasardhësit e tyre, numrat e të cilëve janë shumëzuar në miliona, janë klasifikuar nga bota si «refugjatë palestinezë».

      Pjesa më tragjike rreth këtyre njerëzve të abuzuar dhe të keqpërdorur është se pjesa më e madhe e tyre nuk kishin pse të largoheshin. Një domosdoshmëri e tillë (edhe pse imagjinare) qe një rezultat i drejtpërdrejtë i refuzimit të kombeve arabe për të pranuar planin e ndarjes nga OKB-ja. Sikurse tashmë e kemi vënë re, arabët duan tani të kthehen te kufijtë e vendosur nga Rezoluta 181 e OKB-së. Por Izraeli e konsideron atë rezolutë të pavlefshme dhe të pafuqi, sepse arabët e refuzuan ashpër dhe e sulmuan Izraelin në përpjekjen për ta shfarosur në atë kohë. Për më tepër, izraelitët u përpoqën t’i bindnin të qëndronin për të ndërtuar një vend të ri së bashku. Shpallja e Pavarësisë nga Izraeli, bërë në 14 maj 1948, propozoi:

      Në mes të agresionit të papërmbajtur [njësitë ushtarake arabe, me miratimin e pashprehur dhe ndonjëherë ndihmën e “paqeruajtësve” britanikë, kanë sulmuar banorët judenj për muaj me radhë], ne, prapëseprapë, u bëjmë thirrje banorëve arabë të Shtetit të Izraelit të ruajnë rrugët e paqes dhe të luajnë rolin e tyre në zhvillimin e shtetit, në bazë të nënshtetësisë së plotë dhe të barabartë dhe përfaqësimin e duhur në të gjitha organizmat dhe institucionet e tij. Ne shtrijmë dorën në paqe dhe komshillëk me të gjitha shtetet fqinje dhe njerëzit e tyre….

      Ata arabë që nuk iu bindën urdhrit të evakuimit në radio dhe qëndruan në Izrael mësuan se që Izraeli mbajti fjalën. Tani ata përbëjnë më tepër se 20 për qind të votuesve izraelitë me të drejta të plota nënshtetësie. Disa arabë janë madje anëtarë të Parlamentit Izraelit. Në fakt,

      Çdo Parlament, që nga themelimi i shtetit më 1948, ka pasur anëtarë arabë dhe druzë[1]. Të gjitha veprimet në Parlament përkthehen njëherësh në arabisht dhe anëtarët arabë mund t’i drejtohen Parlamentit në arabisht…. Arabishtja është një gjuhë zyrtare në Izrael, bashkë me hebraishten. Shtypi arab në Izrael [më tepër se njëzet gazeta e revista] është më kumbues dhe i pavarur se në çdo vend tjetër në zonë…. Ka televizione të përditshme dhe programe radiofonike në arabisht. Arabishtja mësohet në shkollat dytësore judaike…. Ka afërsisht 1,000 institucione edukimi arabe në Izrael, me rreth 300,000 studentë…. Universitetet izraelite dhe institucionet teknike janë lirshëm në dispozicion të arabëve. Rreth 5,000 studentë arabë shkojnë në shkolla të tilla…. Arabët e Izraelit… janë të lirë për të ushtruar besimet e tyre, të zbatojnë ditën e tyre javore të pushimit dhe festave…. Në dallim me botën arabo jo-izraelite, gratë arabe në Izrael gëzojnë të njëjtin status si burrat. Ligji izraelit u jep grave të drejta të barabarta… për të votuar dhe për t’u zgjedhur në detyra publike, e ndalon poligaminë, martesën e fëmijëve dhe barbarizmin e gjymtimit seksual femëror [të praktikuar në islam]…. Arabët përjashtohen nga detyrimi ushtarak… për t’u kursyer konflikte të besnikërisë dhe të ndërgjegjes…. Në një sondazh të kohëve të fundit, 70 për qind e arabëve në Izrael … shpallën se do të parapëlqenin të jetonin në Izrael, në krahasim me ndonjë vend tjetër të zonës8.

      Në dallim me këtë, asnjë jude nuk ka të drejta të tilla në ndonjë vend arab apo mysliman. Në fakt, judeu nuk lejohet të shkelë në Arabinë Saudite. Në kundërshtim me pohimet që e fajësojnë Izraelin, e vërteta është se ishte urdhri ushtarak arab që u tha arabëve të largoheshin.

ARMIQ TË SË VËRTETËS

      E vërteta nuk gjendet kollaj. Duhet të jemi të kujdesshëm për burimin e informacionit dhe ta kontrollojmë, sidomos kur kemi të bëjmë me temën e refugjatëve palestinezë dhe keqtrajtimin e tyre të supozuar nga duart e izraelitëve. Profesor David A. Raush e ka shprehur mirë në librin e tij të shkëlqyer:

      Urrejtja nga arabët e krishterë për judenjtë dhe shtetin jude është aq thellë po aq sa edhe midis arabëve myslimanë. Gazetave të përditshme dhe analistëve, të cilët besojnë se po marrin një perspektivë të paanshme “të krishterë” rreth problemeve të Lindjes së Mesme, sepse janë në kontakt me arabët e krishterë të besimit apo bindjes së tyre teologjike, u duhet të përdorin kujdes shumë të madh. Misionarët nga Perëndimi që punojnë midis arabëve zakonisht bëhen pa dashje bashkëfajtorë në përhapjen e propagandës dhe mashtrimit anti-izraelit. Se mos dukemi tepër të ashpër ndaj këtyre misionarëve, kuptoni që edhe korrespondentët e thekur të lajmeve, që mundohen në një vend arab, shpejt mësojnë se burimet e tyre thahen nëse raportimet e tyre duken se janë tepër të ashpra ndaj arabëve apo tepër të buta ndaj izraelitëve9.

      Një seri librash janë shkruar me qëllim për të lustruar arabët, palestinezët dhe islamin, dhe për të ngjyrosur Izraelin si batakçi. Midis këtyre do të vëmë në krye të listës një vëllim të madh dhe të rëndësishëm: Trekëndëshi Fatal: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Palestinezët nga Noam Çomski (Noam Chomsky)10. Shumë nga historitë e tij rreth kërkesës së palestinezëve janë tragjike. Dikush me siguri duhet të vihet në anën e tyre kundër Izraelit – po të mos ishte për shkak të dyshimeve të ngritura nga anësia e tij e plotë. Në rreth gjashtëqind faqet e këtij libri nuk ka asnjë referim të vetëm të islamit apo Muhamedit, as edhe një fjalë për betimet e arabëve/myslimanëve për të shfarosur Izraelin, për vitet e tyre të formimit ushtarak dhe sulmeve të tyre kundër Izraelit për këtë qëllim të shprehur dhe as edhe një fjalë për vuajtjet e izraelitëve nga terrorizmi arab (terrorizmi, si fjalë, as nuk renditet fare te indeksi!).

