Gjoni 16

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Momentet e fundit me dishepujt; Jezusi përsërit premtimin e Ngushëlluesit dhe të kthimit të vet

16:1 “Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.

16:2 Do t`ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t`ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.

16:3 Dhe do t`ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.

16:4 Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.

16:5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s`po më pyet: "Ku po shkon?".

16:6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.

16:7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj.

16:8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

16:9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;

16:10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;

16:11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.

16:12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t`ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani.

16:13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t`ju kumtojë gjërat që do vijnë.

16:14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t`jua kumtojë.

16:15 Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t`jua kumtojë.

16:16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati“.

16:17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: “Ç`është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?“.

16:18 Thoshnin pra: “Ç`është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s`dimë ç`don të thotë“.

16:19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: “Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

16:20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.

16:21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.

16:22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t`ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t`ua heqë gëzimin tuaj.

16:23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t`jua japë.

16:24 Deri tani ju s`keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

16:25 Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t`ju flas më me shëmbëlltyra, por do t`ju flas haptas për Atin.

16:26 Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t`i lutem Atit për ju;

16:27 Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.

16:28 Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati“.

16:29 Dishepujt e tij i thanë: “Ja, ti tani po flet haptas dhe s`po përdor asnjë shëmbëlltyrë.

16:30 Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s`ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia“.

16:31 Jezusi u përgjigj atyre: “A besoni tani?

16:32 Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

16:33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!“.