      Ka madje libra të shkruara nga judenjtë që përfshihen në të njëjtën kategori. Për shembull, Imazhi dhe realiteti i konfliktit izraelito-palestinez nga Norman G. Finkelshtajni (Norman G. Finkelstein)11, prindërit e të cilit qenë të mbijetuar të Getos së Varshavës dhe kampeve të asgjësimit të Aushviçit dhe Maidanekut. Vlerësimet për librin janë madhështore, e vijnë nga [gazeta] Bota Diplomatike (Le Monde Diplomatique) dhe [revista] Rishikimi Londinez i Librave (The London Reveiw of Books) – dhe njëri prej tyre, sigurisht, nga Noam Çomski. Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare thotë se «do të sfidojë besimet më të gjalla të mbështetësve të Izraelit». Gazeta Lindja e Mesme thotë se «vë në diskutim shumë “të vërteta” të pranuara me konfliktin izraelito-palestinez». Megjithatë nuk ekziston as edhe aluzioni më i vogël në tërë vëllimin për ndonjë faj nga ana e arabëve, asnjë përmendje e antisemitizmit apo zotimeve të përbetuara për të shfarosur Izraelin. Finkelshtajni i krahason ushtarët izraelitë me nazistët, sikur të ishin judenjtë evropianë që sulmuan dhe Forcave të Sigurisë (SS-vë) të Hitlerit iu deshën t’i futnin në kampe asgjësimi për vetëmbrojtje!

KUSH I DËBOI ARABËT NGA IZRAELI?

      Padia është reklamuar dhe besuar gjerësisht se izraelitët kanë dëbuar rreth një milion arabë nga Palestina gjatë luftës së vitit 1948. Ky është themeli për kërkesat që bëjnë “palestinezët” për të drejtën që të kthehen në fshatrat e tyre të mëparshme. Pati raste kur civilët arabë që po strehonin, ndihmonin apo fshinin ushtarët sulmues arabë u detyruan të largoheshin. Por pjesa më e madhe e arabëve që u arratisën e bënë këtë pavarësisht nga premtimi i izraelitëve për siguri dhe thirrjeve për të qëndruar – dhe pa e parë ndonjëherë një ushtar izraelit. Shumë u larguan para se Izraeli të shpallte pavarësinë e tij dhe se të fillonte me të vërtetë lufta.

      Ishin ushtarakët arabë që i paralajmëruan civilët arabë të “dilnin” dhe shpallën se ata që do të qëndronin do të konsideroheshin tradhtarë ndaj çështjes arabe. Megjithëkëtë, këta janë të vetmit “refugjatët” në Lindjen e Mesme, për sa i përket botës, dhe të cilëve u drejtohet e gjithë keqardhja. Nuk mendohet fare për refugjatët judenj, të cilët, në numër shumë më të madh, ose u dëbuan ose u arratisën nga vendet myslimane më 1948.

      Më 22 prill 1948 (tri javë para se Izraeli të shpallej komb), Aubri Lipinkoti (Aubrey Lippincott), Konsulli i Përgjithshëm Amerikan në Haifa, pohoi se «udhëheqësit arabë vendorë të veshur kryesisht me rroba civile [po i nxisnin] të gjithë arabët të largoheshin nga qyteti dhe një numër i madh e bënë një gjë të tillë»12. Pothuaj gjatë së njëjtës kohë shefi i policisë britanike në Haifa, A. J. Bridmedi (Bridmead), raportoi: «Është bërë çdo përpjekje nga judenjtë për të bindur popullsinë arabe të qëndrojë». Një vizitor i huaj raportoi: «Në Tiberiadë pashë një pankartë të vënë te një xhami arabe të mbyllur që lexonte: “Ne nuk i shpronësojmë ata [dhe] do të vijë dita kur arabët do të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre në këtë qytet … asnjë nënshtetas të mos prekë pronat e tyre”. Kjo ishte firmosur nga Këshilli Bashkiak Judaik i Tiberiadës»13.

      Në mënyrë të padiskutueshme, «…Komiteti i Lartë arab nxiti largimin e refugjatëve nga shtëpitë e tyre në Jafa, Haifa dhe Jeruzalem»14. Një gazetë jordaneze raportoi: «Shtetet arabe i nxitën arabët palestinezë për t’u larguar nga shtëpitë e tyre përkohësisht për të mos penguar ushtritë pushtuese arabe»15. Një gazetë tjetër jordaneze citoi një refugjat që po ankohej: «Qeveria arabe na tha: “Ju dilni jashtë, që të hyjmë ne. Kështu ne dolëm, por ata nuk hynë”»16. Një gazetë libaneze në Nju Jork raportoi: «Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Azam Pasha, [u dha] këshilla vëllazërore arabëve të Palestinës për t’u larguar nga toka, shtëpitë dhe pasuritë e tyre dhe për të qëndruar përkohësisht në shtetet fqinje vëllazërore, përndryshe armët e ushtrive pushtuese arabe do t’i vrisnin»17.

      Kryeministri i Irakut Nuri Saidi shpalli: «Ne do të dërrmojmë vendin me armët tona dhe do të shuajmë çdo vend ku judenjtë kërkojnë strehë. Arabët duhet të drejtojnë gratë dhe fëmijët e tyre drejt zonave të sigurta derisa të mbarojë lufta»18. Kryeministri sirian, Khaled al Azmi, pranoi më vonë: «Që prej vitit 1948 ne kemi kërkuar kthimin e refugjatëve…. Por ne vetë jemi ata që i kemi nxitur të largoheshin»19. Mbreti Hysein i Jordanisë pohoi më 1960: «Që prej vitit 1948 udhëheqësit arabë e kanë trajtuar problemin e Palestinës në mënyrë të papërgjegjshme. Ata i kanë përdorur njerëzit palestinezë për qëllime egoiste politike. Kjo është qesharake dhe mund të them madje kriminale».

      Khaled al Amzi, në kujtimet e tij të vitit 1972, vajtoi atë që kishin bërë udhëheqësit arabë:

      Që prej vitit 1948 kemi qenë ne që kemi kërkuar kthimin e refugjatëve… ndërsa ishin ne që i detyruam të largoheshin…. Ne shkaktuam rrënim ndaj… refugjatëve arabë, duke i ftuar dhe duke u bërë presion për t’i detyruar të largoheshin…. Ne i shpronësuam ata…. Ne i mësuam të lypnin…. Ne kemi marrë pjesë në uljen e nivelit të tyre moral dhe shoqëror,… më pas i shfrytëzuam në ekzekutimin e krimeve të vrasjes, zjarrëvënieve dhe hedhjes së bombave ndaj… burrave, grave dhe fëmijëve dhe kjo në shërbim të qëllimeve politike…20.

DËSHMIA MAHNITËSE

      Gazeta e Nju Jorkut raportoi se: «Shpërngulja masive, e nxitur pjesërisht nga frika, pjesërisht nga urdhrat e krerëve arabë, e la lagjen arabe të Haifas një qytet fantazmë…»21. Komiteti Kombëtar Arab në Jeruzalem, duke ndjekur udhëzimet e Komitetit të Lartë Arab, i urdhëroi gratë, fëmijët dhe pleqërinë e pjesëve të ndryshme të Jeruzalemit që të linin shtëpitë e tyre dhe i paralajmëroi: “Çdo kundërshtim ndaj këtij urdhri … është një pengesë për luftën e shenjtë … dhe do të frenojë veprimet e luftëtarëve në këto qarqe»22.

      Emil Gori (Ghory), sekretar i Komitetit të Lartë Arab të Palestinës, pranoi: «Fakti që janë ata refugjatë është pasoja e drejtpërdrejtë e veprimit të shteteve arabe për kundërshtimin e ndarjes dhe të një shteti judaik. Shtetet arabe ranë dakord për këtë politikë në mënyrë të njëzëshme…»23. Mahmud Abasi, pasuesi i Arafatit, kryeministri aktual i Autoritetit Palestinez, pranoi duke shkruar: «Ushtritë arabe, të cilat e pushtuan vendin më 1948, i detyruan palestinezët të emigronin dhe të linin vendlindjen e tyre dhe detyruan një rrethim politik dhe ideologjik ndaj tyre»24. Sipas një raporti britanik: «Nga 62,000 arabë të cilët jetonin më parë në Haifa jo më tepër se 5,000 apo 6,000 qëndruan… [faktorët] më të fuqishëm [të largimit arab] … ishin njoftimet e bëra nga ajri nga Ekzekutivi i Lartë Arab, ku i nxitnin të gjithë arabët të largoheshin … [dhe] se ata arabë që qëndruan në Haifa dhe pranuan mbrojtjen judease do të trajtoheshin si tradhtarë»25.

      Karl Herman Vosi (Carl Hermann Voss), ndërsa po vizitonte kampet e refugjatëve të arabëve palestinezë në Liban dhe Jordani, mësoi nga vetë refugjatët se «Komiteti i Lartë Arab i urdhëroi të dilnin jashtë Palestinës gjatë luftës së vitit 1948 … u tha [atyre] se judenjtë në Palestinë do të shfaroseshin brenda disa javëve dhe se Ushtria Çlirimtare Arabe nuk donte të shqetësohej për ndonjë partner arab nëse ndodhej në rrugën e xhihadit shkatërrues arab. Ata refugjatë arabë ishin të hidhëruar me bashkatdhetarët e tyre arabë që i kishin lënë të pashtëpi…. [Por] katër dhjetëvjeçarë më pas ai do të lexonte rreth urrejtjes së madh të ushqyer ndaj popullit jude nga nipërit dhe stërnipërit e atyre refugjatëve…. Rrëfimet e moskokëçarjes arabe dhe llogaritjet e gabuara arabe gjatë luftës së vitit 1948 ishin harruar, duke u zëvendësuar me histori të “barbarizmave” judaike»26.

      Arabët, pasi dështuan në shfarosjen e izraelitëve përmes sulmeve ushtarake, po përpiqen ta bëjë këtë duke kërkuar simpati nga bota për “refugjatët e abuzuar”. Në verën e vitit 2000 ndërmjetësit palestinezë dorëzuan një dokument zyrtar në Kampin David, ku kërkonin që refugjatëve t’u jepej automatikisht nënshtetësia izraelite dhe që e drejta e kthimit nuk duhet të kishte kufizim në kohë. Përveç kësaj, AP-ja kërkoi që Izraeli të siguronte kompensim me një vlerë prej 500 miliardë dollarësh amerikanë. Ebu Mazeni tha se pagesat e kompensimit duhet të bëheshin vetëm nga Izraeli dhe jo nga ndonjë fond ndërkombëtar. Kërkesa të tilla të paarsyeshme mund të vijnë vetëm nga mendjet e shtrembëruara keqas nga islami.

      OÇP-ja vazhdon përpjekjet e saj për të rishkruar historinë. Kombet myslimane dhe “palestinezët”, pavarësisht nga refuzimi i prerë që i bënë arabët Rezolutës 181 të OKB-së dhe përpjekjeve të tyre të dështuara për të shkatërruar Izraelin deri tani, kërkojnë që Izraeli të zbatojë kushtet e asaj rezolute. Izraeli, siç tashmë e kemi vënë re, e konsideron me të drejtë Rezolutën 181 të OKB-së të pavlefshme e të pafuqi, sepse arabët e kanë refuzuar dhe tani veçse pretendojnë se janë dakord për të rimarrë humbjet e tyre për shkak të atij refuzimi dhe të agresionit që pasoi.

FAKTET E SHTYPJES DHE VRASJEVE TË ISLAMIT

      Urrejtja kundër të gjithë judenjve, e cila nuk vjen nga të qenit arab, por në mënyrë të veçantë nga mësimi islam, u pasqyrua në trajtimin çnjerëzor ndaj judenjve në vendet arabe që me pushtim islam. Para shekullit të shtatë dhe ardhjes së profetit Muhamed dhe islamit, sikurse tregon korrespondentja hetuese Joana Petersi (në librin e saj të paharrueshëm, Nga ditët e stërlashta), nga kërkimi i saj i madh: «Judenjtë dhe arabët kanë pasur marrëdhënie të harmonishme dhe fjalët lavdëruese rreth virtyteve fisnike të judenjve mund të gjenden në letërsinë e lashtë arabe. Në fakt, vetë Muhamedi në ditët e hershme, ndërsa po kërkonte njohje si një profet, i shikonte me pëlqim si judenjtë ashtu edhe të krishterët dhe kultivonte miqësinë e tyre». Por ajo u kthye në urrejtje kur ata e refuzuan si “profetin e Allahut”.

      Edhe pse Muhamedi vazhdoi t’i quante të krishterët dhe judenjtë “njerëzit e librit”, urrejtja e ashpër që kishte filluar kur e refuzuan vazhdoi të rritej. Kurani shpall: « O besimtarë, mos merrni për mbrojtës [mos zini miq] ebrejtë [hebrenjtë] dhe të krishterët!»27. Fjalët e fundit të Muhamedit qenë: «Allahu mallkoftë të krishterët dhe judenjtë!». Çfarë ndryshimi me mësimin e Krishtit që ne duhet të duam të gjithë njerëzit si veten tonë28 dhe me fjalët e Tij të fundit që iu thanë veçanërisht atyre që e torturuan dhe kryqëzuan – por edhe për tërë njerëzimin: «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë»29.

      Sikurse e përmendëm në Kapitullin 2, shtypja e judenjve dhe të krishterëve në vendet arabe përgjatë shekujve pas lindjes së islamit ka qenë disa herë përtej çdo përshkrimi. Qindra libra janë shkruar për këtë të keqe, por mijëra [libra] nuk mund t’i përmbajnë të gjitha faktet. Më poshtë kemi një shembull i asaj që Bat Ye’or raporton në një vëllim të dokumentuar në të gjitha pikat:

      Shtypja fetare … në periudhën … e quajtur si «Epoka e Artë»… filloi me Abd al-Malikun (685-705)…. Shkatërrimi i kishave dhe kuvendeve [dhe sinagogave] u bënë në një shkallë të tillë në tërë Perandorinë Arabe, saqë më 830 Ma’muni e ndaloi shkatërrimin e mëtejshëm pa lejen e tij. Sidoqoftë, gjatë Kalifatit të al- Mutauakilit [Mutawakkil] (847-861) një dallgë përndjekjeje fetare, konvertimesh të detyruara dhe eliminimi të kishave dhe sinagogave e pllakosi tërë Perandorinë e Abasidit….

      Mamlukët, gjatë ekspeditës së tyre më 1268, i vranë të gjithë njerëzit e Antiokisë me shpatë dhe i kapën të gjitha gratë dhe të rinjtë. Qyteti u bë një pirg rrënojash të pabanuara. Gjatë ekspeditës së vitit 1275 … gjashtëdhjetë mijë njerëz u vranë [vetëm në një qytet] dhe një numër i pallogaritshëm grash, të rinjsh dhe fëmijësh u çuan skllevër. Jean-Baptiste Tavernier …. më 1651, tregon se të gjitha kishat [në Qipro] ishin kthyer në xhami…30.

      Më 1012 pas Krishtit, një kalif në Egjipt, al-Hakimi i fatimitëve, i egërsuar nga dështimi për të kthyer judenjtë dhe të krishterët tek Allahu pavarësisht nga kërcënimet dhe poshtërimet, e shkatërroi lagjen e judenjve në Kajro bashkë me banorët e saj31. Në vend të saj u rrit një komunitet i ri. Ata nuk kishin një vend të tyrin. Nuk pati kurrë një mënyrë shpëtimi dhe asnjë vend ku të shkonin. Trajtimi i judenjve ndryshoi nga vendi në vend dhe nga brezi në brez. Nën Perandorinë Otomane Turke u pranua se judenjtë në Egjipt ishin më pak të shtypur se gjetiu. Pati për njëfarë kohe një komunitet relativisht të begatë të judenjve.

      Megjithëkëtë, në Egjiptin e fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë judenjtë, «konsideroheshin me përbuzjen dhe neverinë më të madhe nga myslimanët në përgjithësi … të urryer nga myslimanët më tepër se të krishterët … të shtyrë në rrugët e Kajros … të rrahur thjesht ngaqë kalonin në krahun e djathtë të një myslimani … nuk guxonin të thoshin asnjë fjalë abuzimi kur fyheshin apo rriheshin me pa të drejtë nga arabi apo turku i zakonshëm; shumë herë judeu është vrarë për padi të rreme dhe të keqe se ka thënë fjalë mospërfillëse kundër Kuranit apo Profetit… [apo] është flijuar për të shpëtuar një mysliman…»32. Më 1926 u bë një ligj kombëtar se emigrantët që dëshironin të bëheshin nënshtetas duhej t’i përkisnin «nga pikëpamja racore pjesës më të madhe të popullsisë së një vendi, gjuha e të cilit është arabe apo feja e të cilit është islami»33.

      Më 1940 trazirat e organizuara anti-judaike plagosën apo vranë shumë judenj në Egjipt. Egjipti miratoi një ligj që e bënte gati të pamundur që një jude të gjente punësim; qeveria konfiskoi shumë prona judaike dhe brenda disa muajsh judenjtë u katandisën drejt rrënimit financiar. Pasi OKB-ja e ndau Palestinën në 29 nëntor 1947, «judenjtë në Kajro dhe Aleksandri u kërcënuan me vdekje; shtëpitë e tyre u plaçkitën dhe sinagogat u sulmuan»34.

REFUGJATËT E HARRUAR JUDENJ

      Më 1948, sapo u krijua një vendlindje kombëtare e judenjve, më tepër se tetëqind mijë judenj u arratisën (pjesa më e madhe e të cilëve në Izrael për strehim) nga vendet myslimane, ku kishin jetuar për dy mijë apo më shumë vjet, duke lënë pas praktikisht gjithçka që kishin zotëruar. Ky numër qe shumë herë më i madh në krahasim me refugjatët arabë që u larguan nga Izraeli gjatë Luftës së Pavarësisë. Duke filluar më 1947 dhe duke u përshpejtuar më 1948 dhe më pas, është bërë një përpjekje agresive nga ana e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët “palestinezë”. Shumë programe janë vënë në veprim dhe miliarda dollarë janë shpenzuar për mbështetjen e tyre. Gjatë të njëjtës periudhë nuk është shprehur asnjë shqetësim nga OKB-ja për nevojat e rreth tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë refugjatëve judenj që u arratisën nga përndjekja e ashpër në (ose që u dëbuan me forcë nga) vendet arabe. Ka pasur më tepër se gjashtëqind e tetëdhjetë rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që trajtojnë çdo aspekt të konfliktit arabo-izraelit të Lindjes së Mesme. Më tepër se njëqind trajtojnë në mënyrë të veçantë “nevojat e refugjatëve palestinezë”. Në asnjë prej këtyre, as edhe në të tjerat, nuk është shprehur qoftë edhe shqetësimi më i vogël i refugjatëve judenj nga vendet arabe.

      Kjo nuk është se ka ndodhur për shkak të paditurisë. Në shumë raste qeveria izraelite, Organizata Botërore e Judenjve nga Vendet Arabe (WOJAC) dhe agjenci të tjera, i kanë bërë të ditur OKB-së dhe anëtarëve të saj shumën dhe rrethanat e krijuara të numrit shumë herë më të madh të refugjatëve judenj dhe kanë bërë thirrje për ndihmë. Shumë herë keqtrajtimi i judenjve në vendet myslimane, në shkelje të rëndë të Statutit të OKB-së dhe Shpalljes së të Drejtave të Njeriut, i është bërë e ditur OKB-së: nga Golda Meir në 27 dhe 30 nëntor të vitit 1956; në 21 dhjetor 1956 nga Henry Cabot Lodge, i Riu, si Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë OKB-së; në 2 dhjetor 1968, ndaj ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së U-Thant nga Lidhja Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (johebre) si edhe në shumë raste të tjera. Kërkesat ranë në vesh të shurdhët.

      Rezoluta 237 e OKB-së, e miratuar gjatë Luftës Gjashtë Ditore më 1967, u bëri thirrje të gjitha palëve të «respektojnë me përpikëri parimet humanitare që drejtojnë mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte», sikurse ishte parashtruar në Konventën e Gjenevës të vitit 1949. Edhe pse nuk u përmendën në mënyrë specifike refugjatët judenj, vetëkuptohet se ata ishin përfshirë. Mirëpo një vit më vonë u votua Rezoluta 259 e OKB-së, e cila qartësonte qëllimin e 237-ës dhe shprehte shqetësim për «sigurinë, mirëqenien dhe ruajtjen e banorëve të territoreve arabe nën pushtimin ushtarak nga Izraeli». Çdo përmendje e refugjatëve judenj u përjashtua në mënyrë specifike.

      Këtu kemi disa shembuj që zbulojnë origjinat e refugjatëve judenj, ekzistencën e të cilëve OKB-ja dhe komuniteti botëror refuzon ta pranojë. Më 1948 kishte rreth dyqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë judenj në Marok; sot ka rreth pesë mijë. Ishin rreth njëqind e dyzet mijë judenj në Algjeri, ndërsa sot nuk ka asnjë. Ishin rreth njëqind e tridhjetë e pesë mijë në Irak, shtatëdhjetë e pesë mijë në Egjipt dhe tridhjetë mijë në Siri, me vetëm rreth njëqind që kanë mbetur në secilin prej këtyre vende. Në të gjitha vendet myslimane në Lindjen e Mesme ishin më tepër se nëntëqind mijë judenj më 1948, ndërsa sot ka më pak se njëzet mijë. Pjesa tjetër arriti të arratisej nga regjimet mizore totalitare të Sirisë, Transjordanisë, Egjiptit, Libanit, Jemenit, Iranit, Irakut, Algjerisë, Tunizisë dhe Marokut.

      Si mund të anashkaloheshin më tepër se tetëqind e pesëdhjetë mijë refugjatë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nga bota? Megjithatë këta refugjatë judenj, që i shpëtuan përndjekjes dhe vrasjes tmerrësisht çnjerëzore që ata dhe stërgjyshërit e tyre kishin duruar shekuj me radhë, injorohen nga OKB-ja dhe media. Joana Petersi, në raportin e saj, pasi hetoi problemin e refugjatëve, shkruan:

      Edhe pse lexoj pirgje dokumentesh rreth refugjatëve, duke kërkuar për një konsideratë zyrtare për këta “refugjatë të tjerë judenj të Lindjes së Mesme”, gjen pak ose aspak. Por gjatë këtij procesi, u tronditën disa besime të tjera kyç në kuptimin popullor (dhe timin vetjak) të konfliktit arabo-izraelit35.

      Dikush mund të mendojë se numri më i madh i refugjatëve judenj nga vendet myslimane, të cilëve iu dha strehim në Izrael, do të ishte më tepër se një shkëmbim i drejtë për arabët që u larguan nga Izraeli. Udhëheqësit arabë kanë shprehur me kujdes shqetësim që izraelitët mund të ngrenë këtë argument, por për disa arsye të panjohura, ata nuk e kanë bërë kurrë një gjë të tillë. Mbase ngaqë kuptojnë se këta tetëqind e pesëdhjetë mijë refugjatë judenj nuk do të vlejnë asgjë për OKB-në, kështu pse të ngulin këmbë për këtë çështje? Këtu kemi të bëjmë me antisemitizëm të gjallë!

      Këmbëngulja e udhëheqësve botërorë në ndjekjen e një padrejtësie të tillë të madhe përballë provave të shumta që janë paraqitur për vite me radhë është për të ardhur keq. Një antisemitizëm i tillë i hapur, që shkel gjithçka për të cilën OKB-ja duhet të ngrejë zërin, nuk ka shpjegim të arsyeshëm. Mund të jetë vetëm një shfaqje e vazhdueshme e urrejtjes satanike kundër popullit të zgjedhur të Perëndisë, të parathënë me anë të profetëve të Tij – një urrejtje e përndjekje që do të ndjekë hapat e judenjve në mbarë botën deri me pendimin kombëtar të Izraelit. Profetët parathanë si rebelimin e vazhdueshëm të Izraelit gjatë shekujve, po ashtu edhe ndëshkimin që nuk do të përfundojë derisa Armagedoni do të thajë pikën e fundit të hidhur të kupës së gjykimit të Perëndisë.

      Një studiues, autor dhe anëtar arab i Këshillit Kombëtar Palestinez pranoi: «Judenjtë e shteteve arabe u dëbuan nga shtëpitë e tyre të hershme … duke u dëbuar me turp pasi prona e tyre ishin sekuestruar apo marrë me vlerësimin më të ulët të mundshëm…. Kjo është e vërtetë për pjesën më të madhe të judenjve në diskutim». Ai ishte i shqetësuar se mos Izraeli do të argumentonte: «Izraeli po thith judenjtë … shtetet arabe nga ana e tyre duhet të vendosin palestinezët në mes tyre dhe të zgjidhin problemin e tyre [theksimi i autorit]»36. Dhe, vërtet, më 1977, arabët e Libanit kërkuan që «refugjatët palestinezë të rivendoseshin në të gjitha vendet arabe…»37.

BALLAFAQIMI NË TRAJTIMIN E REFUGJATËVE “PALESTINEZË” DHE JUDENJ

      Në 7-8 qershor 2004 delegatë nga më shumë se nëntëdhjetë vende, «duke trajtuar nevojat humanitare të refugjatëve palestinezë … bënë një deklaratë solemne në emër të komunitetit ndërkombëtar: “Ju nuk do të braktiseni…”. Ata e bindën komunitetin ndërkombëtar, UNRWA-në dhe vendet organizatore për mbështetjen e vazhdueshme të katër milionë refugjatëve të shpërndarë në mbarë Lindjen e Mesme». Konferenca u zhvillua nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe u kryesua nga drejtori i saj, ambasadori zviceran Uolter Fust (Walter Fust). Ra në sy mungesa e përmendjes apo shqetësimi për më tepër se tetëqind e pesëdhjetë mijë refugjatët judenj, të cilët u arratisën nga vendet myslimane më 1948 apo për pasardhësit e tyre të shumtë.

      Gjashtëqind mijë rezidentët izraelitë pranuan rreth shtatëqind mijë refugjatë në jetën normale në atë tokë të vogël e të rrethuar nën sulmin e vazhdueshëm nga ushtritë arabe. Megjithatë kombet arabe, me shtatë qindfishin e tokës dhe të ardhurat e stërmëdha nga nafta, refuzuan të pranonin pesëqind mijë refugjatë. Në dhjetor të vitit 1948, me sa duket për të trajtuar në mënyrë të barabartë problemin e refugjatëve të krijuar nga lufta që kishte ndodhur atë vit në Izrael, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi Rezolutën 194. Ajo shpallte (midis masave të tjera) që «refugjatët që dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të jetonin në paqe me fqinjët e tyre duhet të lejoheshin të bënin një gjë të tillë». Gjithashtu parashikonte që «kompensimi duhej të paguhej për pronat e atyre që zgjidhnin të mos ktheheshin».

      Sigurisht, me termin “refugjatë” OKB-ja nënkuptonte “palestinezët”, por jo judenjtë. Fatkeqësisht, “të jetonin në paqe” në fjalorin islam nuk i përjashton sulmet terroriste kundër fqinjëve. Sigurisht që OKB-ja nuk do të pranonte një përkufizim të tillë – apo jo? Gjatë viteve të presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj Izraelit për të pranuar “refugjatët” myslimanë në mesin e tyre si nënshtetas paqedashës, OKB-ja ka refuzuar me vendosmëri dënimin e terroristëve.

PRETENDIME DHE PENGESA

      Zyrtarisht OKB-ja e mbulon faktin e pakundërshtueshëm (të pranuar në raste të rralla në nivele të ulëta) se refugjatët judenj nga vendet arabe duhet të merren në konsideratë në çdo barazi që trajton konfliktin e Lindjes së Mesme. «Refugjatët dhe personat e zhvendosur» është titulli i Nenit 8, paragrafi 1, i Traktatit të Paqes izraelito-jordanez i vitit 1994. Ai pranonte «problemet masive njerëzore që i janë shkaktuar të dyja palëve nga konflikti» dhe në mënyrë të qartë nuk kufizohej me refugjatët palestinezë, por duhet të jetë kuptuar edhe përfshirja e refugjatëve judenj. Te Neni 24 palët binin dakord të vendosnin një komision për pretendimet për zgjidhjen e të gjitha pretendimeve financiare. Megjithatë, ky komision nuk u krijua kurrë.

      Në Kampi David II në korrik 2000 presidenti Klinton shpalli se të drejtat e refugjatëve judenj duhej të merreshin në konsideratë. Në 28 korrik 2000, në një intervistë në televizion izraelit, Klintoni tha:

      Duhet të ngrihet njëfarë fondi ndërkombëtar i caktuar për refugjatët. Ka, mendoj, njëfarë interesi … nga të dyja palët, për të pasur gjithashtu një fond që të kompensojë izraelitët që u bënë refugjatë nga lufta, që ndodhi pas lindjes së Shtetit të Izraelit. Izraeli është i mbushur me … judenj të cilët jetuan në vende me mbizotërim arab, e që erdhën në Izrael [si] refugjatë.

      Udhëheqës të tjerë (me përjashtim të presidentit Xhorxh W. Bushit (George W. Bush) nuk i kanë bërë jehonë shqetësimit të Klintonit. OKB-ja caktoi një «Përfaqësues të Lartë për Refugjatët» (UNHCR). Z. Auguste Lindi (Auguste Lindt), në deklaratën e tij të parë pasi u zgjodh për këtë detyrë, shpalli në 29 janar 1957, në takimin e Komitetit Ekzekutiv për Fondin e Refugjatëve e OKB-së: «Nuk ka dyshim në mendjen time se ata refugjatë [judenj nga Egjipti] janë nën mandatin e detyrës time». Në 6 korrik 1967, duke përfaqësuar zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, Dr. E. Jahn shpalli në një letër se «judenjtë [të cilët u arratisën] nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore… mund të konsiderohen prima facie (në pamje të parë) brenda mandatit të kësaj detyre».

      Përfaqësuesi i Lartë është përpjekur të marrë leje nga qeveritë arabe për refugjatët judenj për të transferuar pasuritë që kanë lënë pas kur u arratisën nga vendet arabe. Përpjekje të tilla janë ndeshur me mosbashkëpunimin nga arabët. Edhe pse UNHCR-ja ka dokumentuar se refugjatët judenj u arratisën nga vendet arabe për shkak të vuajtjeve nga shkeljet serioze të të drejtave njerëzore, asgjë nuk ka ndodhur për të ndrequr atë të keqe. Pavarësisht nga përpjekje të tilla në nivele të ulëta, në nivele të larta refugjatët judenj po trajtohen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

VUAJTJE, URREJTJE DHE HIPOKRIZI E KOTË

      Duhet të shkaktojë zemërim te çdokush që ka një ndjenjë minimale drejtësie (dhe duhet të shkaktojë një britmë botërore proteste) që në shqetësimin e vazhdueshëm të shprehur në konferenca të përsëritura ndërkombëtare që diskutojnë kërkesat e refugjatëve palestinezë, nuk shprehet asnjë shqetësim, e as nuk përmendet fare, numri mjaft më i madh i refugjatëve judenj nga vendet myslimane. Sigurisht që ata nuk janë më refugjatë, sepse janë pranuar në jetën normale të Izraelit. Gjithashtu nuk do të kishte mbetur as edhe një “palestinez” në atë kategori po të ishin pranuar nga kombet arabe, me tërë pasurinë dhe burimet e tyre të shumta – por ata u refuzuan.

      Nga 1967 deri më 1985 të ardhurat e naftës për Kuvajtin dhe Arabinë Saudite ishin afërsisht 1 trilionë dollarë, megjithatë, pavarësisht nga miliardat e dollarëve që jepnin për terrorizmin, ata ndihmuar me vetëm 84 milionë dollarë të mëshirshëm për refugjatët palestinezë. Nëse bëjmë një krahasim, që nga viti 1950 Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar me 1.5 miliardë dollarë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën (UNRWA) për refugjatët palestinezë. Një pjesë e madhe e kësaj ndihme, sigurisht, u devijua nga Arafati për terrorizmin kundër Izraelit. Në të njëjtën kohë refugjatët palestinezë u mbajtën në kampet e refugjatëve kur mund të ishin pranuar shumë herë nga kombet arabe që kishin nevojë të madhe për punëtorë. Joana Petersi raporton:

      Në qershor të vitit 1977, gjatë intervistave në Damask, zyrtarët sirianë shprehën dëshirën që Siria të merrte ndihmën teknologjike amerikane për të zhvilluar tokën e lërueshme siriane…. Ministri i Tregtisë dhe Ekonomisë i Sirisë kërkoi që t’i jepej një mesazh qeverisë amerikane. Siria nuk e kishte popullsinë për të zhvilluar atë tokë … [ata] kishin nevojë për njerëz, si edhe për teknologji. Ata do t’i jepnin ngastra të vlefshme toke në Siri kujtdo që do të shkonte për të punuar në to….

      I pyeta disa zyrtarë sirianë: «Pse të mos ua jepni tokën atyre arabëve palestinezë që do të zgjedhin të pranojnë ofertën tuaj?». Përgjigjja qe gjithmonë e njëjtë…: «Ne do t’ia japim tokën kujtdo: ibosëve [igbosëve], koreanëve, amerikanëve … kujtdo që vjen – kujtdo përveç palestinezëve! Ne duhet të mbajmë urrejtjen e tyre të drejtuar nga Izraeli38.

      Propaganda e pranuar gjerësisht i lë përshtypjen personit të zakonshëm se ishin izraelitët që i detyruan këta njerëz të shfrytëzuar nëpër kampe refugjatësh. Përkundrazi, ashtu siç e kemi parë, nuk ishte Izraeli por arabët që e bënë një gjë të tillë, por ky fakt anashkalohet. Një autor shkruan se gjatë hetimit të problemit të refugjatëve pa se ishte e pamundur të merrte në intervistë kreun e delegacionit palestinez në Uashington, Qarku i Kolumbias, dhe se «ndihmësi i tij e shmangu pyetjen që i bëra atij: “Me aq shumë para në botën arabe, pse vazhdojnë palestinezët të jetojnë në kampe refugjatësh?”». Hetimi i Petersit në këtë problem qe i thellë. Ajo shkruan:

      Më 1951 Siria kishte nevojë për punëtorë të tjerë të cilët do të sistemoheshin në vend. Një gazetë egjiptiane raportoi: «Qeveria siriane ka kërkuar zyrtarisht që gjysmë milion punëtorë agrarë egjiptianë … të lejohen të emigrojnë në Siri për të ndihmuar zhvillimin e tokës siriane, e cila do t’u kalojë atyre si pronë. Autoritetet përgjegjëse egjiptiane e kanë refuzuar këtë kërkesë me arsyen se agrikultura egjiptiane ka nevojë për punë».

      Radioja Arabe e Lindjes raportoi se Siria po ofronte qira toke falas për këdo që donte të vendosej atje. Madje prezantoi një komitet për të studiuar aplikimet e ardhësve të mundshëm. [Mirëpo] bota arabe ka punuar me ngulm për të ngritur mitin se në tokat arabe nuk ka pasur punë të mundshme për refugjatët arabë më 1948 apo që nga ajo kohë e këtij…. Gati në të njëjtën kohë, Ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Muhamed Saleh el-Din … kërkoi «kthimin [në Izrael] të refugjatëve», madje duke pohuar se në këtë kthim «ata do të shfarosnin shtetin e Izraelit…»39.

      Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Dag Hamerskjoldi (Dag Hammerskjold) përsëriti se kishte mjete bollshme për të pranuar refugjatët arabë në ekonominë e zonës arabe [dhe] se refugjatët do të mirëpriteshin në vendet pritëse, duke shtuar forcën e nevojshme për të ndihmuar në zhvillimin [e tyre]…40.

      Mijëra refugjatë arabë u kthyen në shtëpitë dhe bizneset e tyre në Izrael. Refugjatët judenj do të parapëlqejnë të qëndrojnë në Izrael. Por ata nuk kanë marrë asnjë kompensim për atë që ishin të detyruar të linin pas. Dhe, vërtet, ata injorohen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

PËRJASHTIMI I VETËM!

      Gjatë njëqind viteve të fundit ka pasur rreth njëqind milionë persona të shpërngulur që janë arratisur nga dhuna në vendlindjet e tyre të mëparshme për t’u marrë si refugjatë nga vendet fqinje. Për shembull, kur Indisë dhe Pakistanit iu dha pavarësia nga Britania, më tepër se tetë milionë hinduistë dhe sikë u arratisën nga ajo që ishte bërë Pakistani i Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa afërsisht shtatë milionë myslimanë u arratisën nga ajo që sapo ishte bërë India e pavarur. Rreth pesëmbëdhjetë milionë refugjatë u formuan në atë shkëmbim. Askush nuk ka kërkuar kthimin e tyre në shtëpitë nga të cilat u arratisën – dhe as për ndonjë nga tetëdhjetë e pesë milionët e tjerë. Ky është rregulli dhe praktika.

      Ah, por ka vetëm një përjashtim – “palestinezët”. Në mars të vitit 1976, Methju Miçelli (Matthew Mitchell), në atë kohë drejtori i Komitetit për Refugjatët i Shteteve të Bashkuara, shpalli me tërë seriozitet në një intervistë se në dallim me «situatën botërore… refugjatët arabë janë një rast i veçantë»41. Këta viktima të shfrytëzuar të urrejtjes arabe kundër Izraelit, të mbajtur qëllimisht të ekspozuar nëpër kampe të fëlliqura, duhet të pranohen në Izrael për ta shkatërruar atë – kështu thotë mendësia botërore. Xhon MekKarthi (John McCarthy), një prej ekspertëve kyç në botë për refugjatët, pranoi në 19 dhjetor 1978 në një intervistë, se bota arabe kërkon që këta njerëz të «kthehen në Izrael, e drejtë apo e gabuar qoftë. Duhet të kujtoni, pra – këta njerëz janë thjesht gurë shahu»42. Kjo tragjedi bëhet edhe më shqetësuese në bazë të kryeartikullit në një gazetë të Damaskut më 1949: «Siria ka nevojë jo vetëm për njëqind mijë refugjatë, por pesë milionë për të punuar tokat dhe t’i bëjnë të frytshme»43.

      Nëse drejtësia kërkon që “palestinezët” të kthehen në Izrael, pse nuk ka një britmë të barabartë drejtësie për një numër edhe më të madh judenjsh për t’u lejuar të kthehen në tokat myslimane? Përgjigjja e asaj pyetje, ashtu siç po theksojmë, është provë e padiskutueshme e antisemitizmit mbizotërues që Bibla profetizoi se judenjtë do të pësonin derisa Mesia të kthehet tek Armagedoni për t’i shpëtuar.

      Në dallim me trajtimin e favorshëm të refugjatëve arabë, historia e plotë e trajtimit çnjerëzor të refugjatëve judenj gjatë Luftës II Botërore (të harruar përgjatë shekujve) do të mbushte një bibliotekë të tërë. Një krim i përmendur rrallë ishte mbytja e paramenduar e qindra personave në Detin e Zi. Në 12 dhjetor 1941 Struma u largua nga Konstanca, Rumani, drejt “Palestinës”. Të 769 refugjatët judenj në bordin e saj (ku përfshihen 103 fëmijë e foshnja) po largoheshin nga Holokausti nazist dhe kishin paguar kuota marramendëse vetëm për të shpëtuar nga Hitleri në një varkë të gjysmërrënuar bagëtish, greke, me një banjë të vetme, një motor që prishej vazhdimisht dhe që zor se mbante 100 njerëz. Tarifa mendohej të kishte të përfshirë vizën e hyrjes për t’u marrë në Stamboll.

      Kur varka e gjymtuar u rimorkiua në Stamboll me motor të shkatërruar, Struma u ankorua në një pjesë karantinë të portit dhe askush (ku përfshihej dhe ekuipazhi) nuk u lejua të zbriste prej saj. Atje pasagjerët pësuan një ferr të gjallë për shtatëdhjetë e një ditë. Uji dhe ushqimi i vetëm sigurohej nga mirëbërësit judenj. Dhe vetëm atëherë refugjatët mësuan se ishin viktima të një rrengu edhe më mizor se e kishin imagjinuar – “certifikatat e imigrimit”, që u ishin premtuar në Stamboll, nuk ekzistonin.

      Britanikët, të cilët kontrollonin “Palestinën” nën një mandat për ta bërë shtëpinë kombëtare judaike, por që i mbajtën judenjtë jashtë, e ndaluan qeverinë turke të lejonte varkën Struma­­ të kalonte përmes Ngushticës së Bosforit drejt Detit Mesdhe – një ndalim i kotë sepse të gjitha përpjekjet për të ndrequr motorin dështuan. Të ktheheshin në Rumani – edhe sikur të mundeshin – do të thoshte vdekje e sigurt. Përfundimisht, në 23 shkurt 1942, nën presionin e britanikëve, policia turke u fut me forcë në bord, preu zinxhirët e spirancës dhe e rimorkiuan varkën e gjorë, me pasagjerët e saj, në Detin e Zi. Struma u nda më dysh dhe u mbyt të nesërmen në mëngjes herët nga një nëndetëse ruse, gjë për të cilën komandantit të saj, togerit Denezhko, iu dha një medalje. I mbijetuari i vetëm (përveç gruas së vetme shtatzënë që iu lejua të zbarkonte për të lindur) ishte djali 19 vjeçar David Stoliari, i cili, edhe pse afër vdekjes dhe i paaftë të ecte, u mbyll në një burg turk. Ai është tani i Bendit, në Oregon (SHBA) dhe u intervistua nga autori i librit.       UNRWA-ja kohë më parë ua dha 59 kampet e saj të “refugjatëve” në Jordani, Jude, Liban, Gaza, Samari dhe Siri arabëve për t’i drejtuar. “Kampet e refugjatëve”, me shumë pak përjashtime, kanë qenë për një kohë të gjatë depo armësh dhe qendra të mëdha përgatitje për terrorizmin dhe nxitje të urrejtjes ndaj Izraelit. Dhe tani, që prej zgjedhjeve të vitit 2006 që e vunë Hamasin në ngarkim të territoreve “palestineze”, shumë prej këtyre kampeve drejtohen nga një prej grupeve terroriste më të këqija dhe kundër Izraelit që ekziston. SHBA-ja jep më tepër se 25 për qind të buxhetit vjetor të UNRWA-së, rreth 80-90 milionë dollarë amerikanë në vit. Kështu është një fakt i pashmangshëm se Amerika është një mbështetëse e madhe, nga dera e pasme, e shtypjes dhe terrorizmit!


[1]       Islam: pjesëtar i një sekti të pavarur fetar që jeton kryesisht në Siri, Liban dhe Izrael, vendosur në shekullin 11 si një degë e Isma`ili Shi`ism-it dhe që përmban elementë të krishterimit, judaizmit dhe islamit, të cilët besojnë në migrimin e shpirtit dhe përsosurinë përfundimtare të njerëzimit.

[previous][next]